Klaudia Duro:Në cirk, femrat dhe meshkujt janë të barabartë

1135
Sigal

INTERVISTA/ Flet artistja e cirkut Klaudia Duro

Një vajzë energjike, e zgjuar dhe e kompletuar. Ajo ecën në rrugën e nënës së vet Fitnete, të cilën sot e ka mësuese. Pasioni për cirkun i lindi vetiu pasi nëna kurrë nuk e nxiti. Ajo tashmë është një artiste cirku me profile të ndryshme ku shkolla e lartë se pengon në profesionin e zemrës.

 Si i kujton fillimet e cirkut?

 Fillimet e mia janë disi të ndryshme nga të gjitha të tjerat. E them këtë pasi nëna ime, një mjeshtre e cirkut Fitnete Duro, duke qenë se ka 40 vjet punë këtu, asnjëherë nuk më kishte shtyrë që të merrja këtë udhë. Pra, as më kish parë, as më kish nxitur që të merrja iniciativën për në cirk dhe si rrjedhojë unë jam futur në cirk pak e madhe në moshë ndaj më është dashur shumë që të sforcohem që të arrij brezin që është tani, pra  që të barazohem me ato. Por megjithatë mund të them se i kam arritur moshatarët e mi. Me këtë status që kam tani ndjehem e kënaqur pasi po mbush 8 vjet që e ushtroj këtë sport.

 Aktualisht kush është profili juaj?

Unë nuk kam një profil të caktuar, pasi dua të bëj numra të ndryshëm. E nisa në fillim si zhonglere, punova me Sokrat Buzon, pastaj punova me Stela Blloshmin,  ku bëra një  numër “ulahop” që është bërë për herë të parë në Shqipëri. Kjo do të thotë, rrathët që rrotullohen në trup. Bota e internetit  ta jep këtë mundësi që të mësosh kudo, dhe pastaj bëra një numër ekuilibri, një shkallë tek këmbët, ku në shkallë performonte një vajzë, Anjeza, e cila  ishte 10 vjeç ndërsa shkalla ishte 4 metër e lartë. Kjo hyn në numrat e ekuilibrit. Pastaj performova një numër  spirance që e performoj me Ermela Bushgjoka, shumë e talentuar. Spiranca është pritur shumë mirë, pasi unë e kam ideuar  si një ngjarje marinari, ku veshja jonë është marinari dhe shtylla e varur është 5 metra e lartë, në formë spirance dhe ndryshe nga këto spiranca që shohim në dokumentarë ndërsa kjo spirancë qëndron në ajër. Është një numër ajri dhe është pritur shumë mirë. Një numër tjetër është dhe bambuja që ka qenë dhe mbetet një ndër numrat më të vështirë, pasi bëhet fjalë për 11 metër lartësi, ku unë ekzekutoj mbi një tub të gjatë ku këtë tub e mban Rubin Zuna, bazament, që e mban në supin e tij të djathtë, dhe e ekzekutoj sërishmi me Ermela Bushgjoka. Pra, Rubini mban dy femra në një sup. Ky numër është shumë i vështirë, pasi një lëvizje nga sa kemi mësuar na kushton dhe mund të biesh poshtë.

 Ju ka ndodhur të bini?

Po, ka ndodh vetëm njëherë edhe na është  dashur një muaj për të rikuperuar veten. Ishte shumë e vështirë. Unë u dëmtova vetëm tek kyçi i këmbës së majtë, pasi aty isha siguruar dhe pak te mesi.  Spektatori që shikon se jemi lart e mendon se ne jemi shumë bukur, shumë qejf, në ajër, por se mëson se ne jemi të lidhur me rripin e sigurimit. Por nga ana tjetër unë bie, por pesha bie në mes, pra ku jemi lidhur dhe ajo të dëmton shumë.  Nga ana tjetër tek unë është varur dhe një vajzë tjetër dhe unë mirë që kam peshën time, por kam dhe peshën e asaj. Kjo është e vështirësia.

 A është e vështirë për një femër sot të jetë artiste cirku?

 Shumë. Për një femër në radhë të parë është e vështirë të gjesh punë pasi kushtet dhe mundësitë janë shumë të pakta. E dyta është më keq të jesh artiste dhe sportiste pasi tregu i punës është i ngushtë. Nga ana tjetër të jesh në cirk sot nuk ke kohë të lirë, nuk i përkushtohesh shoqërisë, nuk do kesh  shumë liridalje. Jetën e natës të kufizuar.

 A e vazhdoni shkollën e lartë?

Po. Këtë dua të them se unë duke pasur këto impenjime shkollën e bëj Part- time. Vazhdoj në Universitetin e Sporteve, dega që ka lidhje me cirkun. Nga ana tjetër vetë profesioni ynë të bën që të kesh regjim të plotë, ushqim të zgjedhur.

 Kush hyn tek ushqimi i zgjedhur për ju?

Të jetë vetëm ushqim bio dhe sa më shumë fruta dhe zarzavate. Unë i kam përjashtuar brumërat nga ushqimi dhe pse jam një kuzhiniere e mirë dhe dua të eksperimentoj, pra të bëj gjellë të reja.

 Në shoqëri a ka paragjykime për profesionin tuaj, pra ka ende shenja konservatorizmi?

Me thënë të drejtën kohët e fundit jo. Shqipëria ka bërë progres në këtë drejtim. Pra nuk na paragjykojnë, por madje na kanë zili si një profesion shumë të veçantë që pak njerëz, shumë pak e zotërojnë në morinë e shumë profesioneve të tjerë.

