“Pse ikin shqiptarët?”, Meta: Miliardat e buxhetit grabiten me koncesione, PPP e tendera sekretë dhe asnjë lek nuk shkon për qytetarë

84
Sigal

Nga protesta e thirrur nga opozita e bashkuar, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta teksa sulmoi qeverinë “Rama” tha se në vendin tonë një km rrugë kushton 6 herë më shtrenjtë se në Serbi apo 8-10 herë më shumë se në vendet e BE.

Po ashtu Meta foli për tendera sekrete të dyshimta dhe PPP korruptive. Duke u ndalur te buxheti i 2023-shit, Meta tha se “Qeveria e kapur për gryke nga oligarkët dhe mafia po bën gjithshka që të asgjësojë prodhimin vendas me taksa të reja dhe akciza të jashtëzakonshme”.

“Përse ikën një qytetar nga Serbia për 1 mijë banorë, ndërsa ikin 12 nga Shqipëria, sepse në Shqipëri një km rrugë e re kushton 6 herë më shtrenjtë se në Serbi, dhe 8-10 herë më shtrenjtë se në BE.
Përse çmimi i naftës në Maqedoni, Mal të Zi e Kosovë është shumë më i ulët se në Shqipëri, e cila prodhon naftë?

Përse vaji, mielli, buka, ushqimet bazë të mbijetesës janë shumë më të lira në Maqedoni e Kosovë se sa në Shqipëri? Përse qytetarët e Peshkopisë, e Maqellarës, apo të Pogradecit i blejnë ushqimet në Maqedoninë e Veriut, ku janë shumë më lirë edhe pse pagat atje janë shumë më të larta se sa këtu.
Sepse miliardat e buxhetit grabiten me koncesione, PPP e tendera sekrete me dhjetfishin e çmimit dhe asnjë lek nuk shkon për qytetarët.
Sepse qindra milionë euro të ardhura që vijnë nga rritjet e çmimeve, gllabërohen nga PPP pa fund dhe asnjë lek ndihmë nuk u jepet qytetarëve.
Mbi shpatullat e qytetarëve bie pesha e borxhit shumë të rëndë publik që ka arritur gati 14 miliardë Euro, që po e çon vendin drejt greminës financiare. Në vitin 2013 borxhi publik ka qenë 62.4%, ndërsa sot, është 107%.
Nëse Maqedonia e Veriut e shlyen borxhin e saj me 1 vit eksporte, në Shqipëri nevojiten 13 vite eksporte, sepse ky merr borxhe për të shlyer borxhe, që ky të fluturojë në luks dhe shqiptarët të zhyten në mjerim.
Qeveria e kapur për gryke nga oligarkët dhe mafia po bën gjithshka që të asgjësojë prodhimin vendas me taksa të reja dhe akciza të jashtëzakonshme dhe po godet pa mëshirë shtresën e mesme, që ti dobësojë e ti detyrojë të largohen nga vendi.