Pronat shtetërore, si do të jepen me qira

1057
Ministria e Financave përcakton kriteret e procedurës dhe mënyrës së lidhjes së kontratave me privatët
Ministria e Financave ka detajuar me një udhëzim të posaçëm mënyrën e veprimit për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore. Udhëzimi i firmosur nga ministri Arben Ahmetaj nënvizon se dokumentacioni për dhënien me qira, ose enfiteozë të pasurisë shtetërore, përgatitet nga institucionet e qeverisjes qendrore, njësitë e vetëqeverisjes vendore, shoqëritë me kapital 100% shtetëror, ndërmarrjet shtetërore, që ka në administrim pasurinë shtetërore, si dhe nga degët e shoqërive publike në prefekturat përkatëse për pasuritë shtetërore, që shtrihen në territorin që ato mbulojnë, por që nuk janë në administrim, të ndonjë shoqërie, ndërmarrje, institucioni të qeverisjes qendrore, apo njësi e vetëqeverisjes vendore. “Dokumentacioni dërgohet për procedurat e mëtejshme për dhënie me qira, enfiteozë pranë organit që ka të drejtën e lidhjes së kontratës”, thotë udhëzimi.

Përcaktimet e udhëzimit
Në rastet kur pasuria shtetërore është në pronësi të organeve të vetëqeverisjes vendore apo të institucioneve të qeverisjes qendrore, atëherë procedurat për dhënien me qira, ose enfiteozë do të kryhen nga këto organe. Dhënia me qira e makinerive, e pajisjeve të shkëputura dhe linjave të prodhimit, në të gjitha rastet e lidhjes së kontratave, bëhet nga njësia që ka në administrim objektin e kontratës së qirasë, e cila përcakton vlerën e qirasë mujore për çdo vit.

Institucioni që ka në administrim objektet e dhëna me leje shfrytëzimi të pasurive minerare, peshkimit, ujërave etj., në rastin kur kërkohen me qira asete në ndihmë të aktivitetit të lejes përkatëse, plotëson dokumentacionin për dhënien me qira të tyre dhe e përcjell në institucionin që monitoron lejen e shfrytëzimit, për të lidhur kontratën e qirasë. Kontrata e qirasë lidhet për një periudhë jo më të gjatë, se afati i lejes së dhënë. Në kontratën e qirasë, nuk përfshihet sipërfaqja e dhënë me leje shfrytëzimi, por përfshihen sipërfaqet dhe objektet, në ndihmë të ushtrimit të veprimtarisë, për të cilën është licencuar.

Subjekti paraqet në ministrinë që ushtron përgjegjësinë administrative mbi institucionin, ndërmarrjen apo shoqërinë shtetërore që ka në administrim pasurinë përkatëse, kërkesën për kontratë huapërdorje, për sipërfaqen e ndërtimit të fabrikave, të konfirmuar në plan-biznesin e paraqitur për marrjen e lejes së shfrytëzimit, të shoqëruar me dokumentacionin që do të kërkohet, nga ministria përkatëse. Kontrata e huapërdorjes lidhet nga ministria me të drejtë përsëritjeje deri në përfundimin e periudhës së licencimit.

Për dhënien me qira të pasurive shtetërore për nevoja të institucioneve shtetërore (qendrore e vendore), dokumentacioni për lidhjen e kontratës së qirasë përgatitet dhe vlera e detyrimit mujor të qirasë aplikohet referuar tarifave dysheme, të përcaktuara në VKM.

Për pasuritë shtetërore me sipërfaqe deri në 200 m², kontrata e qirasë lidhet nga vetë institucioni shtetëror, që ka në administrim pasurinë. Për pasuritë shtetërore me sipërfaqe mbi 200 m² kontrata e qirasë lidhet nga institucioni, që ushtron të drejtën e përfaqësuesit të pronarit të pronës shtetërore.

