Reforma e re fiskale mbush thasët e Shtetit dhe gris xhepat e qytetarëve

129
Sigal

Ja si do tatohen 80 mijë individ, të vetpunsuar dhe 50 mijë biznese të vogla, që janë burim page për 300 mijë qytetarë. Vetëm 5.4 % e të punësuarve marrin më shumë se 120 mijë lekë në muaj, ndërkohë që nga vendi emigrojnë çdo vit 42 mijë persona. Administrata e tejfryrë dhe me paga europiane, bujqësia si në kohën e mesjetës

 

5.4% e të punësuarve në vend marrin më shumë se 120 mijë lekë në muaj, sipas statistikave të INSTAT për vitin 2021. Gjatë vitit të shkuar, 32,7% e kontribuesve në kategorinë e të punësuarve me pagë marrin një pagë mesatare mujore bruto deri në nivelin e pagës minimale zyrtare. Më të paguarit rezultojnë menaxherët, ligjvënësit e nëpunësit e lartë të administratës shtetërore, ndërsa më të keqpaguarit mbeten të punësuarit në sektorin e bujqësisë.

Në vitin 2021, paga mesatare bruto për një të punësuar me pagë në Shqipëri është 57.191 lekë. Krahasuar me vitin 2020, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar në Shqipëri u rrit me 6,6%. Paga mesatare mujore bruto është mbi nivelin mesatar për aktivitetet ekonomike si: Aktivitetet Financiare dhe të sigurimit, Informacioni dhe komunikacioni, Administrata publike dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale.

Ndërsa aktivitetet ekonomike me pagë poshtë nivelit mesatar janë: Tregtia me shumicë dhe me pakicë; riparimi i automjeteve dhe motoçikletave; transporti dhe magazinimi; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor; dhe Bujqësia, Silvikultura dhe Peshkimi. Hendeku gjinor në paga është 4,5%.

Hendeku gjinor në paga është më i theksuar mes punonjësve, që janë të punësuar në ndërmarrjet, që i përkasin grup-aktivitetit ekonomik “Industria nxjerrëse; përpunuese; energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar; furnizimi me ujë; aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, rehabilitimit”, ku arrin vlerën 29,4%. Për vitin 2021, paga minimale zyrtare është 30.000 lekë.

Më të paguarit

Në vitin 2021, grup-profesionet më të paguara janë: Manaxherët, Ligjvënësit, nëpunësit e lartë të administratës shtetërore dhe drejtorët ekzekutivë; Specialistët me arsim të lartë (profesionistë); dhe Teknikët dhe specialistët në zbatim. Ndërsa grup-profesionet me pagë nën nivelin mesatar janë: Punonjës të kualifikuar të bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit; punëtorët e profesioneve elementare; dhe zejtarët, artizanët dhe profesione të lidhura me to.

Bazuar në vlerësimet e Anketës së Forcave të Punës, gjatë vitit 2021, numri i personave në forcën e punës është rreth 1.411.308 persona. Femrat përbëjnë 44,6 % të forcës së punës dhe meshkujt 55,4%. Të punësuar janë 1.248.749 persona, ku femrat përbëjnë 44,5% të të punësuarve dhe meshkujt 55,5 %.

Numri i të papunëve vlerësohet të jetë 162.560 persona, ndër të cilët 45,5% janë femra dhe 54,5% janë meshkuj. Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15-64 vjeç është 69,3%. Për meshkujt e moshës 15-64 vjeç shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 15,9 pikë përqindje më e lartë sesa për femrat. Shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 60,9%.

Shkalla e punësimit për femrat është 53,8% dhe për meshkujt 68,2%. Hendeku gjinor në punësim për këtë grup-moshë është 14,4 pikë përqindje në favor të meshkujve.

Sektori i shërbimeve dhe sektori bujqësor kanë përqindjen më të lartë të të punësuarve me përkatësisht 44,3% dhe 33,8% të të punësuarve gjithsej. Në vitin 2021, rezulton se 47,9% e të punësuarve janë të punësuar me pagë, 32,0% janë të vetëpunësuar (punëdhënës ose të vetëpunësuar pa të punësuar të tjerë) dhe 20,1% janë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes.

