Pavarësia Kombëtare mbledh shqiptarë dhe grekë në mbrëmje gala në Selanik

754
Me rastin e 28-29 Nëntorit, Konsullata Shqiptare në qytetin e Selanikut ka organizuar një mbrëmje ku të ftuar kanë qenë pjesëtarë të shquar të komunitetit shqiptar në Selanik, por si dhe figura të njohura mediatike e diplomatike nga institucionet greke. Me iniciativën e kreut të Konsullatës Shqiptare në Selanik, Znj. Pavlina Evro, kjo mbrëmje ka sjellë bashkë shumë shqiptarë, ku nuk kanë munguar fjalimet e ndryshme nga personalitete, si dhe performanca të tjera artistike.

Të ftuar të tjerë me rëndësi kanë qenë gazetarë të rëndësishëm nga e përditshmja greke “Kathimerini” si figura e njohur, Stavros Tzimas apo drejtues të mediave me emër si “Makedonia & Trakia”, përgjegjëse për shtypin e Athinës.

Mbrëmja u hap me këndimin e Himnit shqiptar, ku pjesëmarrësit në sallë njëzëri shoqëruan njëri-tjetrin përmes vargjet e Asdrenit.

Më pas, kreu i Konsullatës, Znj. Evro, mbajti një fjalim mjaft mbresëlënës, duke nxjerrë në pah arritjet e Shqipërisë përgjatë vitit që u la pas.

FJALA E KONSULLES, PAVLINA EVRO:
Shqipëria sot feston 105-vjetorin e Pavarësisë dhe 73-vjetorin e çlirimit nga pushtuesit nazi-fashistë. Vendi ynë, në këtë jubile vjen me shumë fitore të reja si shtet demokratik. Këtë vit ne patëm zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, Z. Ilir Meta. Gjithashtu në Qershor të këtij viti, Shqipëria zhvilloi me sukses zgjedhjet e reja parlamentare, me një rikonfirmim të Z. Edi Rama si Kryeministër. Ka kohë që ne jemi në një prag reformash jetike dhe të rëndësishme për vendin tonë në të gjithë fenomenet bllokuese, si korrupsioni, kriminaliteti dhe informaliteti. Me ndihmën e aleatëve tanë të mëdhenj, ne po aplikojmë procesin e veting-ut në sistemin e drejtësisë. Qeveria shqiptare ka një ridimensionim të diplomacisë ekonomike. Në këtë kuadër do të ketë një trajtim të veçantë për investitorët e ardhur nga Diaspora e vjetër dhe Diaspora e re shqiptare. Të mirëpritur janë të gjithë ata që duan të investojnë në Shqipëri, sidomos investitorët nga Greqia, si një vend mik, fqinj dhe strategjik për Shqipërinë. Të dashur miq! Të gjithë sëbashku duhet të rrugëtojmë drejt një të ardhmeje më të mirë për brezat e rinj, për më shumë paqe, për më shumë bashkëpunim. Pa dashur të zgjatem edhe më në fjalën time, ju uroj gëzuar dhe ju falenderoj për pjesëmarrjen tuaj! Gëzuar! 

Pjesë e të ftuarve ishin dhe studentët shqiptarë, të cilët po arsimohen në qytetin e Selanikut. Një prej tyre, Klajd Heta, një student i shkëlqyer në Kolegjin Amerikan të Selanikut, i cili njëkohësisht ushtron dhe profesionin e gazetarit, shprehet se për të është Pavarësia e dytë që feston në qytetin e Selanikut, dhe se Konsullata Shqiptare po bën një punë mjaft të mirë për të afruar edhe studentët shqiptarë në raste organizimesh apo për t’i dëgjuar për çdo problematikë që ata shtrojnë.

Mes tingujve të bukur të muzikës shqiptare dhe bisedave të ngrohta në gjuhën shqip, ky eveniment ka nxjerrë në pah edhe njëherë atdhedashurinë e shqiptarëve për vendin e tyre, dhe respektin që ata ruajnë për bashkatdhetarët e tyre në vendin ku jetojnë.
Sigal