Për dhënien me qira të pasurive shtetërore, subjekteve shtetërore ose private për ushtrimin e aktiviteteve në fushën e sportit, kulturës, turizmit dhe trashëgimisë kulturore, kundrejt investimeve në pasurinë shtetërore të vlerave mbi 100 milionë lekë, të drejtën e lidhjes së kontratës së qirasë e ka institucioni që ushtron të drejtën e përfaqësuesit të pronarit të pronës shtetërore. 

Shtesat në kontratë për sipërfaqet funksionale, në kufi me objektin e kontratës së qirasë, për sipërfaqe jo më shumë se 50% e sipërfaqes totale të marrë me qira dhe kur subjekti qiramarrës është i rregullt me zbatimin e detyrimeve kontraktore, do të bëhen me aneks-kontratë, sipas dokumentacionit të përgatitur, nga institucioni që ka në administrim objektet. Vlera e detyrimit mujor të qirasë, aplikohet sipas tarifave dysheme të përcaktuara në VKM. Të drejtën e lidhjes së aneks-kontratës mbi shtesat e sipërfaqeve funksionale e ka institucioni, që ka lidhur kontratën bazë, deri në përfundim të afatit të kësaj të fundit.

Zgjatja e afatit të kontratës së qirasë për kontratat e lidhura me afat më të shkurtër bëhet kur subjekti qiramarrës ka realizuar të gjitha kushtet e kontratës. Subjekti qiramarrës paraqet kërkesën për zgjatjen e afatit të kontratës, pranë institucionit që ka lidhur kontratën e qirasë. Titullari i institucionit që ka lidhur kontratën fillestare të qirasë vendos pranimin ose refuzimin e arsyetuar të kësaj kërkese.

Subjekti paraqet kërkesën në organin që ushtron përgjegjësinë administrative mbi pasurinë përkatëse. Në rast se, në momentin që kërkohet, kjo pasuri shtetërore nuk është më aset i ndonjë ndërmarrje shtetërore, pjesë e kapitalit të shoqërive shtetërore, apo nën administrimin e institucioneve shtetërore, ministria përgjegjëse për ekonominë, në bazë të tagrit të përfaqësuesit të pronarit për pronën shtet, lidh kontratën e qirasë.

Subjekti privat që është shpallur fitues dhe ka lidhur kontratë paraqet kërkesën në organin që ushtron përgjegjësinë administrative mbi pasurinë përkatëse. Afati i kontratës së qirasë do të lidhet ngushtësisht me kontratën e lidhur. 

Institucioni që përgatit dokumentacionin merr konfirmimin, se pasuria është “tokë e pafrytshme” nga Drejtoria e Administrimit të Mbrojtjes së Tokës në Qarkun përkatës. Tokat e pafrytshme lejohet të jepen me qira, për qëllime blegtorale, bujqësore, kulturore, industriale etj., sipas objektit të veprimtarisë së subjektit qiramarrës. Të drejtën e lidhjes së kontratës për pasurinë “tokë e pafrytshme” e ka ministria përgjegjëse për ekonominë. 

Dokumentacioni, që i paraqitet komisionit në orën e hapjes së konkurrimit apo që paraqitet në rastet kur objekti jepet me qira pa konkurrim, duhet të përmbajë:

a) kërkesën e subjektit për marrje me qira të pasurisë shtetërore, ku në të të deklarohet oferta për vlerën e detyrimit mujor të qirasë, qëllimi i marrjes në përdorimit të pronës shtetërore, si dhe treguesit e konkurrimit të parashikuar sipas planit të biznesit;

b) plan-biznesin e hollësishëm për vënien në funksionim të objektit, në të cilin duhet të përfshihet informacioni i përcaktuar në VKM, i cili duhet të përmbajë siglën dhe vulën e administratorit të shoqërisë ose personit fizik, në çdo faqe të tij;

c) deklaratat në formën e vetëdeklarimit ku të përfshihet informacioni i mëposhtëm: 
– Deklaratë mbi NIPT/NUIS të subjektit kërkues;
– Deklaratë për shlyerjen e detyrimeve tatimore dhe sigurimet shoqërore;
– Deklaratë mbi administratorin dhe subjektin juridik ofertues nëse është në ndjekje penale, si dhe nuk ka procese gjyqësore në lidhje me aktivitetin;
– Në rastet kur subjekti konkurrues zhvillon aktivitet me qira ose enfiteozë në objekte pronë shtetërore, të deklarojë shlyerjen e detyrimeve, në të kundërt të theksojë se nuk ushtron aktivitet në objekte shtetërore.

