Çfarë e prish performancën e Sarandës?

675
Sigal

Saranda, qyteti jugor me bukurinë e rrallë natyrore, me objekte e pika turistike, arkeologjike e historike që për nga numri i tyre si rajon mban vendin e parë në Ballkan, vitet e fundit ka pësuar ritme të shpejta zhvillimi dhe rritje të popullsisë duke shkuar në 40 mijë banorë, ç’ka i shkon edhe për shtat emrit të saj të huazuar nga manastiri i 40 shenjtorëve. Por ky zhvillim i ka shkaktuar qytetit edhe dëme të pariparueshme në radhë të parë me masakrën urbanistike që ka pësuar, duke e kthyer në një bunker të betonizuar me zhdukjen e hapësirave të gjelbra, parqeve dhe lulishteve dhe kioskëzimit të trotuareve. Gjendja alarmante e drejtimit të qytetit detyroi kryebashkiakun Stefan Çipa që para disa kohësh të mbajë konferencën “Për një Sarandë të të gjithëve. Vet kryebashkiaku Çipa theksoi: “Mendoj se zhvillimi i pakontrolluar i qytetit të Sarandës, në 20 vjetët e fundit, është arsyeja dhe shkaku kryesor. Nuk jam duke thëne se zhvillimi është e keqja e kësaj situate, por zhvillimi kaotik i pamenaxhueshëm, ka sjellë për pasojë edhe efektet e padëshirueshme që përjeton qyteti i Sarandës sot. Është në obligimin tonë ta konservojmë të keqen në ato dimensione e përmasa, për ta minimizuar e tkurrur më tej atë. Zhvillimi mjaft i shpejtë i turizmit dhe ai rezidencial, shmangia nga zbatimi i ligjit dhe infrastruktura e pamjaftueshme, kanë ndikuar në prishjen e ekuilibrit të mjedisit bregdetar”. Ditët e fundit ndjehet prania e INUK-ut në rajonin e Sarandës, ku sipas burimeve zyrtare të këtij institucioni, flitet se do të ndëshkohen me prishje të objekteve ndërtuesit e vijës bregdetare duke mundësuar kthimin e sipërfaqes ranore në funksion të pushuesve. Përveç masakrës urbanistike, gangrenë tjetër në qytet është edhe fenomeni i hedhjes së inerteve në ujërat e detit Jon, ku sipas shifrave zyrtare nga këto hedhje dhe mbushje pa kriter është zënë një sipërfaqe ujore prej 53 mijë metra katrore, një sipërfaqe e konsiderueshme kjo për Sarandën po të kemi parasysh hapësirën e vogël ujore të gjirit të saj piktoresk. A do të mundet INUK ta rikthejë këtë sipërfaqe të zaptuar në gjendjen e mëparshme? Të shohim! Sezoni turistik i sivjetshëm tregoi qartë me shifrat negative të treguesve krahasuar me vitet e mëparshme, se çfarë dëmesh i kemi sjell qytetit tonë me drejtimin turistik. Të gjithë, me të drejtë e pa të drejtë, bërtasin e ankohen se vera e sivjetshme nuk pati prurshmëri të pritshme dhe të kënaqshme duke akuzuar sa pushtetin vendor, aq edhe momentet e krizës ekonomike. Por harrojmë më kryesoren: Atë dëm që vet i sjellim neve performancës dhe infrastrukturës së qytetit. Tarracat e pallateve të qytetit, sipas burimeve të Ujësjellës – Kanalizimeve, numërojnë plot 8000 depozita me vëllime dhjetëra kuintalshe të ujit të pijshëm, lavazho e pishina të shumta që funksionojnë me përdorim të ujit të pijshëm duke shkaktuar probleme në furnizimin e popullatës gjatë sezonit veror. Është momenti i duhur për hartimin e një strategjie të qartë, për eliminimin dhe zhdukjen e këtyre fenomeneve. Agron MEMA