/Gazeta TELEGRAF
Jeta dhe vepra e tyre ka nevojë që të ndriçohet edhe më shumë që t’u bëhet e njohur brezave
Historia e motrave Qiriazi është historia e arsimit tonë kombëtar, jo vetëm me krijimin e një foleje kombëtare si “Instituti Femror Kyrias”, ku mësonin vajzat shqiptare pa dallim krahinash dhe besimesh, por me një aktivitet të gjërë atdhetar me kontribute të çmueshme dhe të spikatura të kohës.
Në historinë e arsimit dhe të shkollës shqipe, personaliteti dhe vepra arsimore-pedagogjike e Sevasti Qiriazit, zë vend të veçantë. Ajo ishte mësuese dhe organizatore e edukimit dhe arsimimit të femrave, veprimtare e palodhur e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, pjesmarrëse në Kongresin e famshëm të Manastirit për themelimin e alfabetit të gjuhës shqipe, kontributore e hapjes së shkollës së parë shqipe në Shqipëri (Korçë), drejtoreshë e Shkollës së Vashave, atdhetare e flaktë, intelektuale e shquar që zotëronte shumë gjuhë të huaja. Si oratore, u shqua për qartësinë e mendimit, duke predikuar në popull idetë e mëdha të Rilindjes Kombëtare, të luftës së drejtë që bënte populli ynë për ruajtjen e pavarësisë dhe të sovranitetit të vendit tonë. Në mënyrë të veçantë, si mësuese u shqua për vullnetin, pasionin, këmbënguljen dhe për kërkesat e larta për ta ngritur shkollën e tyre në nivelin e shkollave më të mira të kohës. Kontributi i tyre vazhdon të jetë i rëndësishëm për çdo gjeneratë femrash shqiptare. Univeresiteti ynë që trashëgon emrin Sevasti Qiriazi u themelua në vitin 2006, nga Robert Dako, nipi i mësueses së shquar. Emblema e motrave Qiriazi, e këtyre dy Zonjave të Bekuara është dhe aureola e këtij Universiteti, që e zhvillon aktivitetin e tij në godinën historike të ndërtuar prej tyre në vitin 1922.
Ky Institucion i Arsimit të Lartë dhe kjo godinë historike, simbolizon emrin dhe veprën e këtyre ikonave të Arsimit Kombëtar Shqiptar dhe është e do mbetet një trashëgimi e pastër dhe mbartëse e emrit dhe veprës së vyer të këtyre figurave emblematike. Në këtë kuadër, aktivitete të tilla të rëndësishme të organizuara nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, kushtuar figurave të spikatura historike si kjo sot, është edhe një amanet i pashkruar, për të njohur jetën dhe veprën e tyre, pasi figura e Sevasti Qiriazit është simbol i lirisë, arsimit, përparimit dhe ecjes tonë përpara. Në këtë aktivitet të 150- vjetorit të lindjes së veprimtares patriotike Sevasti Qiriazi, më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj, inciativën e Insitucionit tonë të Arsimit të Lartë, e cila është materializuar në vitit 2017, me kërkesën tonë, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, akordoi për familjen Qiriazi dhe Kristo Dako, Titullin e Lartë “Nderi i Kombit”, duke vlerësuar kontributin e shquar intelektual dhe atdhetar, për Rilindjen, zhvillimin dhe mbarëvajtjen e arsimit tonë kombëtar, për organizimin dhe pjesëmarrjen aktive në Kongresin e Manastirit, për ngritjen e institucionit të parë arsimor femëror, Shkollës së Vashave “Qiriazi’’, për botimin e Abetares së Parë, si dhe shumë periodikëve arsimorë dhe librave historikë. Unë mendoj se krahas vlerësimeve të deritanishme për këto figura kombëtare, veçanërisht pas vitit 1991, jeta dhe vepra e tyre ka nevojë që të ndriçohet edhe më shumë që t’u bëhet e njohur brezave. E theksoj këtë fakt pasi ka vend për iniciativa dhe veprimtari të tjera, për të lartësuar më shumë emrin e tyre.
