Vdekja e mistershme e Andon Mëhillajt në burg, çfarë thotë rezultati paraprak

493
Sigal

Rezultatet paraprake të ekspertizës për vdekjen e Andon Mëhillajt tregojnë se nuk bëhet fjalë për vrasje apo vetëvrasje.

Në raportin paraprak të siguruar nga BalkanWeb thuhet “vdekje e menjëhershme për shkaqe ende të pasqaruara! Do pritet rezultati përfundimtar i autopsisë pas 29 ditësh”.

Avokati i tij deklaroi ditën e djeshme se kishte tentuar dy herë vetëvrasjen në burg, njëherë me dozë të tepërt të ilaçeve që merrte për depresion dhe një herë tjetër duke prerë damarët.

Andon Mëhillaj u bë i njohur në vitin 2014 pas arrestimit të vrasësit famëkeq Julian Sinanaj.

Sipas dëshmisë së këtij të fundit, Andon Mëhillaj sëbashku me kushëririn e tij Genis Mëhillaj i gjenin atij klientë të cilët porosisnin vrasjet.

Andon Mëhillaj u dënua më burgim të përjetshëm për 5 ngjarje të cilat përfshijnë vrasje dhe vënie bombash të telekomanduara.

Julian Sinanaj ka rrëfyer për grupin hetimor se ka ndërtuar bombën, e cila më pas u vendos në makinën e prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi. Ka vrarë biznesmenin Agron Çela në Vlorë, peshkatarin Sokol Veizaj në Orikum, ka vendosur tritolin në shtëpinë e Ardian Kollozit deputet i PD si dhe do të vriste biznesmenin e gazit Piro Bare, ku në të gjitha këto raste ndërmjetësit kanë qenë kushurinjtë Mëhillaj sipas tij. Për bashkëpunimin me drejtësinë Sinanaj i shpëtoi burgimit të përjetshëm dhe u dënua vetëm me 30 vite burg.

Andon Mëhillaj pas shpalljes në kërkim vendosi të dorëzohej në prokurori dhe jo në polici pas negociatave ku kërkoi si fillim të nxirrte familjen jashtë vendit. Ai pranoi se i rrezikohej jeta. Gjatë transportit të tij nga Vlora në Tiranë, Mëhillaj ishte i veshur me një jelek anti-plumb. Gjatë marrjes në pyetje ai pranoi të ishte i përfshirë vetëm në një vrasje, atë të Sokol Veizajt, por dhe në atë rast si sekser dhe jo si porositës.