/Gazeta TELEGRAF
Plani i të ardhurave buxhetore u rrit me 2 miliardë lekë ose rreth 16 milionë euro, sipas ndryshimeve të fundit në aktin normative, për ndryshimin e buxhetit. Ndryshimet akomoduan tejkalimin e planit të të ardhurave buxhetore përgjatë pesëmujorit të parë. Sipas statistikave fiskale, arkëtimet buxhetore në periudhën janar-maj, arritën në 191,6 miliardë lekë, duke tejkaluar planin me 7.8 miliardë lekë. Mirëpo , arkëtimet e mbara të 5-mujorit, nuk e kanë bërë entuziaste qeverinë, e cila ka rritur planin e të ardhurave më pak se të ardhurat shtesë që grumbulloi në raport me planin e periudhës. Sipas aktit normativ të qeverisë, 2 miliardë lekë arkëtime shtesë pritet të gjenerohen nga: (+600 milionë lekë) nga Tatimi Mbi Fitimin, (+400 milionë lekë) nga akcizat, (+200 mln lekë) nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale dhe (+800) milionë lekë nga sigurimet shoqërore. Edhe pse punësimi në tremujorin e parë të vitit 2021, numri i të punësuarve ishte rreth 33 mijë persona më i ulët se në të njëtën periudhë të vitit 2020, të ardhurat nga sigurimet shoqërore, janë rritur. Shkak është bërë rritja e pagës minimale në 30 mijë lekë në fillim të këtij viti nga 260 mijë lekë që ishte më pare, si dhe fakti që, pjesa më e madhe e atyre që humbën punën, ishin në sektorin bujqësor, që nuk kanë peshë të lartë në të ardhurat nga sigurimet.
Të ardhurat në 5 mujorin e 2021
67.8 miliardë lekë të ardhura, 1.8% më shumë se plani i të ardhurave doganore për 5 mujorin e vitit 2021
54.9% të kontributit në totalin e të ardhurave doganore e zënë 7 produkte:
23.7% të të ardhurave, importi i karburanteve;
12.5% të të ardhurave, nga cigaret;
6.1% të të ardhurave totale doganore, metalet bazë dhe artikujt prej tyre;
4.4% të të ardhurave, automjetet e përdorura;
2.8% të të ardhurave, plastika dhe artikujt;
2.7% veshje tekstile;
2.6% të të ardhurave, ushqime të përgatitura.
Rritja me 15 % e pagës minimale, ka rritur të ardhurat nga sigurimet pasi gati 28 për qind e të punësuarve paguheshin më pak se 30 mijë lekë deri në fund të vitit 2019. Më shumë se nga rigjallërimi i ekonomisë të ardhurat shtesë në buxhet në pesëmujorin e parë të vitit, u mbështetën nga rritja e importeve në disa artikuj, që për pasojë, ndikuan në rritjen e të ardhurave doganore. Për pasojë burimet që gjeneruan rritjen e të ardhurave gjatë pesëmujorit nuk janë të garantuara për muajt në vijim. Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 67.8 miliardë lekë, 12.9 miliardë lekë ose 23.5% më shumë se 5 mujori 2020, si dhe 1.2 miliardë lekë ose 1.8% më shumë se plani i të ardhurave doganore për 5 mujorin e vitit 2021. Sipas analizës së 60 grup mallrave, 54.9% të kontributit në totalin e të ardhurave doganore e zënë 7 produkte dhe përkatësisht: karburant importi me 23.7% të të ardhurave, cigaret me 12.5% të të ardhurave, si dhe metalet bazë dhe artikujt prej tyre zënë 6.1% të të ardhurave totale doganore, automjetet e përdorura me 4.4% të të ardhurave, plastika dhe artikujt 2.8% të të ardhurave, veshje tekstile 2.7% dhe ushqime të përgatitura 2.6% të të ardhurave. Importet e karburanteve janë grupi që kanë udhëhequr rritjen e të ardhurave doganore që prej vitit 2020. Duke shfrytëzuar çmimet e ulëta në tregjet ndërkombëtare, grosistët kanë rritur importet e karburanteve.




















