Punët artizanale drejt harresës. Artizanët të shqetësuar për të ardhmen e këtyre profesioneve

107
Sigal

Orëndreqës, këpucar, argjendarë e shumë profesione të tjera artizanale, janë tashmë drejt zhdukjes. Me ndryshimet e mëdha teknologjike dhe industriale, duket se disa profesione nuk përbëjnë më aspak interes për t’u ndjekur e për rrjedhojë rrezikojnë që në një të ardhme jo të largët, të mos ekzistojnë më.

Qyteti i Elbasanit gjithnjë është dalluar për artizanët e shumtë, të cilët falë pasionit dhe punës së palodhur, kanë arritur të ndërtojnë të ardhmen e tyre dhe atë të fëmijëve. I tillë është Medai Kambo, 68 vjeç, i cili i ka dedikuar plot 55 vite riparimit të këpucëve. Ai tregon se pasioni, e mbi të gjitha puna e palodhur e kanë bërë të ketë sukses e të mbajë familjen, pa iu dashur të emigrojë.

“Zanatin e këpucarit ma trashëgoi gjyshi im që në moshën 13 vjeçare. Unë e mësova që i vogël, pa u shkëputur në asnjë moment. Edhe pse studiova për agronomi, nuk më lindi kurrë nevoja të punoja në këtë profesion, pasi puna si këpucar më jepte fitime të mjaftueshme për të bërë një jetesë të mirë. Mbajta familjen, rrita tre fëmijë dhe i shkollova me të ardhurat që punishtja ime modeste më jepte dita-ditës. Në gjithë këto vite nuk ia kam patur kurrë nevojën kujt. Unë kam dhënë borxh, dhe nuk kam marrë kurrë”,- tregon ndër të tjera Medaiu.

Keqardhja e tij dhe e shumë profesionistëve të tjerë është e dukshme, teksa rrëfejnë se asnjë nga fëmijët nuk ka dashur ta trashëgojë profesionin e tij. Kjo sipas Medaiut vjen, sepse të rinjtë e sotëm duan të pasurohen shpejt, të jenë në pozicione të larta dhe të japin urdhra.

“Punën unë e dua, nuk dal e pi kafen në lokal, por e pi këtu në punishten time. Troket dikush dhe dyqani duhet të jetë i hapur. Shoh që rinia e sotme nuk ka interes aspak të punojë. E shoh tek fëmijët e mi, të cilët i kam nxitur ta mësojnë profesionin, por nuk shoh interes. Rinia duan të jenë në grada të larta, kërkon të pasurohet shpejt.”

 

Sa i përket të ardhmes, Medaiu është skeptik. Puna ndër vite ka rënë, dhe kjo sipas tij ka ardhur si pasojë e zbehjes së interesit për t’i riparuar gjërat, kur malli në treg është i madh. “E ardhmja është e frikshme, ky profesion po humbet dhe këtë e shoh çdo ditë. Në çdo zanat kjo po ndodh. Zanati për mua është i bukur, është padyshim i domosdoshëm në çdo epokë, sado modernizim të ketë. Do ia kemi gjithmonë nevojën orëndreqësit, këpucarit, rrobaqepëses etj.

Të frikshme e sheh të ardhmen e punëve artizanale edhe Agron Muka, i cili prej vitesh zotëron një dyqan të vogël në qendër të qytetit ku punon si orëndreqës. Plot 50 vite në këtë lloj zanati, Agroni rrëfen se puna si orëndreqës i ka dhënë një të ardhme të mirë atij dhe fëmijëve të tij. 69 vjeçari pasioni i të cilit ka nisur që 13 vjeç, dëshpërohet tek sheh që zanatin e tij nuk ka arritur ta përçojë tek asnjë prej fëmijëve, nipërve të tij.

 “Prej 50 vitesh ushtroj zanatin e bukur të orëndreqësit, dhe i keqardhur them se puna ka rënë, njerëzit e zëvendësojnë orën e vjetër me një të re, më të bukur e të sofistikuar. Kjo do bëjë që shumë shpejt askush të mos ketë interes për të shkuar tek orëndreqësi, e shumë zanatçinj të tjerë. Mua më vjen keq kur e shoh këtë mungesë interesi tek brezi i ri, e ardhmja jonë. E vërej edhe tek fëmijët e mi, të cilët nuk duan t’ua mësoj zanatin. Kanë zgjedhur të vazhdojnë shkollë, dhe shumë mirë bëjnë, por zanati është zanat, nuk të lë pa gjë. Në mos rrjedh, do pikojë them unë”, -tregon orëndreqësi Agron Muka me keqardhje.

