Rehabilitim me aktivitete dhe punësim

1053
Xhoi Jakaj
Drejtore e burgut të grave
Po çfarë ndodh në të vërtetë me femrat në ditët e sotme në shoqërinë tonë?
Femra, e cila përfundon në prangat e ligjit të ftohtë mbart me vete edhe pendimin e saj. Sfida më e madhe e punonjësve të këtij Institucioni është t’i bëjë këto femra të pranueshme lehtësisht në shoqëri pas lirimit të tyre, t’i trajtojë nëpërmjet programeve të ndryshme në mënyrë që rehabilitimi i tyre të jetë i suksesshëm.
Kur të gjithë jemi bashkë në rehabilitimin e shtresës vulnerabël ka të ngjarë që ka më pak dramë shoqëria. Në ditët e sotme të flasësh për të drejtat e femrës është bërë një mënyrë e përditshme jetese, saqë shpeshherë, duket sikur kemi fituar aq shumë imunitet ndaj këtyre teorive dhe nuk po risjellim asgjë të re në këtë aspekt, për të mbrojtur këtë femër. Mediet tona me lajmet e bujshme të kronikave të zeza duke pasqyruar një realitet të dhimbshëm në ditët e sotme, në njëfarë mënyrë kanë “zaptuar territore”, duke e bërë fenomenin femëror një ndër temat më bashkëkohore në trojet shqiptare dhe në përmasa botërore. Po çfarë ndodh në të vërtetë me femrat në ditët e sotme në shoqërinë tonë? E tjetërsuar prej shekujsh, shoqëria ende mbetet konservatore ndaj fenomenit “femër” ndaj fenomenit e të qenit “grua”. A mundet të flasim për një barazi të saj me atë të meshkujve në të drejtat që kanë? Jetojmë në shekullin e 21-të, shekulli ku femrat janë viktima të diskriminimit në mbarë botën. Dihet se, në vendin tonë Kanuni vazhdon të ndikojë në mentalitetin social të popullit shqiptar e për hir të së vërtetës së madhe ky Kanun është një pretekst për nënshtrim, sepse askush nuk e respekton e as nuk e zbaton atë. Është kthyer në një justifikim për momentin e ndodhjes së krimeve, në çdo rast kur në mes është një femër, një alibi false për të shpëtuar veten në një veprim çnjerëzor. Psikika e femrës në vendin tonë është e shtypur nga mashkulli i cili e “gënjeu”, e bëri skllave të tij, e shndërroi në qytetare të dorës së dytë. Edhe pse duket sikur jemi në rrugë të mbarë për sa i përket fitimit të të drejtave, rritjes së rolit dhe integrimit në jetën sociale, politike e ekonomike të grave e vajzave, për fatin tonë të mjerueshëm, ende vazhdon një persistencë e dhunimit fizik, psikik ndaj saj, keqtrajtimet e ndryshme, deri në përdhunime makabre, mbytje, vrasje: vrasje nga ato më të çuditshmet horror për vendin tonë. Në kushte të tilla, shumë femra shtyhen drejt kryerjes së krimeve të ndryshme, drejt atyre veprimeve që pothuajse asnjëra prej tyre nuk do t’ia kishte uruar kurrë dikujt tjetër t’i ndodhte… Vendi ynë, fatkeqësisht ka një numër të konsiderueshëm vajzash e grash, që nisur nga rrethana të ndryshme bëhen pjesë e kriminalitetit – e një pjesë e tyre përfundojnë pas dyerve të hekurta të burgut. Shqipëria ka vetëm një Institucion të tillë për gratë, atë të “Ali Demit” – burgut të grave siç e njeh masa. Të jetosh me kufizim të hapësirës, ku fjala jote nuk dëgjohet, ku gabimi dhe faji rëndojnë mbi shpirtin e një femre është një vdekje për së gjalli për shumë nga gratë e vajzat që vuajnë burgosjen në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale “Ali Demi”. Femra, e cila përfundon në prangat e ligjit të ftohtë mbart me vete edhe pendimin e saj dhe sfida më e madhe e punonjësve të këtij Institucioni është t’i bëjë këto femra të pranueshme lehtësisht në shoqëri pas lirimit të tyre, t’i trajtojë nëpërmjet programeve të ndryshme në mënyrë që rehabilitimi i tyre të jetë i suksesshëm. Një faktor i rëndësishëm në trajtimin dhe rehabilitimin e tyre mbetet gjithmonë bashkëpunimi me publikun: institucione ndërkombëtare e kombëtare por edhe me shoqërinë civile. Gjatë kësaj jave në Tiranë po mbahet Edicioni i 12-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut. Festivali ka në qendër të drejtat e njeriut dhe trajton aspekte të ndryshme të tyre nëpërmjet kinematografisë. Ky projekt organizohet nga Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi”, e kryesuar nga Z. Kujtim Çashku, dhe mbështetet plotësisht nga trupi diplomatik në Shqipëri, Institucionet e Kulturës dhe Bashkia e Tiranës. I planifikuar për t’u shfaqur këtë vit, ishte edhe filmi “Home” i regjisores More Raça – një film në një qendër dënimi. Duke konsideruar target grupin e të dënuarve në I.E.V.P. “Ali Demi” si vulnerabël ndaj fenomenit të radikalizimit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim me prezencën e OSBE-së në Shqipëri mundësuan shoqërimin e 19 grave e vajzave të privuara nga liria, në dyert mikpritëse të Akademisë “Marubi”, të ishin pjesë e festivalit dhe e forumit që e shoqëroi shfaqjen e filmit. Diskutimet gjatë forumit theksuan edhe njëherë se për të përmirësuar pozitat e grave, shoqëria shqiptare duhet të veprojë. Komuniteti ndërkombëtar duhet të punojë për të rritur ndërgjegjësimin e grave dhe të drejtat që ato gëzojnë, sidomos kur kemi një shoqëri maskiliste dhe ku të drejtat e grave shtypen. Kryetari i Prezencës së OSBE në Shqipëri z. Bernd Borchardt dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve z. Arben Çuko, të pranishëm në këtë aktivitet theksuan se rehabilitimi dhe ri-integrimi i grave të privuara nga liria është thelbi i programeve që po zhvillohen së fundmi. Pjesëmarrja e këtyre grave dhe vajzave të privuara nga liria në këtë aktivitet pati impakt shumë pozitiv tek të dënuarat duke iu treguar edhe një herë që nuk janë të harruara apo të përjashtuara nga shoqëria e cila gjykon veprën por nuk harron qenien njerëzore duke i bërë të ndihen ndryshe si dhe për të reflektuar mbi situatat e tyre në të kaluarën, eksperiencë të cilën e ndanë pozitivisht edhe me të dënuarat e tjera rreth ndjenjave, mendimeve e përshtypjeve. Kjo ishte vetëm një copëz e vogël e lirisë që ju fal disa grave, e rëndësishme është që shoqëria jonë, në mënyrë permanente të heqë dorë nga maskilizmat, shtypjet e paragjykimet mbi gratë dhe t’i trajtojë ato me dinjitetit që meritojnë. Të drejtat e grave nuk janë diçka që duhet t’ju falen atyre, ato janë të drejta të lindura me to dhe të gjithë duhet të sigurojnë se kushdo merr atë që i përket. 
Sigal