Dritëhijet e qëndrimeve të Lulzim Bashës për sistemin zgjedhor dhe aleancat

516
Sigal

Ndonëse shtatori është cilësuar si “muaji i protestave të mëdha”, në PD e kanë harruar zotimin

Shtatori është cilësuar si muaji i fillimit të protestave të mëdha kundër keqqeverisjes së kryeministrit Rama. Shumë militantë demokratë e kanë të vështirë kur është bërë protesta e fundit kundër korrupsionit dhe krimit. Veçse ata nuk e harrojnë “urdhrin” e kryetarit të PD-së, që pas protestës të 27 majit, protestuesit të largoheshin paqësisht nga mjedisi i ministrisë së Brendshme, dhe që ashe,filluan “pushimet” verore edhe të opozitës. Diku, mes ditëve të nxehta të korrikut, kryetari i PD-së Lulzim Basha, deshi të freskonte paksa gjakrat e militantëve të vet, kur deklaroi që PD-ja nuk do të ndjekë modelin rumun të protestave të fuqishme, as do të ftojë emigrantët tanë në vijnë e të protestojnë kundër korrupsionit të qeverisë, sepse, siç pohoi, “emigrantët tanë nuk kanë mundësi financiare…”.

Basha, me fjalë e mohon marrëveshjen me PS-në, por….

Kryedemokrati Lulzim Basha bisedoi me disa gazetarë, duke folur për situatën në vend ku nuk i ka kursyer akuzat ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Basha tha se Rama nuk gjen kohë për qytetarët që i adreson në internet por ama ulet gju më gju me kriminelët. “Kjo verë ka qenë e nxehtë jo vetëm prej temperaturave por edhe për vazhdimin e skandaleve. Së pari bashkëqeverisja e Edi Ramës me krimin, bashkëqeverisja me krimin që vërtetohet më së miri nga ajo që qytetarëve i ka sjellë një faqe interneti kurse gjithë kohën e tij e kalon më kriminelët. Ata kanë akses, e me ta ulet gju më gju”, deklaroi Basha. Sipas tij, ministrat e deputetët e maxhorancës gëzohen për skandalet e njeri-tjetrit.

Dje kryetari i PD-së, Lulzim Basha zbardhi gjithë strategjinë politike të PD-së, por më shumë hodhi dritëhije, sesa ndriçoi strategjitë dhe taktikat e opozitarizmit që do të ndjekë. Kryetari i PD-së, më shumë u duk sikur shfajësohej nga “akuzat” e një marrëveshjeje në prapaskenën politike me PS-së, për bashkëqeverisje të mundshme (modeli i qeverisë teknike të 2017-s), por edhe për reformën zgjedhore. “Nuk do ketë pakt politik Rama-Basha. Nuk do ketë bashkëqeverisje PD-PS. Synimi im dhe i PD është t’i japim fund qeverisjes së lidhur me krimin”, – theksoi kreu i PD. Por kryetari i PD-së nuk tha: PD do të luftojë që të ndryshohet Kodi aktual zgjedhor. Siç dihet, Lulzim Basha u është zotuar aleatëve të vet, se kësaj here PD-ja do të luftojë që të ndryshohet sistemi zgjedhor. Siç dihet, në zgjedhjet e 2013, por sidomos në zgjedhjet e 2017-s, për shkak edhe të ndarjes së re territoriale, ky sistem zgjedhor e penalizmi PD-në dhe ishte një ndër faktorët e humbjes elektorale të PD-së. Lulzim Basha në marrëveshjen e turpshme të prillit 2017, u fut në kurthin e Ramës, derisa pranoi që PS dhe PD të mos bëjnë koalicion elektoral parazgjedhor, për zgjedhjet parlamentare të 2017. Rezultati dihet. Mirëpo, Lulzim Basha, sërish, mban 2 qëndrime. Nga njëra anë u premton aleatëve, kur e di se nuk do ta mbajë fjalën për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, dhe nga ana tjetër, bën marrëveshje (edhe të heshtur) me PS që të mos ndryshojnë këtë sistem elektoral që u jep PS dhe PD privilegjet elektorale, në krahasim me partitë e tjera.

Aleancat. Po me kë?

Kryetari i PD-së foli edhe për aleancat e mundshme politike të PD-së. Nuk përcaktoi, as me kë dhe as çfarë konkretisht, cila strategji do të ndjekë PD-ja. Problemi i parë i Bashës për aleancat është të qartësojnë mendimin e tij çfarë do bëjë me reformën zgjedhore, sepse, nëse PD-ja nuk këmbëngul të ndryshohet sistemi zgjedhor, shumë aleatë kanë deklaruar haptazi, që do të rishikojnë marrëdhëniet me PD-në, deri në shkëputje. Lidhur me deklaratat e bëra nga kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, Basha konfirmoi se opozita do të dalë e bashkuar në zgjedhjet lokale.‘Opozita do të dalë e bashkuar, do të përballemi të bashkuar me të gjitha sfidat. Ne po kërkojmë që ky bashkim të jetë sa më i madh.’

Basha: Nuk ka rëndësi çfarë do bëjmë në parlament, por përmbajtja

Kryetari i PD-së Lulzim Basha zbardhi edhe qëndrimin e PD-së në seancën plenare të ditës së hënë, ku tha se PD-ja do të sillet si të mundet, dhe kjo nuk ka rëndësi, por, sipas Bashës, rëndësi ka përmbajtja, domethënë, kërkesa e Opozitës, që mazhoranca të mos votojë ligjin për prishjen e Teatrit Kombëtar. Deklarata e Bashës: Çfarë do bëjmë ne do ta shihni nuk do ta them në këtë sallë. Ne do të ecim në bazë të një plani të mirëfilltë opozitar. Pak rëndësi ka forma, rëndësi ka përmbajtja. Përmbajtja është kjo, prioriteti numër 1 është të shkëputim lidhje të qeverisë me krimin.”, – u shpreh Basha dhe apeloi kryeministrin Rama të tërheqë ligjin për shembjen e Teatrit apo ligjin ‘Fusha’, sikundër e cilëson ai. “Të tërhiqet menjëherë pa bërë gëk mëk. Shansin ia ka dhënë Presidenti me kthimin e ligjit. E përshëndes personalisht këtu kreun e shtetit. Të tërheq ligjin Fusha, mos t’i shkojë ndërmend ta sjellë në seancë se do të përballet me pasojat më të paparashikueshme. Do të jetë shpallje e konfrontimit dhe e përplasjes civile”.