Qarku i Korçës me rënien më të madhe të lindjeve në shkallë vendi

295
Sigal

Vite më parë Pogradeci regjistronte 1000 lindje në vit, sot as 600

Kolonja e populluar nga të moshuarit, të rinjtë po paksohen

Vepror Hasani

Qarku i Korçës gjatë këtij viti po shënon rënien më të madhe të numrit të lindjeve në shkallë vendi, gjithashtu gjatë kësaj periudhe shënoi edhe numrin më të madh të vdekjeve. Gjatë tremujorit të parë të këtij viti (2021), qarku i Korçës regjistroi 375 lindje përballë 708 vdekjeve, ndërsa gjatë tremujorit të dytë pati 380 lindje kundrejt 585 vdekjeve.  Lindjet kishin pësuar një rënie prej 10.6% në raport me të njëjtën periudhë kohore, ose e thënë ndryshe vdekjet tejkaluan me 205 numrin e lindjeve. Popullsia e qarkut Korçë po shkon me nxitim drejt plakjes. Trendi i raportit të lindjeve dhe vdekjeve pothuajse qe i njëjtë edhe për vitet 2020 dhe 2019. Gjithashtu lindjet e tremujorit të katërt të vitit 2018 në krahasim me vitin 2017 pësuan një rënie prej 16%; vdekjet i kapërcyen lindjet me 154,  por nëse i krahasojmë ato me censusin e vitit 2011, lindjet regjistruan një rënie prej 31%. Arsyet e kësaj situate që ndihet jo vetëm në qarkun e Korçës i cili kryeson, por në gjithë vendin, janë pothuajse të njëjta. Sipas burimeve zyrtare, kjo gjendje është krijuar për shkak të emigracionit, pasi pjesa më e madhe e të rinjve kanë ikur, megjithatë edhe çdo qark ka problematikën e vet. Nëse në vitin 2015 qarku i Korçës kishte një popullsi prej 220,196 banorë, në vitin 2019 zbriti në 207,889, pra tkurrja e tij nuk po ndalet. Një ndër arsyet e tjera të  rënies së popullsisë dhe e largimit të të rinjve, konsiderohet edhe dimri i gjatë dhe i ftohtë i krahinës së Korçës, i cili rrit kostot e jetesës. Hendeku që po krijohet mes lindjeve dhe vdekjeve duket se do të jetë vështirësisht i rikuperueshëm. Nëse në botën e zhvilluar norma e fertilitetit me 2,1 konsiderohet si niveli i zëvëndësit të popullatës, (ose numri mestar i lindjeve për grua për të mbajtur numrin e popullsisë në nivel konstant), qarku i Korçës edhe këtë tregues e ka në nivelin 1,3 lindje për grua, mjaft të ulët. Numrin më të madh në përqindje për vdekshmërinë e zë përsëri qyteti i Korçës me 2.8%. Pra, gjithë treguesit flasin për përkeqësim të situatës në qarkun e Korçës.

Pogradeci

 

Edhe në rrethin e Pogradecit numri i lindjeve po vjen  në rënie. Nëse disa vite më parë numri i lindjeve gjatë një viti shkonte deri në 1000, aktualisht nuk i kalon 600 lindje në vit. Sipas INSTAT, faktorët që çuan në këtë rënie janë: niveli i arsimit, normat kulturore, përdorimi i metodave kontraceptive, aborti, kostot e rritjes së fëmijëve, emigracioni pasi një pjesë e madhe e të rinjve po largohen, ndërsa mjekët gjinekologë numërojnë edhe një sërë arsyesh të tjera, si: shtyrja e martesës, zbritja e saj nga radha e prioriteteve te djemtë dhe te vajzat; rritja e moshës mesatare për lindje, gjendja ekonomike e vendit, problemet financiare, mungesa e punësimit etj. Gjatë viti 2018 në maternitetin e Pogradecit pati 439 lindje, kur disa vite më parë numri i tyre shkonte mbi 1000. Edhe pogradecarët, shkaqet e paksimit të lindjeve i gjejnë te  situata ekonomike e familjes pogradecare e cila nuk i lejon të kenë më shumë se një fëmijë ose dy. gjatë viteve të fundit pogradeci ka qendruar në  nivelin 550-600 lindje.

 

Kolonja

 

Ndërsa në rrethin e Kolonjës numri i vdekjeve thuajse është sa dyfishi i lindjeve. Më konkretisht numri më i madh i vdekjeve u shënua në vitin 2018 në qytetin e Ersekës me 47 raste, dyfishi i numrit të lindjeve. Ndërsa numri më i ulët i lindjeve ka ndodhur në qytetin e Leskovikut me vetëm 6 lindje bebesh, i cila ka edhe numrin më të ulët të martesave. Sipas banorëve të këtij rrethi, deri më sot nuk ka patur asnjë përmirësim.Në këtë rreth bie në sy gjendja e vështirë ekonomike e familjeve, mungesa e vendeve të punës dhe e shpresës për të ardhmen, gjë që shihet edhe te numri i lartë i të rinjve të emigruar. Ndërsa në qytetin e Ersekës dhe në fshatra kanë mbetur vetëm të moshuar. Martesat po paksohen vazhdimisht. Gjatë vitit të kaluar në Bashkinë e Kolonjës u regjistruaan 108 vdekje dhe 69 lindje Ndërkohë numri i martesaveqendron në shifrat 50-60. Por duhet thënë gjithashtu se numri i lindjeve është në rënie prej vitesh çka bën që popullsia të vijojë të plaket. Më poshtë po japim edhe një tabelë përsa i përket numrit të popullsisë për qarkun e korçës përgjatë viteve 2016-2021, ku jepen numëri meshkujve, numëri i femrave, dhe numri gjithsej i tyre

 

 

PASQYRA E POPULLSISË SË QARKUT KORÇË PËR VITET 2016-2021