Qytetarët ndërpresin kontratat me Albtelekom-in për shkak të shërbimit të keq

1114
Sigal

VËZHGIM/Ankesa të shumta për rrjetin, problemet nuk zgjidhen në kohë

Vijojnë sërish problemet e qytetarëve me Albtelekom-in, të cilët kanë një kontratë me këtë kompani. Problemet janë të natyrave të ndryshme dhe që asnjëherë nuk marrin zgjidhje nga punonjësit. Punonjësit e kësaj kompanie nuk tregohen korrektë me qytetarët dhe për më shumë nuk u zgjidhin problemet që ato kanë në kohë. Këto dhe arsye të tjera po i detyrojnë çdo ditë klientët e kësaj kompanie që të ndërpresin kontratat dhe të lidhin kontrata me një kompani tjetër që ofron të njëjtat shërbime me korrektesë dhe cilësi. Një numër i konsiderueshëm qytetarësh shprehen për “Telegraf” se, kanë ndërprerë kontratën e internetit me Albtelekom, për shkak të problemeve që kanë pasur me rrjetin. “Unë e kam ndërprerë kontratën e internetit me Albtelekomin para pak ditësh pasi interneti ishte shumë i ngadalshëm, pavarësisht faktin se në kontratë shkruhej ndryshe”, shprehet Olsi. A nga Tirana. Ajo që i shqetëson më shumë qytetarët është fakti se ato kompania nuk po tregohet aspak serioze në zbatimin e kontratës që kanë bërë. Ylber. R. është shprehur se: “Nuk janë aspak seriozë si kompani, pasi unë kam bërë tre ankesa për një problem që ka pasur rrjeti dhe nuk kanë ardhur për ta zgjidhur. Plus që mos të flasim për cilësinë e internetit pasi është shumë e keqe”. Ndërkohë që, ankesat që bëhen pranë kësaj kompanie janë të shumta siç bëjnë të ditur qytetarët, por zgjidhja e tyre mbetet zero. Qytetarë të ndryshëm të pyetur nga gazeta “Telegraf” shprehen se prej kohësh kanë pasur probleme me rrjetin ADSL Albtelekom. Ankesat e qytetarëve janë të ndryshme dhe për këtë nuk gjejnë zgjidhje edhe pse kanë bërë ankesa të pafundme. Ndër ankesat kryesore të qytetarëve për Albtelekom janë: mos dërgimi i faturave nëpër shtëpitë e tyre, cilësia e dobët të internetit, moszbatim të kontratës, kontrata të njëanshme, mungesë të pritjes dhe të zgjidhjes së problemeve, mungesë korrektësie në zbatim të parametrave, për dyshim në çmime e tarifash etj.. Po ashtu problemet me rrjetin ADSL janë të shtrira në tërë vendin jo vetëm në Tiranë. Nga bërja e ankesës për një problem mund të kalojnë muaj të tërë dhe problemi nuk merr zgjidhje. Sipas qytetarëve mund të kalojnë 3 muaj 6 muaj apo më shumë që ato mund të kenë probleme me rrjetin dhe punonjësit nuk vijnë për ta rregulluar.

Qytetarët: Faturat nuk na vijnë në adresë

Sipas rregullores faturat duhet tu dërgohen në adresë qytetarëve nga kompania. Por një gjë e tillë është e pamundur që të ndodhë me faturat e internetit dhe telefonit. Mosdërgimi në adresë i faturave të qytetarëve është një ndër ankesat e shpeshta që tregojnë qytetarët teksa i pyet për shërbimin që u ofrohet nga kompania Albtelekom. “Unë nuk mbaj mend asnjëherë që të më vijë në adresë fatura që duhet të paguaj për rrjetin ADSL. Kjo është një nga shërbimet që kjo kompani nuk i realizon. Nuk e di arsyen, sepse kur i pyet punonjëset të thonë që do e shikojmë këtë problem” , shprehet qytetarja A.S.. Po ashtu qytetarët ngrenë edhe shqetësimin se kontrata e nënshkruar me kompaninë Albtelekom për kërkesat për këtë sinjal e linjë nuk po zbatohet fare kohët e fundit. Qytetarët janë shprehur për “Telegraf” se: “Në fillim kontrata është zbatuar dhe më pas kjo kontratë është shkelur deri sa ka sjellë shqetësime të përditshme e të vazhdueshme”. Ata shprehen se kjo situatë u ka sjellë shqetësime ekonomike shoqërore, psikologjike. E thënë kjo sipas tyre ata kanë përdorur ADSL për të komunikuar me klientelën, me shoqërinë, por ky fiksion ka qenë i dobët dhe herë pas here me ndërprerje.