Rrugët dhe lagjet në gjendje mjerane, ndërsa ti kërkon pasqyrë të krihesh bashki e qytetit tim!

575
Një kontratë koncesionare tronditi opinion e këtij qyteti për efektet e tij financiere në fillesën e javës së parë të vjen qetësia. Zhaurima u tret si retë nën një qiell kristal. U desh fushata e rrëmujshme e qershorit për të zbardhur të vërtetën e cila fillon të veprojë në rast se nuk anulohet, në muajin gusht. Mirëpo fushata mbylli siparin elektoral të zhurmës dhe militantët e lodhur ranë sërish në qetësi. Ishte KLSH që cingrisi plagën e majisur. Ky institucion i fuqishëm, nga të vetmet që punon fort në ruajtje të financave shtetërore, kërkoi anulimin e kontratës koncensionare. Çfarë konstatoi KLSH? Ja përgjigja e këtij institucioni e bërë publike: “Nga vlerësimi i koefiçientit të shfrytëzimit të vendparkimeve, i përcaktuar nga komisioni i dhënies me konçesion për periudhën 10 vjeçare, janë llogaritur të ardhura të pritshme në vlerën 117,142,544 lekë. Ndërsa nga llogaritjet e kryera për shfrytëzimin e 6 ditëve të javës (plus e shtuna), vlera e të ardhurave të pritshme është 1,171,425,440 lekë, pra e llogaritur më pak nga komisioni, në vlerën 218,360,000 lekë. Si rezultat i ndryshimit të kushteve të kontratës, shtesë të objektit të saj për parkimin në ditët e shtuna, për 13 rrugë, për të gjithë periudhën e konçesionit, impakti financiar negativ që i krijohet buxhetit të njësisë vendore është 3,764,880 lekë, ndërsa subjekti privat përfiton me të padrejtë shumën 184,479,120 lekë. Për më tepër, afati i koncesionit u rrit nga 10 në 15 vjet. Nga pikëpamja e menaxhimit me efektivitet të fondeve të qeverisjes vendore, bashkisë së qytetit të Vlorë i mohohen fonde të rëndësishme financiare, nëse kjo kontratë koncesionare zbatohet.

 Po ashtu, bashkia mund ta kryejë këtë shërbim, shumë mirë vetë, ose me ndihmën e ndërmarrjeve të varësisë. Për këto shkelje, KLSH i ka kërkuar kryebashkiakut të Vlorës, fillimin e procedurave ligjore për dhënien e masës disiplinore “Vërejtje me paralajmërim deri në largim nga Shërbimi Civil” të gjashtë punonjësve, konkretisht për tre zv/kryetarë të Bashkisë A.M., I.B. dhe A.B, për Drejtorin e Infrastrukturës G.SH., si dhe për dy specialistë të Bashkisë Vlorë M.M. dhe P.TH. Institucioni i Prefektit të qarkut Vlorë ka shprehur ligjshmërinë e konfirmimit të dy Vendimeve të miratuara nga Këshillit Bashkiak Vlorë për këtë koncesion, përkatësisht vendimi nr. 45, datë 09.10.2014 “Për miratimin e dhënies së koncesionit për administrimin e shërbimit të parkimit me pagesë në rrugë”, konfirmuar nga Prefekti i Qarkut Vlorë dhe Vendimi i Këshillit Bashkiak nr. 57, datë 11.12.2014 “Për miratimin e dhënies së koncesionit për administrimin e shërbimit të parkimit me pagesë në rrugë”, konfirmuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Prefekturës Vlorës. Këto vendime, të cilat kanë lejuar bashkinë që të vijojë me procedurat e dhënies me koncesion, janë në kundërshtim me nenet 27, 37 dhe 38, të ligjit n=. 125/2013 “Për koncesionet dhe Partneritetin Publik­ Privat”, i ndryshuar, të ligjit nr. 8743, datë 22.02.2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, ligjin nr. 8744, datë 22.02.2001 “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike në Njësitë e Qeverisjes Vendore”, pasi në bazë të VKM nr. 639, 29.9.2007 “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, në Bashkinë Vlorë, të Qarkut Vlorë” dhe nuk duhej të konfirmoheshin, pasi rrugët e qytetit i janë transferuar kësaj njësie vendore në përdorim dhe jo në pronësi. Në këto kushte, Bashkia Vlorë, duke mos qenë pronare e kësaj pasurie publike, por vetëm administratore, nuk ka tagrin ligjor për ta dhënë me koncesion. 
