Qeveria shtyn vendimin, ministrja e Ekonomisë: Pagat e muajit maj do të kalojnë siç ishin para se të hynte reforma në fuqi

110
Sigal

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj deklaroi se paga e muajit maj do të kalojë siç ishte, para se të hynte në fuqi vendimi i ri.

Në një dalje për mediat, teksa foli mbi reformën e pagave, Ibrahimaj tha se vendimi është shtyrë dhe se edhe në muajin maj nuk do të aplikohet rritja.

“Miratuam tetë vendime të Këshillit të Ministrave por patën diskutime. Do të marrim pak më shumë kohë, duke qenë se janë mbi 200 institucione të administratës që preken nga këto vendime dhe mbi 130 mijë të punësuar, pagat e të cilëve u miratuan që në prill, zbardhja e vendimeve merr një kohë më të gjatë. Kjo është edhe arsyeja që për të qenë më koherent dhe për të shkaktuar sa më pak vonesa në marrjen e pagave, iu kemi kërkuar të gjithë institucioneve buxhetore që të përgatisin dokumentacionin e nevojshëm me qëllim që pagat e majit, në fazën e parë të kalojnë siç ishin para se të hynte në fuqi reforma. Disa prej institucioneve që preken nga ligji që kaloi në parlament, ne vendosëm që pagat në tërësi të kalojnë siç kanë qenë në muajin maj dhe me zbardhjen e vendimeve, do të përfshijmë për dokumentacionin e nevojshëm me qëllim që shtesat mbi pagë të aplikohen qoftë për prillin dhe majin.”, tha ministrja.