Presidenti Meta: Serbia të ndalojë fushatat kundër integrimit të Kosovës

543
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta thotë se Serbia duhet të ndalë fushatën kundër integrimit të Kosovës në nismat rajonale dhe institucionet ndërkombëtare.

Gjatë një interviste për televizionin boshnjak “OKanal”, Presidenti Meta thotë se Kosova duhet të gjejë mënyra për të përmirësuar tregtinë me Serbinë dhe Bosnjën dhe Hercegovinën.

GazetariJu besoj se i njihni marrëdhëniet mes Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Si do ta komentoni marrëdhënien midis këtyre dy vendeve, por tani edhe shtetit të ri të Kosovës?

Presidenti Meta: Kam bërë maksimumin në karrierën time politike për të promovuar marrëdhëniet mes të gjitha vendeve në rajon, përfshirë edhe Serbinë.

Kam qenë Kryeministri i parë i Shqipërisë, që kam takuar asokohe ish-Kryeministrin e ndjerë, Zoran Gjingjiç në përpjekje për të krijuar një epokë të re marrëdhëniesh mes Serbisë dhe Shqipërisë, por në përgjithësi mes shqiptarëve dhe serbëve.

Gjithashtu, edhe në lidhje me Bosnjën kam bërë maksimumin tim në pozicionet e mëparshme që kam pasur si Kryeministër, Ministër i Jashtëm, Kryetar i Kuvendit dhe tani si President. E shikoj Bosnjën si një vend me rëndësi të veçantë për stabilitetin dhe besueshmërinë e të gjithë rajonit.

Ne e dimë që ka disa vështirësi, por ne shpresojmë dhe lutemi që këto vështirësi do të tejkalohen me maturinë e liderëve të vendit tuaj, sepse ka vetëm një rrugë për të gjithë qytetarët e Bosnjës, që të lihet pas një herë e mirë e shkuara e hidhur dhe kjo është bashkëjetesa dhe harmonia midis të gjithë atyre që jetojnë në Bosnjë-Hercegovinë, integrimi europian, dhe gjithashtu të pasurit marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha vendet tuaja fqinje si Serbia, Kroacia dhe Mali i Zi.

Në këtë drejtim, ne nuk mendojmë se jemi larg Bosnjës dhe ne mezi presim të përmirësojmë infrastrukturën.

Shpresojmë gjithashtu vendosjen e lidhjes ajrore direkte në mënyrë që të forcojmë marrëdhëniet tona në të ardhmen dhe të përfitojmë sa më shumë të jetë e mundur nga ky bashkëpunim dypalësh.

Gazetari: Një problem tjetër në rajon është taksa e Kosovës ndaj Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Cili është mendimi juaj, kjo taksë duhet të qëndrojë apo duhet të hiqet?

Presidenti Meta: Kur ata vendosën të vinin taksën nuk më pyetën, por unë nuk jam pro shtimit të barrierave në marrëdhëniet midis vendeve në rajon, sepse e ardhmja duhet të jetë bashkëpunim i hapur dhe pa kufij dhe pa pengesa.

Ne të gjithë synojmë të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian. Ndaj shpresoj që Kosova të shqyrtojë sa më shpejt që të jetë e mundur mundësinë e përmirësimit të mëtejshëm të tregtisë dhe marrëdhënieve të përgjithshme, jo vetëm me Bosnjën, por edhe me Serbinë. Kjo do të ishte shumë e dobishme.

Gjithashtu nga ana tjetër, Serbia duhet të ndalojë këtë fushatë kundër integrimit të Kosovës në nismat rajonale ose institucionet ndërkombëtare. Siç është edhe për shembull anëtarësimi në Interpol.

Të gjithë në rajon janë të vetëdijshëm se krimi i organizuar është një nga problemet kryesore në të gjitha vendet tona dhe anëtarësimi i Kosovës në Interpol ndihmon bashkëpunimin, jo vetëm të Kosovës me Interpolin, por për të gjithë rajonin është një kontribut për të luftuar krimin e organizuar nga ky rajon.

Nuk e kuptoj pse Serbia do të merrte një pozicion të tillë, sipas meje, jo shumë të arsyeshëm dhe aspak konstruktive.

Sidoqoftë, unë besoj në dialog, në partneritet dhe shpresoj që së shpejti palët të ulen në tryezën e dialogut dhe ne jemi fuqishëm pro normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.