Rregullorja e re e trajtimit të dëmeve në sigurimin e detyrueshëm, rriten vlerat e dëmshpërblimit dhe saktësohen procedurat e trajtimit dhe llogaritjes

247
Sigal

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka hartuar dhe ka nxjerrë për konsultim publik projektrregulloren “Për përcaktimin e rregullave dhe metodologjisë së llogaritjes së dëmshpërblimit që mbulohen nga kontrata e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”.

Rregullorja e re ka si objektiv përcaktimin e rregullave, procedurave dhe metodologjisë së trajtimit të kërkesave për dëmshpërblim.

Në rregullore janë reflektuar gjithashtu disa nga ndryshimet kryesore të Ligjit të ri “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, që kanë të bëjnë me rritjen e limiteve të përgjegjësisë për pagesën e dëmeve, si edhe mundësinë e të siguruarit për t’iu drejtuar direkt shoqërisë së tij të sigurimit, në rastet kur pëson aksident nga një mjet i pasiguruar, ose i paidentifikuar.

Bazuar në Ligjin nr. 32/2021 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, rregullorja përcakton mënyrën e përllogaritjes së dëmshpërblimit.

Kështu, në rastin e dëmeve me pasojë humbje jete, dëmi pasuror përllogaritet si produkt i të ardhurave vjetore neto me koeficientin e shumës së kapitalizuar dhe moshës së daljes në pension, ndërsa në rastin e paaftësisë së përhershme përllogaritjes i shtohet dhe koeficienti i humbjes së aftësisë për punë.

Risitë kryesore të rregullores janë:

– Ka ndryshuar kategorizimi i personave të dëmtuar, për efekt të llogaritjes së koeficientit të moshës së daljes në pension, duke rritur vlerën e dëmit pasuror;

– Është rritur masa e dëmshpërblimit për dëmin pasuror ndaj të miturit;

– Është rritur masa e mbulimit të shpenzimeve funerale;

– Është rritur masa e dëmshpërblimit për dëmin jopasuror në rastet e paaftësisë së përhershme, i cili përfshin dëmin biologjik, moral dhe ekzistencial;

– Është përmirësuar dhe zgjeruar metodologjia e përllogaritjes së dëmit jopasuror ku përfshihet dëmi biologjik, i ndarë sipas grupmoshave dhe shkallës së paaftësisë. Gjithashtu edhe dëmi moral dhe ekzistencial përllogaritet në funksion të shkallës së paaftësisë për punë;

– Llogaritja e dëmit jopasuror është parashikuar e ndarë për çdo figurë dëmi si dhe e drejta për ta përfituar është individuale dhe nuk varet nga kërkesat e të dëmtuarve/përfituesve të tjerë për dëme nga kjo ngjarje. Në këtë mënyrë rregullorja synon t’i individualizojë përfitimet për secilin të dëmtuar dhe familjarët e tij.

– Janë saktësuar afatet e trajtimit të kërkesës për dëmshpërblim, si edhe është qartësuar procedura për kërkesën e shoqërisë së sigurimit për plotësim dokumentacioni;

– Është parashikuar procedura për rastet e dëmeve që trajtohen me Raportin Evropian të Aksidenteve.