Puna e policisë, Tahiri bën bilancin për 2016

471
Sigal

Ministri i Brendshëm,
Saimir Tahiri bëri bilancin e vitit 2016 të Policisë së Shtetit, duke thënë se
“viti i kaluar ishte një vit që, falë punës së palodhur, e nxori policinë nga
rrënimi dhe degradimi profesional”. Në një konferencë për mediat, ministri
Tahiri raportoi edhe për sfidat e 2017.

“Shqipëria në vitin
2016 ishte më e sigurtë, me më pak ngjarje kriminale, policia ishte në shërbim
të qytetarit, besimi tek policia u rrit. Kjo konfirmohet dhe nga telefonatat e
shtuara nga numrat e emergjencës, duke sjell ulje të kriminalitetit. Fitorja më
e madhe e jona nuk është krahasimi i shifrave, por me mentalitetin. Sot
përballë policisë nuk ka më të pandëshkueshëm e të pabarabartë”, tha ministri
Tahiri.

Ai u shpreh se policia
tashmë është më pranë qytetarëve, duke zgjidhur hallet e tyre në çdo drejtim.
“Në komisariate dhe drejtoritë e policisë janë shërbyer mbi 350 mijë qytetarë”,
tha Tahiri.

Ministri theksoi se për
vitin 2016 janë konfiskuar 47.6 milionë euro pasuri dhe asete kriminale. “Kjo
është shifra që fakton se kemi ndjekur peshqit e mëdhenj. Gjatë 3 viteve janë
konfiskuar 100 milionë asete e pasuri kriminale ku nga këto vetëm në vitin
2016, janë konfiskuar 47.6 milionë euro pasuri e vënë përmes krimit. Janë kapur
mbi 2100 persona të shpallur në kërkim. Me Interpol e Europol janë 15 mijë
informacione të shkëmbyera. 90 persona janë arrestuar me qëllim ekstradimin nga
vende të tjera drejt Shqipërisë, pra kjo është rruga që po na çon drejt
goditjes së peshqve të mëdhenj dhe po i godasim ato. Asnjëri nuk mund të thotë
të kundëtën”, tha Tahiri.

Në lidhje me sfidat e
policisë për vitin 2017, Tahiri tha se “dhuna në familje dhe armëmbajtja pa
leje janë prioritetet madhore”.