Rama hap tender për të vënë taksë në rrugën Tiranë-Elbasan

470
Sigal

Pavarësisht faktit që rruga Tiranë-Elbasan ka mbetur e papërfunduar, qeveria ka vendosur që të hapë një tender për kompaninë që do të vjelë taksën ndaj qytetarëve, të cilët do të kalojnë aty.

Mësohet se Autoriteti Rrugor Shqiptar po kërkon një kompani private për mirëmbajtjen e tunelit të Kërrabës. Falë një tenderi të hapur dje, me fond limit 195 milionë lekë, për tunelin që lidh në rrugën më të shkurtër kryeqytetin me Elbasanin, për dy vitet në vijim kompanisë i lihet si detyrë të menaxhojë dhe të mirëmbajë pajisjet e tunelit, ndërsa tenderi ngjall dyshime për një tarifim të mundshëm të mjeteve që kalojnë në të.

Edhe pse në dokumentet standarde të tenderit, nuk përshkruhet ekzaktësisht pse do të gjenerohen kaq shumë pará për kompaninë, e cila praktikisht nuk do të kryejë asnjë lloj investimi të dukshëm, kontrata është e kufizuar në periudhë 2-vjeçare. Ndërkohë, i paqartë mbetet edhe fakti se si do të kryhet mirëmbajtja për dy krahët e tjerë të rrugës, njëri prej të cilëve, aksin nga rrethrrotullimi i TEG-ut deri te hyrja e tunelit nuk ka përfunduar dhe qeveria në premtimin e stërzgjatur ka deklaruar se ai do të mbyllet përfundimisht në muajin maj të këtij viti. Që prej fillimit të kohës së shfrytëzimit, Tuneli i Kërrabës ka funksionuar vetëm me një korsí lëvizjeje, duke detyruar kështu drejtuesit e mjeteve që të ulin shpejtësinë e lëvizjes. Ai ka 2 tuba me gjatësi 2580.3 metra në anën e djathtë dhe 2320.6 metra në të majtën, raporton Shekulli

Ndërsa, ish-ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, i cili pak muaj para se të shkarkohej nga ky post, deklaroi se rruga Tiranë-Elbasan do të bëhet me pagesë edhe pse nga paratë e taksapaguesve shqiptarë janë hedhur mbi 400 milionë euro, që nga viti 2011 dhe ajo ende nuk po përfundon.