Tregtarët e Durrësit kundër AKU-së: Po monopolizohet tregu për bizneset e tyre

977
Sigal

BLLOKIMI/ Flasin për “Telegraf” kreu i Bashkisë së Manzës, Sukthit, drejtori i AKU-së dhe tregtarët e mishit

Kasapët e mishit të shumtë në numër të shtrirë në të gjithë qytetin, tashmë, nuk do të kenë më mundësi të therin mishin në dyqanet e tyre dhe mishin e freskët ta ekspozojnë në dyert e dyqaneve. Ata akuzojnë struktura të ndryshme në Durrës, se kërkojnë të monopolizojnë këtë shërbim, me ngritjen e një thertoreje në Durrës. Kundër aktit normativ të qeverisë kanë dalë edhe kryetarët e bashkive dhe komunave.

Kundërshtimi

Kasapët dhe tregtarët e mishit në Durrës janë krejtësisht kundër këtij akti normative, i cili po vihet në zbatim nga Task – Forca. Tregtarët e dyqaneve të mishit përshëndesin iniciativën për bllokimin e subjekteve të palicencuar dhe atyre që shesin jashtë kushteve higjieno -sanitare, ndërsa shprehen se nuk do të operojnë me thertoren që nisi aktivitetin në lagjen numër 14 në Shkozet. Ata janë njohur edhe më parë me këtë udhëzim, i cili sipas tyre bëhet që një subjekt i biznesit të madh të ketë një aktivitet të sigurt dhe të ardhura të sigurta.

Reagimet

Gent Troplini, kasap në Durrës tha: “Unë vetë kam thertore dhe e ther mishin në shtëpi. E sjell e tregtoj në dyqan dhe kam klientelë të sigurt. Unë çohem në mes të natës dhe i bie tregjeve në të gjithë vendin për të gjetur qingja, keca të vegjël, që i pëlqen konsumatori dhe klientela ime. Të mbyllin dyqanet e palicencuar. Mirë është që të theren në thertore, brenda kushteve higjieno- sanitare. Në fakt në Durrës nuk ka tregtarë që ta therin rrugëve, sepse secili tregtar ka ndërtuar thertoren e tij”. Kasapi, Klaudio Kalari shprehet: “Kjo është absurde sepse unë vetë kam dy muaj që e kam ndërtuar thertoren pranë banesës time me të gjitha kushtet moderne dhe bashkëkohore. Ka ujë 24 orë, me rrjet kanalizimesh e shtruar me beton dhe nivelim. Nuk ka asnjë mangësi. Ne bagëtinë e blejmë në Korçë, bashkë me babain  e therim në thertoren që kemi ndërtuar dhe sigurojmë kushte shumë të mira. Tani kemi ndërtuar edhe një dhomë frigoriferike këtu në dyqan për ruajtjen e mishit. Neve na thonë t’i dërgojmë në thertore në Shkozet që të theren në thertore për të paguar ne 500 lekë të rinj për çdo krerë bagëtie. Të vijnë të shikojnë dhe të marrin masa nëse ka shkelje. Si ky subjekt të ishin të gjithë, por ne na diskriminojnë me taksa dhe tatime ndërsa, të palicencuarit rriten në numër çdo ditë”. Situata konsiderohet shumë problematike jo vetëm në qytet, por më shumti fenomeni është i ekspozuar në rrugët nacionale Krujë-Fushë Krujë dhe në rrugët turistike që të çojnë drejt Gjirit të Lalëzit, ku banorët e fshatrave përreth therin e tregtojnë bagëti të ndryshme, në kushte shumë të papërshtatshme. Tregtarët dhe kasapët e Durrësit kanë dal kundër AKU-s, duke e akuzuar këtë të fundit se drejtuesit e saj po monopolizojnë tregun për të përfituar bizneset e tyre private.

Bujar Huqi: “Problem mbyllja e tyre”

Debate janë zhvilluar ndërmjet krerëve të komunave dhe bashkive me kreun e AKU-së, Genc Juka për faktin se, bllokimi i të gjithë subjekteve të therjes dhe tregtimit të mishit kërkon që të ndërtohen thertore të posaçme në bazë të kushteve higjieno- sanitare. “Nëse do të mbyllim të gjithë dyqanet dhe pikat e tregtimit të therjes së mishit, atëherë, ku do të theret mishi nga këto subjekte?”, tha kreu i Bashkisë së Manzës, Bujar Huqi.

Indrit Buka: “Duhen gjetur rrugë ligjore”

Kreu i Bashkisë së Shijakut, Indrit Buka tha: “Nëse do të bllokohet ky aktivitet dhe fenomen atëherë duhet të gjenden rrugë të tjera që subjektet të vijojnë aktivitetin në mënyrë ligjore dhe të mos theren rrugëve siç ka ndodhur deri tani. Por duhet autoritet dhe bashkëpunim me të gjithë strukturat e shtetit, që ky akt normative të gjejë zbatim, edhe për vetë faktin se në Bashkinë e Shijakut ashtu si edhe në komunat përreth mungon një thertore .

Gëzim Ylli: “60 subjekte s’kanë kushte”

Sipas drejtorit të AKU-së në Durrës Gëzim Ylli, i cili ka drejtuar aksionin, nga 110 thertore dhe subjekte që tregtojnë mish, 60 prej tyre kanë rezultuar se punojnë jashtë çdo lloj kushti higjieno-sanitar dhe ndaj tyre është marrë masa duke bllokuar aktivitetin dhe sekuestruar njëkohësisht mallin. Task-Forca e Durrësit paralajmëron se do të ushtrojë kontrolle edhe gjatë javës në vijim, kryesisht në rrugën nacionale Thumanë -Nikë-Krujë.