Qarku i Beratit, realitete dhe perspektiva të zhvillimit ekonomik e social

740
Sigal

Vjollca HOXHA dhe Asllan DUÇELLARI

Në këto ditë të Majit 2013 koalicionet e dy partive kryesore si dhe partitë e tjera, që konkurrojnë më vete në zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit, po shpalosin programet e tyre elektorale, për zhvillimin politik, ekonomik, social të vendit si dhe në fusha të tjera si arsimi, shëndetësia, integrimi evropian, në fushën e mbrojtjes, rendit, forcimit të shtetit ligjor etj. Synimi është që elektorati, e në mënyrë të veçantë ai i pavendosur, të njihet me programet e tyre në këto zgjedhje dhe më 23 Qershor të vendos se kujt t’ia besojë drejtimin e vendit për 4 vitet që pasojnë. Risi po vihen re në këtë fushatë në rritjen e transparencës me publikun dhe kjo falë rritjes së nivelit të teknologjisë se mediave vizive për transmetimin direkt të këtyre takimeve. Gjithashtu, duhet nënvizuar se në këtë fushatë elektorale po bëhen përpjekje për organizimin e takimeve më të shpeshta me grupet e interesit, ku tërhiqet mendimi i tyre, për shqetësimet që kanë, për probleme të ndryshme, për të reflektuar vërejtjet dhe propozimet konkrete që bëhen në këto takime në programet e tyre. Diskutime po bëhen për përmirësimin e modelit të zhvillimit ekonomik të vendit, duke i dhëne përparësi rritjes së ritmeve të prodhimit dhe eksportit, për rritjen e të ardhurave nga turizmi si një burim i rëndësishëm i pashfrytëzuar, për rritjen e nivelit të shërbimeve e masat që duhen marrë për të dalë sa më shpejtë nga kriza ekonomike e financiare etj. Por realiteti shqiptar ku zhvillohet kjo fushatë ndryshon mjaft nga ajo që synojmë, ndaj do ishte më e drejtë, që ajo të mos ishte kaq e kushtueshme e që në shpalosjen e programeve të ishin më me këmbe në tokë, me objektiva konkrete, pa eufori, duke premtuar gjëra më konkrete, për çdo qark, rreth e zonë elektorale, me qellim që ato të bëhen më të besueshme, transparente dhe të kontrollueshme nga votuesit. Duhet theksuar se opozita ka bërë një punë më të mirë, duke hartuar jo vetëm një program qeverisës në rang vendi, por dhe për çdo qark e zonë elektorale si dhe po sjell disa risi të reja në fushatën elektorale sidomos në drejtim të transparencës. Në ketë artikull do sjellim disa shqetësime konkrete për Qarkun e Beratit si dhe disa sugjerime, të cilat duhet të merren në konsideratë për t’i vënë në rrugën e zgjidhjes. Megjithëse një qark me resurse të mjaftueshme materiale, njerëzore, në një pozicion të mirë gjeografik, aktualisht përjeton probleme të mprehta ekonomike e sociale. Papunësia e deklaruar në qytete kap shifrën mbi 6500 punëkërkues. Në krahasim me vitin 1990 ka një rënie të popullsisë në rang qarku prej 5%, dhe në rrethe si Skrapari kjo shifër arrin 28%, ndërsa popullsia rurale në këtë rreth është ulur 41% si rrjedhoje e shpërnguljeve. Vetëm këto shifra mjaftojnë për të karakterizuar gjendjen ekonomike e sociale në Qark, sidomos në zonat rurale, pa përmendur problemet sociale në fushën e arsimit, shëndetësisë, të infrastrukturës rrugore etj., që kanë sjellë fenomenin e braktisjes masive prej këtyre trevave, për një jetë më të mirë në zonat urbane. Nivelet e pensioneve, të pagave, të ndihmave sociale në Shqipëri janë tepër simbolike dhe kërkojnë një reformë të thellë të tyre, për të trajtuar në mënyrë dinjitoze qytetarët shqiptarë. Ende në Shqipëri mbas 23 vjetësh nuk është miratuar nga Qeveria minimumi jetik, megjithëse ai është llogaritur nga institucione shkencore e akademike, me qellim që mbi bazën e tij të ndërtohet dhe puna për të ardhmen. Qarku i Beratit aktualisht e ka të pazhvilluar sektorin e industrisë, ndërkohë që para 20 vjetësh ka pasur dy kombinate të rëndësishme, Kombinatin e Tekstileve dhe atë Mekanik të Poliçanit, ku punësoheshin rreth 15.000 punonjës. Zhvillimi i turizmit në këtë qark është një drejtim i rëndësishëm për një zhvillim të qëndrueshëm. Promovimi i vlerave arkeologjike, kulturore të Qytetit të Beratit, që tashmë është në mbrojte të UNESKO-s, si dhe mundësitë për zhvillimin e turizmit malor, veçanërisht në malin e Tomorit, si dhe kanionet e mrekullueshme të Osumit janë drejtime të rëndësishme për zhvillimin e turizmit në Qark. Zhvillimi i infrastrukturës për të lidhur Rrethin e Skraparit me tre urat në Përmet, e cila shkurton 150 km rrugë për të ardhur në Tiranë dhe distancën Athinë –Tiranë, si dhe me qarqet e Korçës dhe Elbasanit, mund të jenë disa drejtime të rëndësishme për një zhvillim të qëndrueshëm të këtyre zonave malore e në veçanti të frutikulturës, rrushit, të blegtorisë së imët, të industrisë agro- përpunuese, të turizmit malor, të eksportit të bimëve medicinale si dhe në shfrytëzimin e ujërave e pyjeve të kësaj treve malore. Duke u përqendruar në këto tematika diskutimi dhe rrugëzgjidhjet do të gjenden me përpjekje të përbashkëta të organeve shtetërore  vendore e qendrore, të bizneseve, fermerëve si dhe organeve studimore e shkencore.