Rreziku nga zjarri i kopshtit të fëmijëve,indiferenca e Drejtorisë së Zjarrfikëseve dhe shpresa tek Kryeministri Edi Rama

507
Sigal

Batakçinjtë e zjarrfikëseve të Tiranës janë turrur, ku të mundin për të kapur ç’të mundin, por për atë që është e rëndësishme dhe që përbënë rrezik jete as që u shkon ndër mend. Katastrofa që mund të ndodh në rast zjarri dhe heshtje e turpshme e inspektorëve dhe drejtuesve të drejtorisë së Zjarrfikëseve Tiranë është fakti më i gjallë dhe shumë herë më i rëndë se sa Fullanëria që kërkojnë të zbatojnë nëpunësit e kësaj drejtorie. Drejtoria e Zjarrfikëseve të Tiranës ka në gjirin e vetë persona pa arsim dhe mediokrit dhe militantët e pagdhendur. Qëllimi i tyre është të zhyten sa më shumë në llucën dhe pisllëkun e përfitimeve personale, duke harruar misionin e tyre human. Kjo llucë është aq e menderosur saqë nuk ka pompë dhe presion që t’i vetëlajë. Kemi dërguar me dhjetëra kërkesa, thonë drejtuesit e kopshtit nr. 19, por asnjë përgjigje dhe indiferencë totale. Ndaj kërkesa jonë i adresohet Kryeministrit Edi Rama si shpresa e vetme e zgjidhjes dhe evitimit të fatkeqësive tek fëmijët e kopshtit. Qendra e kujdesit të konsumatorëve ka çuar të tjera kërkesa për kontrollet në linjat e autobusëve të bashkisë,  shkolla dhe ambiente publike tek, të cilat mungojnë fikset, por heshtje dhe gjumë prej ariu. Në numrat në vijim “Telegraf” do ju bëjmë me dije edhe pazaret e fëlliqura të inspektorëve të Drejtorisë së Zjarrfikëseve Tiranë. Ja prononcimi i Violeta Kola, Drejtore e Kopshtit Nr.19 Tiranë e zhvilluar dje në ditën e parë të hapjes së dyerve të këtij institucioni.

 Ju si institucion i një rëndësie të veçantë, pasi keni 180 fëmijë në ngarkim, a keni zjarrfikëse (mbrojtëse kundër zjarrit) në ambientin tuaj?

Ne kemi 3 mbrojtëse kundra zjarrit në kat të parë. Zakonisht aty i mbajmë. Por, ne kemi një problem të madh. Problem, i cili vijon dhe sot e kësaj dite, me gjithë kërkesat tona dhe të drejtueses para meje për zgjidhjen e tij. Në kopshtin tonë nuk hyn dot makina e zjarrfikëses. Ky është një problem goxha i madh. Mendoni, çfarë tragjedie do të jetë, nëse ndonjë ditë bie zjarr. Si mundet ne të shpëtojmë 180 fëmijë? As nuk dua ta mendoj…

 Kujt i jeni drejtuar për zgjidhjen e këtij problemi kaq shqetësues?

Me gjithë kërkesat e vazhdueshme pranë pushtetit vendor për zgjidhjen e këtij problemi, ende s’kemi marrë asnjë përgjigje deri tani. Dhe kjo mund të zgjidhet fare thjesht… Mjafton të lirohet ambienti, i zënë nga një banor i pallatit nga prapa kopshtit. Hyrja e kopshtit më parë ka qenë nga prapa, ku edhe makinat hynin lirisht. Ka dalë një banor i pallatit që e ka zënë dhe tani është mbyllur si derë. Çdo gjë tani funksionon ndryshe. Edhe ushqimet dalim e i marrim te fundi i rrugicës, sepse e ka të vështirë dhe fugoni të hyjë deri këtu te dera e kopshtit. E gjithë kjo situatë përbën një shqetësim të madh për mua si drejtuese, por dhe për të gjithë stafin këtu, që jemi përgjegjës për 180 fëmijë. Në rast zjarri, paçka se i kemi bombolat e emergjencës, zjarrfikësja nuk hyn dot. Tani me këtë fluksin e prishjeve të ndërtimeve pa leje, ishalla po hapet rruga për të hyrë zjarrfikësja. Mendoftë Zoti për të gjithë ne!