Raporti për 2022
Situata me lirinë e medias në Shqipëri është kritike! Pse heshtin Çuçi, Rama dhe Rrumbullaku për dhunën ndaj gazetarëve?
Situata me lirinë e shtypit në Shqipëri për vitin 2022 paraqitet tejet problematike. Harta e Lirisë së Medias tregon se gazetarët janë përballur me dhunë fizike e verbale. Raporti i monitorimit sheh me shqetësim praktikën e përdorur nga kryeministri Rama për ‘riedukimin’ e gazetarëve, ndërsa nënvizon se rastet e dhunës së policisë ndaj gazetarëve janë të shumta, ndaj pluralizmi mediatik mbetet sfidues në Shqipëri.
Kryeministri Edi Rama, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dhe kryepolici Muhamet Rrumbullaku kanë heshtur lidhur me dhunën ndaj gazetarëve të emisionit “Fiks Fare”, teksa goditjet, kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve po bëhen thuajse te përditshme. Rasti i fundit ishte edhe më i rëndë, ku kolegët e Fiks Fare u kërcënuan me armë dhe madje u mbajtën peng teksa ishin duke bërë punën e tyre. Sërish heshtje nga qeveria. Me këto ritme, Blendi Çuçi do të mbahet mend si ministri i Brendshëm i një vëndi ku janë sulmuar dhe kërcënuar më shumë gazetarë edhe se në zonat e konflikteve të armatosura. Ndërsa shefi i tij, si kryeministri që ka ndërtuar një vend ku gazetarët mund të merren peng dhe të kërcënohen në mes të ditës. Askush nga këta nuk thotë një fjalë të dënojë sulmet ndaj gazetarëve, jo më të ndërtojnë një vend ku gazetarët nuk sulmohen. Lere pastaj drejtori i Policisë. Klodian Tomorri në reagimin e tij shton shton se tani kanë filluar të heshtin dhe ambasadat. Ambasadat, ato që reagojnë dhe na japin direktiva për çdo gjë; si të luftojmë korrupsionin, si të zgjedhim zyrtarët, etj etj, nuk po thonë më asnjë fjalë për gazetarët, që kërcënohen. Dikur ishte ndryshe. Heshtni, heshtni se mirë e bëni. Por kjo është një luftë që i dihet fundi.
1--Harta e Lirisë së Medias për vitin 2022
Harta e Lirisë së Medias për vitin 2022 e sheh kritike situatën me lirinë e shtypit në vendin tonë, ndërsa evidenton se kërcënimet më të rënda vijnë nga dhuna fizike dhe sulmet verbale ndaj gazetarëve. Raporti i Monitorimit nënvizon tepër shqetësuese retorikën e Kryeministrit Rama ndaj gazetarëve dhe praktikën e ndjekur prej tij për të dërguar në ‘riedukim’ gazetarët që bënin pyetje kritike, duke sjellë rastet e gazetares së SYRI TV Ambrozia Meta dhe gazetarit të A2CNN Klevin Muka. Në Shqipëri gazetarët përballen me kufizime për marrjen e informacionit nga burime qeveritare, dhe atyre që konsiderohen si përfaqësues të mediave ‘opozitare’ iu mohohet akreditimi,- shkruhet në raport. Edhe gazetarët që mbuluan procesin e Vettingut të Elizabeta Imerajt, vlerësohet se u përballën me kërcënime. Veçanërisht shqetësues është numri i incidenteve të dhunës së policisë ndaj gazetarëve, që zë peshë 41% nga rastet e regjistruara në Hartë. Raporti nxjerr në dukje edhe faktin se media të ndryshme online në Shqipëri u bënë viktima të sulmeve kibernetike në janar, ndërsa midis korrikut dhe shtatorit, serverët shtetërorë shqiptarë u vunë në shënjestër të sulmeve të shumta kibernetike, por Prokuroria e Tiranës ndaloi mediat të publikojnë informacione nga dosjet e hakuara. Raporti arrin në konkluzionin se mjedisi për gazetari të pavarur apo pluralizëm mediatik mbetet sfidues në Shqipëri, dhe se ndryshimet e propozuara në ligjin për Lirinë e Informacionit në tetor u kritikuan nga organizatat ndërkombëtare për lirinë e medias.
2- Filmuan gërryerjet e paligjshme në lumin Zezë, qëllohet me armë dhe merren peng gazetarët e “Fiks Fare”
Emisioni Fiks Fare solli sonte një ngjarje të rëndë, që i ka ndodhur grupit të xhirimit të këtij emisioni gjatë filmimeve për gërryerjet e paligjshme në lumin Zezë në Nikël të Krujës. Pasi është faktuar gërryerja e paligjshme e lumit dhe marrja e materialeve inerte, gazetarët si fillim janë përballur me persona me armë, të cilët qëllonin drejt dronit. Pamje të tre personave të armatosur u transmetuan në emisionin investigativ Fiks Fare. Ata duke drejtuar armët qëndronin vetëm pak metra larg grupit të xhirimit, të pozicionuar në një vend që mezi dalloheshin. Por jo vetëm aq, ndërkohë që gazetarët xhironin kamionët me inerte që dilnin nga lumi dhe prisnin ardhjen e policisë pas telefonatës që kishin bërë me Shefin e Komisariatit të Policisë Krujë, drejt gazetarëve shkuan dy personat e parë të cilët urdhëruan gazetarët të ikin nga aty, sepse lumi është i tyre. Është në pronë të tyre.Pas tyre drejt gazetarëve vjen një person i maskuar, i cili tenton të marrë kamerën me xhirimet e bëra. Godet pjesëtar të grupit të xhirimit dhe i kërcënon ata me jetë. Kjo skenë ka zgjatur më shumë se 30 minuta, derisa në fund gazetarët arrijnë të largohen nga vendngjarja.
Dhe vetëm pasi janë larguar nga zona, kanë hasur patrullën e policisë, e cila është takuar me grupin e xhirimit 50 minuta nga telefonata, shumë larg vendit të ngjarjes. Me një kërkesë të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës pas largimit nga vendi i ngjarjes, janë vënë në dispozicion të gjitha materialet bruto të xhiruara në terren.




















