Projektligji i ri për policinë: punonjësit me 30 vjet shërbim do mbyllin karrierën 55 vjeç, duke përfituar 70% të pagës deri në daljen e pensionit

18

Projektligji “Për Policinë e Shtetit”, i publikuar në konsultimet publike nga Ministria e Brendshme, parashikon se punonjësit e moshës 55-vjeçare, pas 30 viteve shërbim, do të përfitojnë trajtim të veçantë për periudhën e mbetur deri në pensionin e plotë të pleqërisë.

Sigal

Trupa policore pritet të formatohet, ku policët e moshuar “do të largohen” nga radhët e policisë me trajtim të veçantë financiar.

Projektligji “Për Policinë e Shtetit”, i publikuar në konsultimet publike nga Ministria e Brendshme, parashikon se punonjësit e moshës 55-vjeçare, pas 30 viteve shërbim, do të përfitojnë trajtim të veçantë për periudhën e mbetur deri në pensionin e plotë të pleqërisë.

Sipas draftit, skema do të garantojë një rifreskim të trupës policore dhe kostot do të përballohen nga buxheti i Policisë së Shtetit.

“Është propozuar një skemë e trajtimit të veçantë të shërbimit për t’u dhënë mundësinë punonjësve të policisë të mbyllin karrierën policore pas 30 vitesh shërbimi në moshën 55-vjeçare duke përfituar këtë trajtim financiar për periudhën e mbetur deri në pensionin e plotë të pleqërisë, por gjithashtu pa cënuar edhe të drejtën e dypunësimit sipas legjislacionit në fuqi.

Një tjetër aspekt i trajtimit financiar të propozuar është edhe shpërblimi i menjëhershëm në masën e 6 pagave kur punonjësi i policisë përfiton trajtim të veçantë shërbimi ose del në pension pleqërie.

Ofrimi i kredisë me interesa të butë për strehim për punonjësit e policisë, sigurimit shëndetësor të veçantë dhe kompensimit në rastet e plagosjes dhe dëmtimit të shëndetit të punonjësve të policisë janë një tjetër aspekt i rëndësishëm i trajtimit të punonjësit të policisë”,- citohet në relacion.

Trajtimi i veçantë i shërbimit përfitohet me kërkesën e punonjësit të policisë, pas miratimit dhe me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe mbulohet nga buxheti i Policisë së Shtetit.

Në nenin 110 të projektligjit për trajtimin e veçantë të shërbimit përcaktohet se përveç përfitimit të shpërblimit të menjëhershëm në vlerën e 6 pagave mujore, masa e trajtimit të veçantë të shërbimit deri në mbushjen e moshës së pensionit është sa 70% të pagës neto të muajit të fundit. Gjithashtu për çdo vit shërbimi mbi 30 vjet masa e trajtimit rritet me 1% të pagës, por nuk duhet të kalojë 80% të saj.

“Punonjësi i policisë̈, që iu nënshtrohet kushteve të këtij neni, përfiton trajtim të veçantë shërbimi menjëherë deri në mbushjen e moshës për pension të plotë pleqërie, pa u trajtuar me pagesë kalimtare apo pension të parakohshëm suplementar. Periudha e trajtimit të veçantë të shërbimit njihet si periudhë punësimi për efekt të llogaritjes së vjetërsisë së shërbimit për pension të plotë pleqërie”, përcaktohet në nenin 110.

Gjithashtu punonjësi i policisë gjatë periudhës, që përfiton trajtim të veçantë shërbimi nuk përjashtohet nga e drejta e dy punësimit sipas legjislacionit në fuqi.

Një tjetër aspekt i trajtimit financiar të propozuar është edhe shpërblimi i menjëhershëm në masën e 6 pagave kur punonjësi i policisë përfiton trajtim të veçantë shërbimi ose del në pension pleqërie.

Drafti ndër të tjera propozon një sistem më favorizues dhe dinjitoz për trajtimin financiar të punonjësve të tjerë të policisë, ku komponentët e këtij trajtimi janë paga për gradë, shtesa për funksion e natyrë të veçantë pune, shtesa për çdo vit vjetërsie shërbimi, ku vjetërsia e shërbimit bazohet jo vetëm në një pagë referuese për të gjitha nivelet, por mbi pagën për gradën më të ulët të rolit përkatës, duke mundësuar një trajtim financiar të shkallëzuar.

Risi është gjithashtu edhe përfshirja dhe garantimi me ligj i mbështetjes psikologjike për punonjësit e policisë në rast të përjetimit të stresit dhe gjendjes së rënduar psikologjike gjatë dhe pas kryerjes së detyrave policore.

Neni 110

Trajtim i veçantë shërbimi

  1. Punonjësi i policisë përfiton trajtim të veçantë shërbimi, kur ka plotësuar 30 vite vjetërsi shërbimi vetëm në strukturat e Policisë së Shtetit dhe ka mbushur moshën 55 vjeç.
  2. Punonjësi i policisë̈, në momentin që përfiton trajtim të veçantë shërbimi, merr shpërblim të menjëhershëm në masën e 6 (gjashtë) pagave, sipas pagës bruto të muajit të fundit.
  3. Masa e trajtimit të veçantë të shërbimit është 70% të pagës neto të muajit të fundit dhe për çdo vit shërbimi mbi 30 vjet masa e trajtimit rritet me 1% të pagës, por nuk duhet të kalojë 80% të saj.
  4. Punonjësi i policisë̈, që iu nënshtrohet kushteve të këtij neni, përfiton trajtim të veçantë shërbimi menjëherë deri në mbushjen e moshës për pension të plotë pleqërie, pa u trajtuar me pagesë kalimtare apo pension të parakohshëm suplementar.
  5. Trajtimi i veçantë i shërbimit përfitohet me kërkesën e punonjësit të policisë, pas miratimit dhe me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe mbulohet nga buxheti i Policisë së Shtetit.
  6. Periudha e trajtimit të veçantë të shërbimit njihet si periudhë punësimi për efekt të llogaritjes së vjetërsisë së shërbimit për pension të plotë pleqërie.
  7. Punonjësi i policisë gjatë periudhës që përfiton trajtim të veçantë shërbimi mund të punësohet ose të kryejë veprimtari tjetër private, pa iu cënuar e drejta e trajtimit të veçantë të shërbimit dhe zbaton detyrimet sipas legjislacionit në fuqi për dypunësimin.