Dokumentacioni, që i paraqitet komisionit në orën e hapjes së konkurrimit për marrjen e pasurisë shtetërore me enfiteozë, nga subjekti konkurrues, i cili në çdo rast do të jetë shoqëri tregtare, duhet të përmbajë:
a) kërkesën e subjektit për marrje me qira të pasurisë shtetërore, ku në të të deklarohet oferta për vlerën e detyrimit mujor të qirasë, qëllimi i marrjes në përdorimit të pronës shtetërore, si dhe treguesit e konkurrimit të parashikuar sipas planit të biznesit;

b) CV-në e subjektit, ku të tregohet përvoja në fushën e aktivitetit ekonomik, që do të ushtrohet në pasurinë që jepet me enfiteozë, të shoqëruar me dokumentacion vërtetues;
c) plan-biznesin e hollësishëm për përmirësimin e pronës, i cili duhet të përmbajë siglën dhe vulën e administratorit të shoqërisë, në çdo faqe të tij;
d) përshkrimin e projekt-ideve të investimit, të dhëna për nivelin e investimeve të parashikuara në pasuri të paluajtshme dhe në objektin në tërësi, shoqëruar me projekte, skica dhe dokumentacion tjetër paraprak, si dhe burimin e financimit të projektit;
e) Deklaratat në formën e vetëdeklarimit ku të përfshihet informacioni i mëposhtëm:
– Deklaratë mbi NIPT/NUIS të subjektit kërkues
– Deklaratë për shlyerjen e detyrimeve tatimore dhe sigurimet shoqërore
– Deklaratë mbi administratorin dhe subjektin juridik ofertues nëse është në ndjekje penale, si dhe nuk ka procese gjyqësore në lidhje me aktivitetin
– Në rastet kur subjekti konkurrues zhvillon aktivitet me qira ose enfiteozë në objekte pronë shtetërore, të deklarojë shlyerjen e detyrimeve, në të kundërt të theksojë se nuk ushtron aktivitet në objekte shtetërore.

Në planin e biznesit duhet të përshkruhen treguesit, që do të realizohen brenda një periudhe jo më të gjatë, se 1/4 e afatit të kontratës, të cilat duhet të ruhen, deri në fund të afatit të kontratës. Në urdhrin e titullarit të institucionit, që zhvillon procedurën e konkurrimit për marrje me qira/enfiteozë të pasurive shtetërore, përcaktohet vendi, data dhe ora e paraqitjes së ofertave.

Komisioni i vlerësimit, i cili ka në përbërje të tij jo më pak se 3 persona, i hap të gjitha ofertat në datën, vendin dhe kohën e përcaktuar në urdhrin e titullarit, në prani të konkurrentëve, pas mbarimit të afatit përfundimtar për paraqitjen e ofertave. Emri, adresa e ofertuesit, oferta e të cilit hapet, dokumentacioni ligjor dhe çdo dokument i kërkuar nga autoriteti kontraktues, si dhe çmimi i çdo oferte, lexohen me zë të lartë për ata persona që janë të pranishëm dhe regjistrohen në procesverbalin e procedurës së konkurrimit. Komisioni i vlerësimit, brenda 15 ditëve pune bën shqyrtimin e ofertave të paraqitura, verifikon dokumentacionin e paraqitur dhe/ose përmes platformës elektronike e-albania ose nëpërmjet komunikimit dhe ndërveprimit ndërinstitucional dhe vlerëson me pikë çdo element konkurrimi, sipas përcaktimit në urdhrin e titullarit. Komisioni mund të shqyrtojë përmbajtjen e ofertave, vetëm pasi të ketë përfunduar afati kohor i përcaktuar në urdhrin e titullarit, për dorëzimin e tyre.

