Qytetarët në protestë për rritjen e çmimit të biletës: Sot u detyruam të lëviznim në këmbë

458
Rritja e çmimit të biletës së urbanit ka shkaktuar zemërimin e qytetarëve të Tiranës, të cilët kanë zhvilluar një protestë, rreth mesditës, përpara Bashkisë së Tiranës.
Qytetarët e konsiderojnë të padrejtë rritjen e çmimit të biletës, duke theksuar se sot janë detyruar të lëvizin në këmbë, pasi nuk mund të përballojnë rritjen e çmimit të biletës.
Duke filluar nga sot qytetarët e Tiranës do të paguajnë më shtrenjtë për të udhëtuar në linjat e transportit urban. Bileta 1-udhëtimshe do rritet me 10 lekë, pra do të jetë 40 lekë. Po ashtu, edhe biletat mujore janë rritur për këtë muaj, pasi Bashkia e Tiranës propozoi indeksimin e çmimit të biletës së transportit urban me 33%.
Aboneja e përgjithshme nga 1.200 lekë, tashmë kushton 1.600 lekë, ndërkohë që aboneja e një linje nga 900 lekë, tashmë kushton 1.200 lekë. E vetmja abone mujore që nuk ka ndryshuar është ajo e studentëve, e cila do vijojë të jetë 600 lekë.
Ndryshimi i çmimeve të biletave ditore dhe mujore të transportit urban u miratua nga Këshilli Bashkiak i Tiranës në datën 30 dhjetor 2015, me propozim të Bashkisë së Tiranës.
Rritja e çmimit të biletës, sipas Bashkisë së Tiranës do të sjellë edhe rritjen e cilësisë së transportit urban, por sipas qytetarëve, shërbimi i transportit urban lë shumë për të dëshiruar. Problemet kryesore sipas qytetarëve janë mosrespektimi i orareve dhe mbingarkesa, pasi tejmbushen me pasagjerë
Sigal