Mustafa Koçerri: Lavdi tre heronjve të “Kodrës së Kuqe” në Tiranë

501
Sigal

Pas pushtimit fashist më 7 prill 1939, si në gjithë Shqipërinë, edhe në qytetin e Tiranës dhe fshatrat e saj, rezistenca dhe fillimi i Lëvizjes NÇL dhe më pas Lufta e armatosur, sa vinte dhe shtonte radhët e pjesëmarjes së popullit duke u organizuar dhe bërë më të vendosur. Në fillim ishte krijimi dhe organizimi i njësiteve guerile dhe më pas funksionimi i tyre, si me shtypjen dhe përhapjen e trakteve, grumbullimin e informacioneve të nevojshme me të dhëna për pushtuesin dhe atyre që u shërbenin, funksionimin e bazave të fshehta ku bëheshin takime dhe jepeshin detyra, zgjedhja e elementëve më të mirë, më të vendosur për çuarjen përpara të këtij misioni të nisur plot sakrifica. Janë të shumta bazat e kësaj lufte në Tiranë, që erdhi duke u rritur e forcuar. Shumë familje dhe nëna tiranase dhanë një ndihmë të pakursyer, duke strehuar, ushqyer, mjekuar këta djem dhe vajza, që u vunë në ballë të kësaj lëvizje, duke mos marrë parasysh rrezikun që i priste në rast se diktoheshin. Në vitin 1942 kryengritja e armatosur e popullit shqiptar, po merrte përmasa edhe më të mëdha: ajo po shtohej dhe fuqizohej nga dita në ditë.

Dëshira për ta patur Atdheun të çliruar, ngrinte lart moralin dhe mobilizimin e bijve të Shqipërisë. Historia e kasaj lufte edhe në Tiranë është e mbushur plot heroizma, sakrifica e vetmohim, ku nga fillimi deri në çlirimin e saj më 17 nëntor 1944, ka disa qindra dëshmorë dhe shumë heronj që dhanë jetën. Midis shumë heroizmave të këtyre lulëkuqeve është edhe ai i tre heronjëve, tre djemve të rinj, që luftuan dhe ranë heroikisht në vendin e quajtur “Kodra e Kuqe” në Tiranë. Në Tiranë njësitet guerile u kishin futur tmerrin pushtuesve italianë dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Midis luftimeve të shumta, ajo e tetorit të vitit 1942, kryer nga djali shkodran Vojo Kushi, komandant i njësiteve guerileve dhe i dy shokëve të tij Xhoxhi Martini dhe Sadik Stavaleci, do të ishte më e madhja dhe një nga ngjarjet më heroike. Vojo Kushi lindi në Shkodër më 1918. Pasi kryen gjimnazin në qytetin e lindjes vazhdon studimet jashtë shtetit në një akademi ushtarake. Më pas ai kthehet në Tiranë dhe ngarkohet me detyrën e komandantit të njësiteve guerile. Që në fillimet e kësaj detyre, ai shquan si një organizator dhe njeri i guximshëm duke i drejtuar dhe marrë pjesë edhe vetë në shumë aksione, si në atë të djegies së depove të xhenjos duke i shkaktuar armikut dëme të mëdha, aksioni për prerjen e telave të telefonit dhe telegrafit në të gjithë Shqipërinë, prerja e telave të rrugës Tiranë – Durrës e shumë të tjerë. Ja si u drejtohet shokëve të tij Vojo Kushi pas kryerjes së një aksioni: “Nuk mund të quhet njësit gueril ai që nuk bën aksion. Aksioni u krye me sukses, por ne s’duhet të dehemi nga suksesi. Ne i premë fashizmit një nerv, kurse duhet t‘ia prisnim të gjithë sistemin nervor…” Për të shtypur e thyer këtë rezistencë dhe aktivitet revolucionar të njësiteve guerile në qytetin e Tiranës, prefekti i qytetit nga informacionet dhe ndjekia, që i kishin bërë, i drejtohej më 6 tetor 1942, me një shkresë legjionit të parë të MFSH, për një operacion me rëndësi, që do të bëhej, duke i kërkuar që të vinin në dispozicion të zyrës policore tre kompani për plotësimin e kësaj detyre. Kështu, mëngjesi 17 tetorit e gjeti Vojo Kushin dhe dy shokët e tij të rrethuar plotësisht në vendin e quajtur  “Kodra e Kuqe”. Por nana tiranase Ije Farka, e cila kishte ndenjur tërë natën pa gjumë për të ruajtur tre djemtë, porsa i diktoi që fashistët po afroheshin, shkoi menjëherë në dhomë ku flinin dhe ju foli: “-Shpejt çuna, çohuni se po ju rrethojnë fashistët!” E gjithë Kodra e Kuqe ishte rrethuar nga forca të shumta policie dhe karabinerë, të cilët u binin dyerve dhe bërtisnin duke bërë terror.