Në rastet e pamundësisë teknike të funksionimit të platformës elektronike e-albania për verifikimin e dokumentacionit të paraqitur nga ofertuesit, atëherë komisioni do të marrë në shqyrtim dokumentet e paraqitura me shkrim, dorazi ose përmes postës, të nënshkruara dhe të mbyllura në zarf, nga ofertuesit. Në rast të pamundësisë për shqyrtimin dhe verifikimin e dokumentacionit në një prej formave të përcaktuara, komisioni do të vijojë me shtyrjen e arsyetuar të afatit jo më shumë se 5 ditë. Komisioni në çdo rast ngarkohet për njoftimin e ofertuesve mbi shtyrjen e afatit. Komunikimi, shkëmbimi dhe ruajtja e informacionit kryhen në një mënyrë të tillë që të sigurojë ruajtjen e integritetit të të dhënave, konfidencialitetin e ofertave dhe të kërkesave për pjesëmarrje. Komisioni, pas verifikimeve përkatëse, skualifikon çdo ofertues, që paraqet të dhëna të rreme, për qëllime kualifikimi, në çdo kohë, deri në momentin e lidhjes së kontratës. 

Në të gjitha rastet kur ka më shumë se një ofertë të vlefshme, për vlerësimin e ofertuesit fitues, vlerësimi do të bëhet në zbatim të “metodologjisë së vlerësimit”, si më poshtë vijon:

Ofertat do të vlerësohen në bazë të kritereve dhe metodologjisë së vlerësimit dhe fitues do të konsiderohet ai ofertues, që ka numër më të lartë të pikëve, në bazë të kritereve të vlerësimit.

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave do të vlerësojë ofertat, duke u bazuar në kriteret dhe pikët e shpallura në konkurrim (pikët do të variojnë dhe përcaktohen në bazë të rëndësisë që do t’i akordohet një kriteri të caktuar nga institucioni përgjegjës, në varësi të procedurës konkurruese rast pas rasti), duke vlerësuar ofertën më të favorshme me pikët maksimale/minimale të kriterit. 

Subjektet konkurruese kanë të drejtën e ankimit kundër vendimit të komisionit. Ankesa i paraqitet, së pari, me shkrim, titullarit të institucionit brenda 5 ditëve pune nga dita e nesërme e punës, kur ankimuesi është vënë në dijeni të shpalljes së subjektit fitues. Titullari i institucionit shqyrton ankesën dhe kthen përgjigje të arsyetuar, me shkrim brenda 10 ditëve pune pas marrjes së ankesës, të cilën duhet t’ia njoftojë ankuesit jo më vonë se në ditën vijuese të punës.

Pas procedurave të lartpërmendura dhe shpalljes së subjektit fitues, pranë institucionit që zhvillon procedurën konkurruese, me daljen e autorizimit të titullarit të institucionit për lidhjen e kontratës, subjekti qiramarrës/enfiteozëmarrës duhet të paraqitet brenda 30 ditëve për nënshkrimin e kontratës. Në rast të mosparaqitjes së subjektit qiramarrës, brenda këtij afati për nënshkrimin e kontratës, pasuria rilidhet në konkurrim. Shpenzimet për lidhjen e kontratës do të jenë në ngarkim të subjektit qiramarrës /enfiteozëmarrës.

Kthimi i garancisë së kontratës realizohet pasi të jenë shlyer të gjitha detyrimet e marrëveshjes kontraktore. Në rast se kontrata zgjidhet nga qiramarrësi ose enfiteozëmarrësi për shkaqe të cilat qiradhënësi ose enfiteozëdhënësi nuk mund të mbajë përgjegjësi, garancia mbahet si penalitet.

Me detyrime të marrëveshjes kontraktore, në mospërmbushje të të cilave garancia do të mbahet si penalitet, do të kuptojmë:
1) mosshlyerjen e vlerave të përmuajshme të qirasë;
2) penalitetet e vendosura si pasojë e mosrealizimit të nivelit të investimeve;
3) penalitetet e vendosura si pasojë e mosrealizimit të nivelit të punësimit.
Sigal