 Ç’do punë ka problemet e saj, por në punën tuaj çfarë problemesh ka?

Kryesorja është se kohët e fundit ne kaluam në varësi të Ministrisë së Kulturës nga ish -vartësia nga Bashkia dhe për më tepër quhemi Cirku Kombëtar. Ky është një emërtim që na jep më emocion. Rrogat janë shtuar. Problem ka në bazën materiale. Janë shumë të vjetra veglat dhe ne shpeshherë s’mund të bëjmë numra të rinj, për mungesë baze materialesh. Po ashtu kemi mungesë ngrohje në dimër dhe freskie në verë. Por s’kemi dhe disa mekanikë, vetëm një, pasi kemi shumë pak vegla.

Po pse kjo mungesë baze materiale?

E para është se nuk kemi një dyqan cirku, ku ne mund të blejmë vegla. Madje, bazë materiale apo dyqane të tilla nuk ka as në Ballkan, pasi ne jemi cirku i vetëm në Ballkan. Ndërsa bazën  materiale i bie që t’i blejmë shumë larg, në Kinë. Të gjitha këto vegla që kemi janë sjellë nga mjeshtrit tanë që nuk janë më sot këtu dhe ata i kanë sjellë nga Kina. Shumica janë 50- vjeçare, vegla që duken të amortizuara, por që janë mirëmbajtura.

 Nuk mendon se duhet të studiosh për një profesion tjetër?

As nuk e kam menduar ndonjëherë, Duke parë që sot ka me mijëra studentë që mbarojnë me 10 dhe nuk kanë një vend punësimi them që kam profesionin më të mirë. Nuk e imagjinoj veten jashtë cirkut, pasi pjesën më të bukur të jetës po e kaloj këtu, ku kam harxhuar kohë, mund, djersë, rezultate, sakrifica.

 Në cirk dominojnë femrat apo meshkujt?

Nuk mund të them se ka dominime. Madje, them se jemi njëlloj. Edhe prurjet balancohen, pra të jenë afërsisht të barabartë pasi dhe puna kështu e do.

 Është e dashuruar Klaudia?

Ahaaaaaaaaaaa…. Po. Jam e dashuruar, nuk e fsheh.

 E ke xheloz të dashurin?

Mami gjithmonë më ka thënë, duhet të kesh në krah një njeri që të mos jetë xheloz dhe unë gjithmonë i thoja që, unë do ta zgjedh të tillë dhe pikërisht unë këtë bëra, e zgjidha të tillë.

Ke menduar të shkosh në ndonjë cirk jashtë atdheut?

E kanë bërë dy artistë cirku para meje Albana Kukli  ka qenë plastike, mori kërkesë nga një cirk gjerman sot është 36 vjeç, por tani është trajnere. Cirku ka kufizime. Pasi bie  fizikisht dhe nuk të pranon skena, sikundër bie dhe pamja. Manshaqe Mullai edhe kjo një plastike e talentuar (bën thyerje në mes dhe bën ushtrime plastike) iku në Itali dhe sërishmi s’ka asgjë të sigurt. Unë ndihem mirë afër familjes, njerëzve në Tiranën time.

 Femra shqiptare a ndihet e respektuar në tërësinë e saj në shoqëri?

Mendoj se femra duhet të respektohet më shumë. Nuk kemi standardet e vendeve të tjera. Të parët tanë, d.m.th  prindërit tanë shoqërinë e sotme e paragjykojnë. P.sh na thoshin që ne s’kemi dalë natën ju dilni, ne s’pimë cigare, ju pini, ne s’kishim PUB-e, ju keni, etj.. Pra është paragjykimi i ndryshimit të brezave. Por për mua këto janë të tejkaluara në kohë.

 Kush të pëlqejnë nga cirqet e huaja?

Më pëlqen shumë cirku kinez, rus dhe italian. Por ata kanë dhe kushte shumë të mira. Edhe ne n.q.s do stërviteshim në ato kushte mendoj se do ishim po aq të aftë…

 Kë do të veçoje nga artistët e cirkut shqiptar?

 I pari themeluesi i cirkut shqiptar Telat Agolli sot 85 vjeç dhe vjen ende në cirk. Pastaj vjen mami im Fitnete Duro, që ka 40 vjet në cirk dhe i ka dhënë shpirtin këtij cirku. Ajo është mjeshtre e numrave të ajrit që kur isha e vogël dhe  e shikoja në majët të shkallës më ngjethej mishi. Bënte mrekulli. Sot ajo të gjitha numrat e saj mi ka kaluar mua. Me këtë rast dua të them se nuk është vlerësuar. Këtu fajin e ka media.

 Pse media?

Pasi media është e fokusuar tek këngëtaret, të cilat këndojnë “Play back”, pra me imitim. Kam rastisur në shumë koncerte kur shumë këngëtare ngjiten në skenë ashtu si janë dhe fillojnë këndojnë. Madje, pa asnjë kokëçarje fusin CD dhe fillojnë këngën. Madje, paguhen shumë mirë, shumë herë më shumë se ne. Një artiste cirku para se të dali në skenë do një orë të vishet. Do 30 min nxehje lidhim veglat në vendet e duhura dhe çdo gjë e bën live, direkt, pa hile. Jemi të rrezikuara dhe media më shumë vrapon pas këngëtareve ne na kanë lënë në hije. Pra, shiko sa ndryshim kemi.