Një tjetër zanat që po humbet është edhe ai i qëndistares. Etleva Ahmati ia ka dedikuar jetën punimit të kostumeve popullore, për të menduar tashmë mbylljen e këtij kapitulli. Kjo pasi njerëzit nuk kanë më interes të blejnë një veshje me motive popullore, që t’u shërbejë si kujtim i traditës së vendlindjes.

“Para disa vitesh puna ishte më e mirë, por tani nuk hyn më askush në dyqan. Vetëm në periudhën kur vjen ndonjë emigrant, tek tuk ka ndonjë lëvizje të pakët, por sërish gjendja është dëshpëruese. Të ardhmen e punimeve artizanale e shoh me shumë vështirësi, për mos thënë në kolaps. As fëmijët e mi nuk kanë dashur t’ua mësoj, pasi shohin se ky zanat nuk ka të ardhme. Kanë zgjidhur rrugë të tjera me shpresën se do gjejnë veten. Më vjen keq ta konstatoj, por është e vërteta. Punët artizanale nuk i do më askush, e kanë më mirë ta blejë të gatshme diçka sesa ta sjellin për ta qepur. Ndërsa kostumet popullore edhe pak kohë dhe nuk do t’i shohë më askush me sy,”- tregon me keqardhje Etleva. E njëjta keqardhja dallohet në fytyrën e çdo zanatçiu, për të cilin pasioni ka predominuar dhe puna i ka bërë të sigurojnë një jetesë të mirë. Por jo vetëm kaq. Zanate si këto do i duhen njeriut në çdo epokë, sado të përparojë shkenca dhe teknologjia. Argjendari Kujtim Meta, me origjinë nga Dibra e Madhe, prej vitesh është vendosur në Elbasan, ku ka ndërtuar jetën. Një jetë kushtuar pasionit të tij për të punuar kryesisht unaza të personalizuara, bizhu me vlerë e që janë autentike në treg.

 

“Nisi si pasion për t’u kthyer që në moshë të vogël në një profesion të mirëfilltë. E kam trashëgimi nga gjyshi im, i cili pa që kisha prirje dhe më mori në punishten e tij, për të më mësuar pastaj çdo të fshehtë të këtij profesioni. Gjyshi ishte më i lumturi që arriti ta trashëgonte profesionin e tij tek unë. Ndërsa unë sot jam pesimist se kjo trashëgimi do mbetet deri tek unë, pasi asnjë prej fëmijëve nuk ka dashur ta ushtrojë. Ata dinë ta bëjnë, por refuzojnë të merren me këtë zanat, pasi u duket me pak vlerë monetare. Unë u them që me këtë zanat ju kam rritur e shkolluar dhe fitimi vjen me punë. Unë në fakt jam edhe koleksionist orësh dhe riparues i veglave muzikore. E dua të bukurën, zanatin. Zanati nuk të lë kurrë pa gjë. Ai përfundon aty kur robi nuk punon më,”.

Punimet artizanale janë tashmë drejt zhdukjes. Kjo konstatohet tek të gjithë zanatet e mësipërme, si edhe shumë zanate të tjera në të cilat vërehet një interes gjithnjë e në ulje. Trashëgimia e lënë nga të parët ka vijuar të ndiqet deri tek brezi i tretë i sotëm, akoma më pak në brezin e dytë, ndërsa të rinjtë jo vetëm që nuk e trashëgojnë, por nuk kanë asnjë interes për të.

Nga Bashkia Elbasan ka patur nxitje të vazhdueshme për të promovuar punimet artizanale, si në panairin e Ditës së Verës, ku u ftuan zanatçinj të reklamojnë produktet në mënyrë që qytetarët të afrohen më tepër me traditën e vendit. Enida Bebi prej 20 vitesh ushtron profesionin e mësueses, por pasioni për të krijuar punime artizanale me grep e bëri që të hapë një faqe online ku reklamon produkte unike.

“Kam punuar si shumica e zonjave mbulesa, çentro, e gjithçka tjetër që ka të bëjë me zbukurimin e shtëpisë, por lodrat me grep kam filluar t’i punoj rreth 3 vite më parë. Ka patur shumë interes nga mamatë dhe është parë si një formë higjienike për fëmijët e tyre. Isha e pranishme edhe në panairin e Ditës së Verës, ku nga Bashkia na u ofruan stenda ku mundëm të reklamojmë dhe të shesim punimet tona. Interesi ishte më i madh nga çfarë unë prisja,” -është shprehur Enida. Anxhela Dyrmyshi