“Qeveria largon 1 mijë familje, kur ne kemi vetëm 120 banesa sociale me qira”

599
Sigal

Flet për banesat e ish-pronarëve, kryebashkiaku Vangjush Dakon

Në një prononcim për “Telegraf”,  kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako deklaroi se zëri i qytetarëve duhet dëgjuar jo nga zyrat politike të partive, por u duhet dhënë zgjidhje atyre me veprime konkrete. Dako u ndal tek problemet që kanë shtresat në nevojë, por edhe tek të pastrehët një numër i madh i të cilëve ndalin çdo ditë para dyerve të bashkisë. Të pastrehët kanë shumë të drejtë, por akoma këtë problem social po e shton edhe më shumë qeveria, e cila nxjerr në rrugë 1 mijë familje që banojnë në shtëpi ish -pronarësh. Bashkia ka vetëm 120 apartamente dhe ato janë banesa sociale me qira. Kjo është një situatë e rëndë, e cila ka dyndur të pastrehët para bashkisë.

Zoti Dako jemi në muajin e nëntë dhe më shumë se një problem, është prania e një numri të madh qytetarësh në dyert e bashkisë. Ka ankesa për ndihmën ekonomike, invaliditeti etj.. Pse nuk e kanë marrë në kohë?

Ju e dini mirë që bashkia është shërbëtor i punëve të qytetarëve. Ka një procedurë dhe të gjithë personat me përkrahje miratohen nga Këshilli Bashkiak listat dhe pas miratimit kalon për vulë në prefekturë dhe më pas bëhet shpërndarja nëpërmjet degës së Thesarit dhe Bankave. Bashkia e ka paraqitur edhe Këshilli Bashkiak me një vendim qarkullues e ka miratuar.

Në Bashkinë e Durrësit sot (dje) janë dyndur qindra qytetarë që problem parësor kanë strehimin, si po veprohet me ta?

Ne kemi përfunduar 120 apartamenteve të reja. Që të ndahen ato apartamente duhet lista e përgatitur  që do të miratojë Këshilli Bashkiak. Qytetarët janë shumë të interesuar sepse është një problem shumë i madh strehimi, kemi 4 deri në 5 mijë familje të pastreha që kërkojnë strehim. Është një proces i vështirë, sepse numri i kërkesave është i madh, ashtu si dokumentacioni që kërkohet ka pika rigoroze për përfituesit. Qytetarët duhet të bindin Këshillin Bashkiak që e meritojnë dhe që janë në gjendje të shlyejnë qiranë çdo muaj nëpërmjet vërtetimeve. Kërkohet garanci e fortë nga ana jonë që qytetarët që do të strehohen në ato banesa të jenë në gjendje të shlyejnë detyrimin çdo muaj. Kësaj problematike i shtohet edhe situata skandaloze e qeverisë për të nxjerrë jashtë banesave mbi 1 mijë familje që banojnë në shtëpi ish-pronarësh.

Zoti Dako sa banesa sociale janë gati dhe sa të tjera janë planifikuar për të pastrehët?

Janë 120 apartamente të përfunduara dhe do të nisë ndërtimi i 100 apartamenteve të reja muajin e ardhshëm. Bashkia me këto banesa sociale zbut problemin e strehimit. Për një banesë sociale 1+1 qytetarët paguajnë 5800 lekë të reja ndërsa për një apartament 2+1, 7800 lekë në muaj.