Të gjithë rrugicat ishin bllokuar nga forcat e milicisë. Banorët e “Kodrës së Kuqe” bënë të gjitha përpjekjet për të shpëtuar heronjtë, por ishte e pamundur. Në këto kushte të tre djemtë guerilas, përqafuan njëri- tjetrin duke dhënë lamtumirën e fundit, rrëmbyen armët, dolën në oborr dhe vendosën të tre që të çanin rrethimin dhe nëse nuk ia dilnin dot, do të luftonin deri në vdekje. Pasi arritën të futen në një kopësht me zvarritje arritën të futen në një shtëpi tjetër, nga ku nuk mund të shkonin më tej. Armatimi dhe municioni i tre djemëve ishte i pakët, ata kishin një automatik, tre revolverë dhe disa bomba dore, ndërkohë që edhe gjendja e tyre shëndetësore nuk ishte e mirë, përveç Vojo Kushit, i cili nuk kishte probleme, Xhorxhi Martini ishte i plagosur në një aksion, ndërsa Sadik Staveleci ishte i sëmurë me tuberkuloz. Përballë tre djemve zemërluanë, ishin forca të shumta dhe të armatosura shumë herë më mirë se ata. Aksioni për kapjen e tre djemve guerrillas, që vepronin në Tiranë udhëhiqej nga drejtori i përgjithshëm i policies, si dhe nga prefekti i Tiranës. Thirrjes së fashistëve për t’u dorëzuar, të tre të rinjtë, iu përgjigjën, ‘Komunistët nuk dorëzohen kurrë!’ Në këtë kohë, forcat policore marrin urdhërin për ta djegur shtëpinë, por e kishin të vështirë pasi pozicioni që kishte zënë Vojo Kushi nuk i lejonte ata të afroheshin e ta spërkasnin me benzinë. Pas shumë orë luftimesh fashistët italianë, duke parë se nuk po mundnin dot ti asgjësonin, urdhëruan përdorimin e gjashtë tankeve,  të cilat pasi u afruan, filluan të shembnin shtëpitë e banorëve dhe muret e oborreve. Në këtë kohë Vojo Kushi, -Tarzani, me granatë në dorë ju vërsul tankut.

Ai u hodh mbi të për të marrë mitralozin e tankut dhe për t’ua drejtuar forcave fashiste italiane, por në këtë kohë ai qëllohet për vdekje. Gjaku i tij i kuq mbuloi tankun, këtë makineri të fuqishme ushtarake, që italianët i kishin marrë me vete për të vrarë popullin shqiptar. Së bashku me Vojo Kushin u vranë edhe dy shokët e tij, Xhorxhi Martini dhe Sadik Stavaleci. Akti heroik i tre djemve u tregoi fashistëve italianë, se këtu në Shqipëri zot të vendit jemi ne, se ata janë pushtues dhe si të tillë beteja më të përgjakshme i presin pas kësaj. Për këtë ngjarje që bëri bujë të madhe, Enver Hoxha do të shkruante në gazetën “Zëri I Popullit”:-  Në Tiranën e Kuqe po kërcet pushka dhe mitralozi. Luftojnë trimat partizanë, luftojnë tre petritë, tre zemërluanë! Luftojnë si dragonj komunistët Vojo Kushi, Sadik Stavaleci, dhe Xhoxhi Martini kundër armikut tonë të urryer, fashizmit gjakatar, kundër veglave të tij tradhëtare, kundër bastardëve të popullit… Lufta heroike në Kodrën e Kuqe ishte vazhdim i shumë luftimeve të mëparshme të popullit shqiptar, si ajo e 1920, ku jo vetëm banorë nga rrethi i Vlorës, por edhe nga shumë krahina të tjera nën shembullin e heronjëve Selam Musai, Sado Koshena, Kanan Maze e shumë të tjerë luftuan heroikisht deri sa e hodhën në det ushtrinë italiane. Por kjo beteje e këtyre tre djemve zemërluanë, do të pasohej më pas edhe nga shumë e shumë beteja të tjera në luftën nazifashiste, si ajo e katër heronjve të Topanasë në Vlorë, e pesë heronjve të Vigut, beteja në Tendën e Qypit, beteja në kalanë e Margëlliçit në Patos, beteja për çlirimin e Tiranës, Dibrës dhe të gjithë krahinave të tjera në jug e në veri të Shqipërisë, ku dhanë jetën jo pak, por njëzet e tetë mijë djem dhe vajza për çlirimin e vendit. Emrat e këtyre tre heronjve, ashtu si edhe të heronjve dhe dëshmorëve të tjerë të Atdheut, janë shkruar me gërma të arta në gjerdanin e ndritur të kësaj lufte dhe nuk do të mund të shuhen kurrë.