Qeveria kërkon të zgjas me 10 vite koncesionin e markimit të naftës

947

Nga bilancet e dorëzuara në QKR koncesioni ka një marzh fitimi prej të paktën 1.2 milionë eurosh në vit, nga e cila në shtet derdh si tarifa koncesioni rreth 100 mijë euro. Blerja një vit nga përfundimi i kontratës duket e pazakontë.

Sigal

Në fund të shkurtit të vitit të ardhshëm përfundon koncesioni i markimit të naftës. Kalimi i shërbimit që deri në atë kohë ofrohej nga shteti në duart e privatit synonte që të eleminonte kontrabandën. Se sa ja ka arritur qëllimit ky është një tjetër debat.

Debati i këtyre ditëve është përpjekja e Qeverisë për ta zgjatur koncesionin me 10 vite të tjera. Për këtë qëllim, Voxnewsl mëson nga burime të Ministrisë së Financave se është ngritur një grup pune.

Jo zyrtarisht thuhet se grupi i punës do të hartojë një raport ku të paraqesë kosto-efektivitetin e koncesionit. Rezultati është i paracaktuar dhe burimet thonë se në raport do të këshillohet zgjatja e koncesionit në fjalë.

Koncesioni në 2013 e fitoi kompania GFI Albania me NIPT L31605014G, që zotërohet në 99.3 për qind të aksioneve nga kompania “Petroleum COnsultin Partners LLC” dhe Global Fluids International me 0.7 për qind.

Nga të dhënat e dorëzuara në regjistrin e përfituesve fundorë, rezulton se pronare është shtetësja turke, Nerve Korkmaz e lindur në prill të 1968-ës dhe person i afërt me Sinan Idrizin.

Ajo ka marrë pronësinë 100 për qind të koncesionit më 16 shkurt të këtij viti pas largimit të Ismail Mulletit, që zotëronte kompaninë Petroleum Consultin LLC.

 

Të dhënat sugjerojnë se transaksioni nuk është i rastësishëm dhe i përcaktuar nga lëvizjet e tregut, pasi për të humbur gjurmët e lëvizjes kompania Petroleum Consulting është ç’regjistruar nga Zvicra dhe është regjistruar në Delaëare të SHBA, njohur si parajsë fiskale dhe i njëjti vend ku më parë ishte regjistruar kompania DH Albania, që përmes falsifikimit provoi të fitojë tender 20 mln eurosh te Unaza e Re.

Nga bilancet e dorëzuara në QKR koncesioni ka një marzh fitimi prej të paktën 1.2 milionë eurosh në vit, nga e cila në shtet derdh si tarifa koncesioni rreth 100 mijë euro. Blerja një vit nga përfundimi i kontratës duket e pazakontë.

Kjo ngre dyshimet se koncesioni do të zgjatet dhe një propozim, është ai për ta çuar deri në 2033-shin. Mbetet për t’u parë se cili do të jetë arsyetimi i qeverisë së Edi Ramës në zgjatjen e këtij koncesioni, duke pasur parasysh se markimi ka qenë një prej koncesioneve më të sulmuara prej tij në kohën kur drejtonte PS-në në opozitë. Ai i markimit ka qenë një nga koncesionet më të akuzuara nga Partia Socialiste dhe Edi Rama personalisht gjatë kohës që ishte në opozitë. Zoti Rama u zotua se koncesioni do të anullohej, por tani do ta vazhdojë.