Pyetje që lidhen me këtë kontratë 
Përse u kërkua me me ngulm krijimi i këtij aktiviteti koncersionar në prag të mbarimit të mandatit të këshilltarëve të bashkise së Vlorë?
Si është e mundur që në kurriz të qytetarëve këshilltarët e shumë forcave politike bashkëpunuan si të majtë dhe të djathtë dhe votuan këtë kontratë? 
Si shpjegohet që bashkia i la rrugët e këtij qyteti në gjendje skandaloze, ndërsa vendoste kontrata koncesinare për privatët?
– Kush ishte i interesuar për përfitimet në këtë kontratë?
– Përse firmosi prefektura e Vlorës nëpërmjet sekretarit të saj firmosi këtë kontratë të paligjshme?
– Kush bëri presion dhe cili do të përfitonte miliona nga kontrata në kurriz të qytetarëve.
Vlora është qytet historik dhe turistik, por aktualisht është një qytet që ka rrugët e saj ndër më të këqijat në vend, është një ndër qytet, që ka pothuajse të gjitha infrastrukturën rrugore në lagjet e saj të shkatërruara. A thua vallë Vlora, sapo ka dalë nga lufta, a thua vallë ky qytet historik e turistik është një Kandahar i vogël? Kush ta prishi këtë bukuri, ty qytet që të kanë kënduar ndër breza dhe shekuj, këngëtarët popullorë?
Nuk ka lagje, udhë, lulishte, pallat pa vënë dorë, pa prishur e shkatërruar. Punime të nisura e të pabistisura, rrugë të copëtuara ndoshta nga predhat e luftës, të kujt lufte vëlla? Sikur gjithë qentë e republikës ta kishin copëtuara, sikur të gjithë predhat e një bombardimi të lëshoheshin kështu qyteti nuk do të ishte në këtë gjendje të zymtë në një sezon turistik. Çfarë t’u tregojmë miqve, shokëve kosovarë shqiptarëve përtej kufijve, turistëve nga mbarë bota? Na falni, por kështu punojmë ne. Vjet ishte më ndryshe, sivjet beter. Çfarë të bënë qyteti i bukur turistik e historik?
Dhe thuaj ç’të duash kur dua të mollois: pjesë nga folklori: Atje te hani në grykë/te ura në Drashovicë/Qëllon topi i Italisë/ Ka nijet që ta vithisë… Cili top vëlla? Sepse topi i Tajlanit ka 90 vite distancë kohe nga ne, topti i shqiptarit që bënë sikur e ndreq por që në të vërtetë e prish e shkatërron me injorancën e vet dhe pazotësinë e tij. Dhe në të gjithë këtë katrahurë, befasisht këshilli i bashkësie së Vlorës në fillim të vitit 2015 u jep qytetarëve një kontratë koncensionare të jashtëligjshme. Rrugët pa rrugë dhe lagjet në gjendje mjerane, ndërsa t;i kërkon pasqyrë të krihesh bashki e qytetit tim.
Parkim te dera e shtëpisë
Parkimi me pagesë është i parakohshëm. Dhe jo vetëm kaq, por abuzues sepse harta e shtrirjes së tij nuk përfshin vetëm bulevardet kryesore të qytetit, por çdo rrugë të këtij qyteti me një tarifë të frikshme, për një orë aq sa ktë tarifë një qytetar nuk e nxjerrë dot nga puna e përditshme. Çfarë shqipe është kjo vëlla, të punosh vetëm për parkimin me pagesë, ndërkohë që kjo masë duhej vetëm për bulevardin kryesor të qytetit, atë Vlorë- Skelë. Dhe aq keq ishte përfshirë kontrata sa një qytetar që kishte automjetin poshtë banesës duhet të paguante për parkimin e tij. Kësaj po shqip i thonë: shteti të bënë gjëmën me ligjet e këqija, që hartojnë e miratojnë të zgjedhurit e vet popullit në këshillin bashkiak. 
Kontrata e paanulluar
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar anulimin e kontratës për parkimet me pagesë në Vlorë. Deputetë dhe të tjerë janë ndër zërat që kanë kërkuar anulimin e një kontrate të këtillëe cila i fillonte procedurat e saj në muajin gusht 2015. Ende kontrata nuk është anuluar. Këshilli i bashkisë së qytetit është mbledhur në konstituimin e tij. Të gjitha fjalët të shpien te fjala: “Flasim të gjithë, asnjë nuk dëgjon”.
Sigal