Prof. Zef Preçi: Hemorragjia e braktisjes së Shqipërisë, si tregues mosbesimi ndaj qeverisjes

795
Sigal

Gjatë dekadës së fundit, numri i aplikimeve për lotarinë e vizave Amerikane është dyfishuar, një tregues ky i mosbesimit të lartë të qytetarëve ndaj qeverisjes së vendit. Është interesante të vihet në dukje se gjatë gjithë kësaj periudhe rritja e GDP në Shqipëri ka qenë kufijtë e 3-4%, nivel që pritet të jetë edhe gjatë 3-4 viteve të ardhshme dhe që sipas teorisë ekonomike nuk shoqërohet me çeljen e vendeve të reja të punës. Për këtë nevojitet një rritje ekonomike më e lartë se 6%. Për rrjedhojë, ekzistojnë pak ose aspak shpresa për frenimin e kësaj hemorragjie që komprometon rëndë politikat zhvillimore të propaganduara gjatë kësaj periudhe. Ndërkaq, edhe investimet e huaja direkte (FDI) të dekadës së fundit janë transformuar nga sipërmarrje që sjellin teknologji, zhvillojnë prodhimin vendas e hapin vende pune në investime të njëhershme dhe pa lidhje me zhvillimin apo me efekte të largëta në kohë e të tërthorta (p.sh., projekti TAP). Performanca e dobët e ekonomisë sonë kombëtare, e mbështetur kryesisht në shërbimet dhe prurjet monetare të emigracionit (remitancat), përparësitë e gabuara në programin politiko-qeverisës, si dhe ndikimi i krizës ekonomike globale e kombinuar me problemet e keqqeverisjes (korrupsionit, klimës së përkeqësuar të biznesit, mungesës së sigurisë juridike deri edhe të sigurisë fizike për investitorët e huaj) kanë limituar oportunitetet për hapjen e vendeve të reja të punës në ekonominë shqiptare. Në këto kushte, largimi nga vendi ka njohur vetëm rritje, sidomos katër-pesë viteve të fundit, periudhë gjatë së cilës, janë larguar nga vendi rreth 10% e popullsisë së vendit (INSTAT). Fakti që popullsia e larguar është në moshë të re, pritet që të ndikojë negativisht sidomos në sistemin e sigurimeve shoqërore në periudhat e ardhshme, duke paralajmëruar një status social ekonomik aspak për t’u dëshiruar për pjesën e popullsisë në moshën e pensionit. Ndërkaq “udhëheqësit” aktual politikë janë të zënë me prezantimet e Shqipërisë tredimensionale dhe me “sistemimin” e buxhetit të shtetit ne koncesione, PPP-ra, tenderë me prokurim të drejtpërdrejtë, ligje me emra firmash, etj. E kështu, Shqipëria reale, e atyre që nuk shohin shpresë për një jetë më të mirë në Shqipëri, zvogëlohet e tretet bashkë me shpresën… Shqiptarët mbeten me sytë nga Perëndimi, një pjesë të përlotur nga fëmijët që nuk i kanë pranë, ndërsa pjesa tjetër me ëndrrën për të ikur, për të ikur nga liria që nuk e gëzuan kurrë…