Presidenti Bajram Begaj priti sot Presidentin e Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier

106
Sigal

Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Bajram Begaj priti sot Presidentin e Republikës Federale të Gjermanisë, Sh.T.Z Frank-Walter Steinmeier, në vizitën e parë në 27 vjet të një Presidenti gjerman në vendin tonë.

Presidenti Steinmeier u prit me nderime ushtarake paraditen e sotme, ndërsa të dy krerët e shteteve zhvilluan një takim kokë më kokë.

Në takimin mes dy delegacioneve, bisedimet u përqëndruan te procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian si dhe mundësia për rritjen e bashkëpunimit dypalësh sidomos në fushën e ekonomisë, energjisë si dhe shtimin e prezencës së investimeve gjermane në Shqipëri.

Në vijim fjala e Presidentit të Republikës Sh.T.Z. Bajram Begaj gjatë vizitës së Presidentit të Republikës Federale të Gjermanisë, Sh.T.Z Frank-Walter Steinmeier

Përshëndetje të gjithëve,

I nderuar President Steinmeier – Mirëserdhët në Tiranë, ju dhe delegacioni që kryesoni!

Jemi të nderuar nga kjo vizitë dhe mbështetja e vendit tuaj.

Për shqiptarët Republika Federale e Gjermanisë është vendi mik dhe partneri i pazëvendësueshëm, që na ka mbështetur në të gjitha nivelet: politik, diplomatik, ekonomik, në rrugëtimin euro-atlantik, demokratizimin e vendit dhe stabilitetin e rajonit.

Vizita juaj dhe një varg vizitash të nivelit të lartë janë tregues të bashkëpunimit të shkëlqyer politik dhe vëmendjes gjermane ndaj vendit tonë.

Falënderime të sinqerta, zoti President, edhe për kontributin tuaj personal në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe popujve tanë.

Bashkëpunimi jonë është i gjerë dhe i gjithanshëm, – në nivel dypalësh, në kuadër të BE-së, NATO-s dhe organizma të tjerë.

Mbështetja e Bundestagut dhe Qeverisë Gjermane për reformat e integrimit evropian, reformën në drejtësi, në policinë e shtetit, reforma në sektorë të rëndësishëm, si energjia, ka qenë e pandërprerë dhe gjithmonë e mirëpritur.

Janë rreth 200 marrëveshje bashkëpunimi, të nënshkruara dhe në proces, që flasin më mirë se asgjë tjetër për bashkëpunimin e ngushtë, në 30 vitet e fundit.

E falënderoj Presidentin Steinmeier për rolin vendimtar që luajti Gjermania për mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare dhe hapjen e negociatave për anëtarësim me BE-në, në korrik të këtij viti.

Bisedimet për anëtarësim janë një proces kërkues në shumë aspekte.

E vlerësojmë të domosdoshme mbështetjen teknike, që po ofron pala gjermane për administratën dhe ekipet negociatore për një sërë kapitujsh të rëndësishëm.

Sektori ekonomik është shumë i rëndësishëm për ne.

Angazhimi i qeverisë gjermane, përmes KfW dhe GIZ, nëpërmjet suportit financiar dhe teknik, në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, si: energjia, ujësjellës-kanalizime, mjedisi, klima, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, menaxhimi i burimeve ujore, arsimimi, ka qenë thelbësor për krijimin e vendeve të reja të punës, përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, mbështetjen e kategorive në nevojë dhe me impakt të drejtpërdrejtë, të ndjeshëm në ekonomi.

Mbështetja në sektorin e energjisë, për ndërtimin e disa linjave të interkonjeksionit, si ajo me Kosovën apo Maqedoninë e Veriut,  ka fuqizuar këtë sektor strategjik, duke mundësuar krijimin e një tregu të integruar.

Gjermania është ndër investitorët më të mëdhenj të huaj, me 338 kompani gjermane që operojnë në vendin tonë.

Kjo na angazhon ne që të punojmë më shumë për përmirësimin e klimës së biznesit, sepse ne duam të shohim prezencë më të shtuar të biznesit gjerman në Shqipëri.

Jemi shumë mirënjohës për ndihmën dhe bashkëpunimin e shkëlqyer në luftën kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit dhe aktiviteteve të paligjshme. Ndihma dhe bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, ka mundësuar kualifikimin e mijëra ushtarakëve tanë, në akademitë ushtarake gjermane, shumë prej të cilëve, janë pjesë e kontributit të vendit tonë në misionet ushtarake të NATO-s.

Falënderojmë për mbështetjen e rëndësishme financiare, për procesin e rindërtimit, përballimin e situatës së pandemisë COVID-19, si dhe mbështetjen pas sulmit kibernetik.

Bashkëpunimi në fushën e arsimit në të gjitha nivelet, ka bërë të mundur rritjen e cilësisë në strukturat tona arsimore, si dhe përafrimin kulturor të përbashkët.

Lufta në Ukrainë ka shtuar sfidat edhe për vendet e rajonit.

Largimi i vëmendjes nga Ballkani Perëndimor mund të bëjë që aktorë të tretë të shfrytëzojnë çdo hapësirë dhe të ndikojnë negativisht në vijimin e proceseve integruese të vendit dhe të rajonit.

Ne e mirëpresim rolin dhe kontributin e Gjermanisë në Ballkanin Perëndimor.

Procesi i Berlinit është shembulli më i mirë i angazhimit gjerman në rajon.

Marrja e presidencës së Procesit të Berlinit nga Shqipëria vitin e ardhshëm, dhe mbajtja e Samitit në Tiranë, janë ngjarje historike dhe domethënëse për Shqipërinë dhe rajonin, në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian.

Me tre marrëveshjet e rëndësishme të nënshkruara muajin e kaluar, që kanë impakt imediat tek qytetarët e Ballkanit, Procesi i Berlinit tregoi rëndësinë e vullnetit politik e të gjithë aktorëve të angazhuar për rolin e pazëvendësueshëm të Gjermanisë dhe mbi të gjitha shtroi rrugën drejt fazës së zbatimit të këtyre marrëveshjeve dhe natyrisht përgatitjeve për marrëveshjet e radhës.

Ne vlerësojmë angazhimin dhe propozimin franko-gjerman, ose gjermano – francez, apo propozimin e Brukselit, për zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë, dhe mbështesim vijimin e dialogut.

Shqipëria e përshëndet vendimin e djeshëm për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe falënderojmë Gjermaninë për mbështetjen që i ka dhënë këtij procesi.

Vlerësojmë bashkëpunimin dhe bashkërendimin e qëndrimeve në organizata, si Kombet e Bashkuara, OSBE, Këshilli i Evropës, etj., dhe shpreh falënderimet për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Zoti President, në emër të Republikës së Shqipërisë, shpreh sot mirënjohjen tonë të thellë, për mbështetjen e pandërprerë në këto 30 vite, për ekspertizën dhe bujarinë e qeverisë dhe popullit gjerman.

Ju garantoj se fryma e miqësisë dhe përkushtimi që marrëdhëniet tona të njohin vetëm zhvillime pozitive është e madhe dhe e sinqertë.

Zoti President, edhe një herë mirëserdhët në Shqipëri dhe Ju uroj një vizitë të suksesshme!