Shkalla zyrtare e papunësisë në vitin 2021, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 11,5% dhe shënon një ulje me 0,2 pikë përqindje krahasuar me vitin 2020. Për meshkujt, shkalla e papunësisë është 0,5 pikë përqindje më e ulët sesa për femrat. Shkalla e papunësisë për të rinjtë e moshës 15-24 vjeç është 27,1% (25,5% për meshkujt dhe 29,2% për femrat). Krahasuar me vitin pararendës, shkalla e papunësisë së të rinjve është rritur me 0,6 pikë përqindje.

Në vitin 2021, të rinjtë e moshës 15-29 vjeç, të cilët nuk janë të punësuar dhe nuk janë duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional përbëjnë 26,1 % të të rinjve gjithsej. Në grupin e të rinjve që nuk janë të punësuar dhe nuk janë as duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional, 37,3 % klasifikohen si të papunë. Pjesa tjetër, janë jashtë tregut të punës për arsye se janë ose të dekurajuar (15,4 %), ose duke përmbushur detyra dhe përgjegjësi familjare (17,5 %), ose për arsye të tjera (29,8 %).

Qarqet

Një analizë mbi baza rajonale, tregon që në vitin 2021, qarqet me shkallë punësimi më të lartë janë: Gjirokastra (65,6 %) dhe Elbasani (62,2 %). Ndërsa qarqet me shkallë punësimi më të ulët janë qarku i Lezhës (36,6 %) dhe i Dibrës (42,7 %).

Qarqet me shkallë papunësie më të lartë janë qarku i Lezhës (22,6 %) dhe i Vlorës (19,5 %), ndërsa qarqet me papunësi më të ulët janë Kukësi (4,0 %) dhe Gjirokastra (4,7%). Në vitin 2021, Tirana është qarku me numrin më të lartë të të punësuarve në sektorin e shërbimeve (68,7 %), Durrësi është qarku me numrin më të madh të punonjësve të angazhuar në sektorin e industrisë (39,4 %), ndërsa qarku me numrin më të lartë të të punësuarve në sektorin e bujqësisë është Kukësi (69,6 %)

Qeveria Rama rëndon taksat për 50 mijë biznese të vogëla dhe 80 mijë qytetarë

 Është siguruar ekskluzivisht projektligji i ri të tatimit mbi të ardhurat, i cili vendos një mënyrë të re taksimi për individët, profesionet e lira dhe bizneset.

Bizneset e vogla me xhiro deri në 10 milionë lekë në vit do t’u taksohen të paktën 10% e të ardhurave të tyre. Përjashtim nga kjo taksë do të bëjnë vetëm ata që janë të vetëpunësuar dhe nxjerrin një pagë minimale prej 40 mijë lekë të rinj në muaj. Në bazë të fushës ku do të operojnë bizneset e vogla, qeveria do të tatojë 40% të të ardhurave për veprimtaritë prodhuese, 20% të tregtisë me shumicë, 30% të asaj me pakicë dhe transportit individual, 40% për baret dhe restorantet, 50% artizanët dhe 65% të të ardhurave për veprimtaritë e pavarura apo profesionet e lira.

Kush do të marrë deri në 2.4 milionë të ardhura në vit, do të tatohet 13%, 23% .Ata që do të realizojnë 2 milionë e 401 mijë lekë deri në 24 milionë lekë në vit dhe 28% personat mbi 24 milionë lekë në vit.

Nëse një artizan realizon 60 mijë dollarë xhiro në vit, ai do të paguajë 23% taksë për 30 mijë dollarët, që nuk konsiderohen shpenzim, ose 6900 dollarë në vit.

Dy shkallët tatimore të vetme që nuk do të ndryshojnë janë dividenti që tatohet 8% dhe korporatat e mëdha 15% sipas euronews.

Janë afro 50 mijë biznese që realizojnë xhiro vjetore deri në 10 milionë lekë në vit, ndërsa si profesione të lira numërohen 80 mijë individë.

Qeveria përjashtoi në janar të vitit të shkuar biznesin e vogël me xhiro deri në 14 milionë lekë në vit nga tatimi mbi fitimin dhe ata me të ardhura deri në 10 milionë nga TVSH-ja.