Qëlloi me kallashnikov në ajër, arrestohet 19-vjeçari në Burrel

1674
Sigal

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Burrelit, ku një 19-vjeçar ka qëlluar me armë zjarri në ajër dhe është arrestuar në flagrancë nga policia.

Njoftimi i Policisë:

Mat
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, falë bashkëpunimit me qytetarët, godasin një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Livadhet”.

Qëlluan me armë zjarri në ajër, vihet në pranga një 19-vjeçar, si dhe procedohet në gjendje të lirë një tjetër.

Sekuestrohet një armë zjarri tip kallashnikov. Në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë, parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe goditjen paligjshmërisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, falë bashkëpunimit me qytetarët, të cilët kanë njoftuar në sallën operative për dy të rinj që qëllonin me armë zjarri në ajër, kanë organizuar punën duke finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Livadhet”.

Si rezultat i operacionit u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi I. K., 19 vjeç, banues në Burrel dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi K. K., 18 vjeç, banues në Burrel.

Këta shtetas u kapën gjatë operacionit, në tentativë për t’u larguar, në aksin rrugor Burrel-Komsi, sëbashku me armën e zjarrit, me të cilën këta shtetas kishin qëlluar në ajër në livadhet e fshatit Batër e Vogël.

Nga veprimet e para hetimore të kryera në vendngjarje u gjetën dhe u sekuestruan 10 gëzhoja, të qitura nga arma e sekuestruar nga shërbimet e Policisë gjatë operacionit.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.