“Ditën e premte, 21 maj 2021, Akademia e Shkencave organizoi veprimtari jubilare në 150-vjetorin e veprimtares Sevasti Qiriazi. Në të morën pjesë akademikë, shkrimtarë, gazetarë, të afërm të fisit Qiriazi, mësues dhe veprimtarë nga shoqëria civile.”

Kam nderin të ndaj këtu me ju dy momente të rëndësishme:
I pari, ka të bëjë me projektin dhe angazhimin tonë, për ngritjen e muzeut historik kushtuar familjes Qiriazi dhe Dako, që do të realizohet vitin tjetër, në kuadrin e 100- vjetorit të “Institutit Femror Kyriaz”, në Kodër- Kamëz. Ky muzeum të jetë në godinën historike të Universitetit ‘Qiriazi’.
I dyti, po në kuadrin e 100- vjetorit, do të ndërtojmë një përmendore të motrave Qiriazi dhe Kristo Dako, në sheshin e këtij Universiteti që mban emrin ‘Qiriazi’. Në këtë kuadër, kam një kërkesë për Akademinë e Shkencave, që të bëhet promotore e iniciativave për lartësimin e figurave të arsimit, shkencës dhe kulturës, duke këmbëngulur që emrat e tyre të vendosen jo vetëm në rrugë dhe shëtitore, por edhe në institucione të rëndësishme të vendit. Për kujtesë, të gjithë e dimë që Universiteti Bujqësor i Tiranës, është themeluar në vitin 1951, në godinën historike të “Institutit Femror Kyrias”. Kjo shkollë e lartë në gjuhën popullore është quajtur “Shkolla e Dakos”. I gjithë kampusi i Universitetit Bujqësor është ngritur në pronat e familjes Qiriazi dhe Dako. Do të ishte në nderin e tyre që këto figura me trashëgimi të jashtëzakonshme të lartësoheshin në institucione e rrugë. Me këtë rast, më lejoni t’ju falenderoj edhe për dhurimin e botimeve të Akademisë së Shkencave për fondin e biblotekës tonë, çka është pjesë e marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2019, ndërmjet Akademisë së Shkencave dhe Universitetit ‘Qiriazi’.
Jetëshkrim i Sevasti Qiriazi-Dako
Sevasti Dako (lindur Qiriazi; Manastir, 24 shkurt 1871 – Tiranë, 30 gusht 1949) ka qenë adhetare dhe nismëtare e organizimit të arsimit shqiptar për femra.
U lind më 1871, bijë e familjes Qiriazi, e bija e Dhimitrit dhe Maries. Që në moshën 4- vjeçare e dërguan te një shkollë greke dhe më pas te shkolla e Misionit Amerikan. Pasi përfundoi shkollimin në vendlindje, shkoi në Stamboll, ku me ndihmën e Naim Frashërit, hyri në ‘Robert College’. Ajo qe e para grua shqiptare që studioi në këtë institucion amerikan, të cilin e kreu në qershor 1891. Me t’u kthyer në Shqipëri, ajo mori pjesë në ngritjen e shkollës së vashave në Korçë më, 1891. Kjo shkollë është edhe fillimi i një shkolle mbi bazën laike. Pas Luftës së Parë Botërore, kjo shkollë njihej ende me emrin e familjes Qiriazi. Ajo mori pjesë edhe në Kongresin e Manastirit, ku u mor kryesisht me përgatitjen e teksteve shkollore. Është thënë se Sevastia ka botuar një gramatikë për shkollat fillore (Manastir 1912) dhe ka redaktuar një radhë tekstesh historie. Me të shoqin, gazetarin dhe shkrimtarin Kristo Dako (1878-1941) e me të motrën Parashqevi, ajo vajti në Rumani e prej andej emigroi në Shtetet e Bashkuara, ku bashkëpunoi me të përdyjavshmen “Yll’ i mëngjesit”. Shkollën e lartë e kreu në Stamboll, pas kthimit në atdhe nisi të punojë për shkollën shqipe të vashave.
Motrat Qiriazi ishin mësueset dhe edukatoret e para të shkollës së vashave që u hap më 1891 në Korçë.