Pali Nito: Zjarret më mirë t’i parandalojmë, se sa t’i shuajmë  

249
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Ashtu si tërmetet, përmbytjet, shkarjet masive të ortekëve të borës, rrëshqitjet e mëdha të tokës, dhe zjarret janë një fatkeqësi natyrore që nxiten e favorizohen nga temperaturat e larta. Aktualisht jemi në pikun e stinës dhe muajit më të nxehtë të vitit e për rrjedhojë zjarret po na trokasin në derë. Është tamam koha dhe momenti që t’u biem fort këmbanave të alarmit për t’i parandaluar zjarret në kohë dhe hapësirë, me qëllim që të mos ndodhemi përballë të papriturave e të veprojmë të çoroditur, me ngut, të çorientuar, të hallakatur e në konfuzion. Nga eksperienca e deritanishme, zjarret kur bien në terrene tepër të thyera e kur nuk është e mundur ndërhyrja e zjarrëfikësve, na janë shkrumbosur masive të tëra pyjore, duke shkaktuar një dëm të ndjeshëm ekonomik. I tillë ishte dhe zjarri masiv që ra para disa ditësh në malin e shenjtë të Tomorrit e që fatkeqësisht, ende nuk janë bërë të ditura shkaqet e zjarrit dhe autorët përgjegjës, e për rrjedhojë u japim zemër dhe kurajo elementeve të papërgjegjshëm e të pa disiplinuar që janë shkaktarë për rënien e zjarreve. Për rënien e zjarrit në malin e Tomorrit dhe vazhdimësinë e tij që po shkrumbos gjithçka, shkaku duhet kërkuar dhe gjendur tek indiferenca dhe inekzistenca e tejskajshme e organeve vendore dhe qendrore, përfshi këtu, edhe meftësinë dhe papërgjegjshmërinë e qeverisë. Natyrshëm, po deputetët e qarkut të Beratit, ku janë?! Për të kërkuar dhe mbledhur vota ata tregohen mjaft aktivë, kurse ndaj zjarreve më tepër se inaktivë.

Duke qenë se zjarret favorizohen nga temperaturat e larta e tepër ekstreme e që mundet që të përballemi nga çasti në çast me to, lind nevoja urgjentisht që të vihet në gatishmëri të plotë flota e zjarrëfikësve. Por nga informacioni që disponoj, më rezulton se mjetet e zjarrëfikësve janë të amortizuara e të pamjaftueshme nga ana numerike, por edhe me personel të pamjaftueshëm e të papregatitur nga ana profesionale. Ndërsa për helikopterë për fikjen e zjarreve, e sidomos në terrene tepër të thyera malore, as që bëhet fjalë fare. Për të parandaluar zjarret është e domosdoshme që ta përqëndrojmë vëmendjen veçanërisht në këto drejtime:

Së pari, të përcaktohen urgjentisht zonat dhe rajonet me rrisk të lartë për rënien e zjarreve. Ndërsa komunat e këtyre rajoneve të caktojnë vrojtues vullnetarë por kur diktohet nga situata dhe intensiteti i zjarreve, të caktohen edhe vrojtues me pagesë, për të informuar në kohë dhe hapësirë për rënien e zjarreve.

Së dyti, media vizive të organizojë panele të posaçme me specialistë  të mirëfilltë për të diskutuar dhe debatuar rreth rënies së zjarreve. Një masë e tillë do të ndikonte pozitivisht për sensibilizimin, ndërgjegjësimin, disiplinimin dhe edukimin e masës së gjerë të qytetarëve për të bërë kujdes që të mos hedhin vend e pa vend bishta cigaresh të ndezur, si dhe të mos lejohet që të ndizen zjarre të qëllimshme nga persona të papërgjegjshëm që bëhen për pastrim kullotash apo për qëllime të tjera. Së fundmi, shkaktarëve të zjarreve, e sidomos të zjarreve të qëllimshme, të mos tolerohet, por të vendosen saksione dhe masa shtrënguese administrative, disiplinore, gjoba të kripura, punë të detyruar në komunitet, lagje apo fshat deri dhe masa të tilla alternative, do të bëjmë të mundur që zjarret më mirë t’i parandalojmë, se sa t’i shuajmë.