Prokuroria e Tiranës merr në pyetje tre specialistët që firmosën shembjen e Teatrit Kombëtar

326
Sigal

Prokuroria e Tiranës ka thërritur që të marrë në pyetje 3 specialistët e Institutit të Ndërtimit, të cilët kanë firmosur ekspertizën për prishjen e Teatrit Kombëtar. 3 specialistët janë paditur dhe nga ana e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit disa ditë më parë në prokurorinë e Tiranës.

Aktivistët kanë denoncuar tre inxhinierë, Artur Hasantare, Olsi Nunaj dhe Elbarina Kola. Sipas aktivistëve, këta persona kanë kryer shembjen e teatrit pa një akt ekspertim fizik të godinës, por janë bazuar në akte ekspertimi të kryera nga kolegët e tyre dy vite më parë, të cilët nuk kishin dhënë atëherë një qëndrim përfundimtar.

Nga ana tjetër SPAK njoftoi disa ditë më parë se ka nisur hetimi për kallëzimin e kryer nga AMT ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe nënkryetarit Arbjan Mazniku, por se nuk ka emër të regjistruar.

Aktivistët akuzojnë Veliajn dhe Maznikun për “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion pasiv të zyrtarëve që kryejnë funksione publike”, duke pretenduar se, bazuar në ligjin special për ndërtimin e teatrit të ri me partneritet publik-privat, nuk ka më mundësi që ky ndërtim të bëhet vetëm nga pala e shtetit.