Prof. Dr. Ksenofon Krisafi: Bashkim Rama – personalitet i shquar në diplomacinë shqiptare

252
Sigal

Vitet e fundit “Corpusi diplomatic” shqiptar ka pasur disa humbje të ndjeshme. Ikën kolegë  të shquar si Petraq Pojani, Marko Bello, Hajdar Muneka dhe midis tyre edhe Bashkim Rama. Për të gjithë mund të flitet me vlerësime shumë të larta, sepse me personalitetin dhe veprimtarinë e gjithanshme, kanë dhënë  kontribute të çmueshme në diplomacinë shqiptare.

Këto ditë mbushet një vit nga ikja e ambasadorit Bashkim Rama, koleg dhe mik i vyer i yni.

Pas mbarimit Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Tiranë, ai vazhdoi kualifikimin e vet pasuniversitar dhe profesional në Shkencat Politike, Filozofi, Diplomaci dhe Siguri. Mori PhD në Diplomaci dhe Siguri dhe më tej titullin Profesor në profilin e Sigurisë Ndërkombëtare.

Formimi i plotë e solid në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare i hapi rrugën e diplomacisë. E filloi karierën në diplomaci në vitin 1980, si punonjës në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë. Më pas do mbulonte përgjegjësi të rëndësishme si sekretar i parë i ambasadës shqiptare në R.D.Gjermane, i ngarkuar me punë në Bullgari, pastaj, me ndryshimin e rangut të përfaqësimit diplomatic, u emërua ambasador po në Bullgari. Do të vazhdonte në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkive të Shqipërisë dhe Kordinatorit për mbajtjen e marrëdhënieve midis qeverisjes vendore të Shqipërisë dhe BE, Strasburg. Në shtator 2002 u akreditua ambasador i Shqipërisë në Kosovë. Në vijim shërbeu si Drejtor për Rajonin dhe Vendet Fqinje në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, ambasador, i dërguar i posaçëm në Ministrinë Punëve të Jashtme të Shqipërisë për faktorin shqiptar në rajon, këshilltar diplomatik i Ministrit të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë, Drejtor Ekzekutiv i Akademisë Diplomatike të Shqipërisë etj.

Gjatë kësaj kohe ka qenë anëtar delegacioni në negociatat për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me ish-Bashkimin Sovjetik dhe kryetar delegacioni në veprimtari të ndryshme si fjala vjen në Konferencën e UNESCO, në tetor 1985, në Konferencën e Novisadit me temën “Rindërtimi i Ballkanit”, në Konferencën “Roli i Administratës Publike në kushtet e Demokracisë ”, në Konferencën “NATO dhe Demokracia” etj.

Në veprimtarinë e tij si diplomat dhe ambasdador Bashkim Rama ka përballuar me rezultate të larta angazhime të rëndësishme dhe delikate. Njëri prej tyre dhe mjaft i suksesshëm, ishte organizimi i takimeve përgatitore në Sofje për fillimin e negociatave zyrtare midis delegacioneve të Shqipërisë dhe ish Bashkimit Sovjetik.

Kam pasur rastin të jemi bashkë në bisedimet me delegacionin e ish Bashkimit Sovjetik për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Pas rreth më shumë se dy dekadash takoheshin për herë të parë zyrtarisht përfaqësues të dy shteteve që kishin ndërprerë marrëdhëniet diplomatike në vitin 1961. Ato filluan në Sofje dhe paraprakisht Bashkimi kishte mbajtur një ngarkesë të jashtëzakonshme deri në rakordimin për nivelin e delegacioneve, rendin e ditës, modalitetet, vendin dhe kohën e bisedimeve etj. Ai përballoi me qetësi dhe dinjitet gjithë angazhimet që impononte një ngjarje e përmasave të tilla. Si “i zoti i shtëpisë”, me qetësi, gjakftohtësi, ekuilibër, mençuri e pjekuri, në kushte tepër të vështira, organizoi një mjedis dinjitoz negociatash ndërkombëtare. Duhet mbajtur parasysh se ambasadat shqiptare në atë kohë kishin mundësi dhe personel tepër të kufizuar. Në selinë modeste të ambsadës shqiptare në Sofje, por të mbajtur, organizuar dhe areduar shumë mirë, u prit një personalitet i lartë i diplomacisë botërore, zëvendësministri i punëve të jashtme të ish Bashkimit Sovjetik, Juli Kvicinskij dhe delegacioni që ai kryesonte. Ambasadori ynë, pjesë e delegacionit zyrtar e prezantoi veten dhe ambasadën e vet në mënyrë të shkëlqyer.

Në punën e tij të përditshme diplomatike dhe në veprimtaritë e zakonshme shfaqej lehtësisht një përgatitje e lartë profesionale, kulturë e gjerë, takt dhe zhdërvjelltësi, etikë dhe elegancë diplomatike e spikatur. Njohës i specifikave të profesionit dhe zotërues i disa gjuhëve të huaja, anglisht, rusisht, bullgarisht, gjermanisht, italisht, kishte arritur të ishte gjithmonë i suksesshëm. Për këtë arsye ka qenë vlerësuar duke iu besuar përgjegjësi të larta si ato që u përmendën më sipër si ambasador, këshilltar ministri, drejtor drejtorie, i dërguar i posaçëm i ministrit të jashtëm në rajon etj. Në të gjitha këto angazhime ka qenë kurdoherë ndër më të mirët.

Bashkimi, kolegu ynë gjithmonë i buzeqeshur, kishte edhe cilësi shumë të larta njerëzore. Ishte shumë social, i sjellshëm dhe i respektueshëm me këdo, epror ose vartës, shqiptar ose i huaj.

Bashkimi bënte pjesë në grupin e diplomatëve të kultivuar, që dallohej midis kolegëve jo vetëm si diplomat nga më të mirët, por edhe si intelektual, krijues dhe akademik, profesor dhe autor librash. Bashkimi është ndër të paktët ambasadorë që, veç diplomacisë është shquar edhe si lektor universitetesh dhe në të njëjtën kohë edhe si autor librash, studimesh, artikujsh etj. Nëpërmjet tyre ka lënë një përvojë të vyer dhe kontribute me vlera të shumta.

Ai ishte lektor i marrëdhënieve ndërkombëtare, Diplomacisë dhe i çështjeve të sigurisë, në disa universitete të Ballkanit dhe të Shqipërisë, duke nisur nga Universiteti i Tiranës, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, Universiteti Ndërkombëtar i Strugës, ku ishte njëkohësisht edhe Rektor dhe Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike, Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë, në “Iliria University“, Prishtinë, Kosovë, në  UNIBIT, Sofie, (Bulgari) etj.

Studentët e kanë vlerësuar dhe e kanë dashur shumë. Ai ka qenë gjithashtu edhe anëtar bordesh dhe bashkëpunëtor në revistat shkencore “The Balkans”, Sofie – Bullgari dhe “International Relations”, Sofje – Bullgari.

Ambasadori Bashkim Rama ka lënë edhe disa botime me vlerë, artikuj, libra, tekste për marrëdhëniet ndërkombëtare, diplomacinë dhe sigurinë, të botuara brenda dhe jashtë vendit. Ndër to dallohen dy prej tyre, “Faktori shqiptar dhe siguria rajonale” si dhe “Ballkani pas rënies së murit të Berlinit, vetvendosja versus tërësia territoriale”.

Te libri i parë, “Faktori shqiptar dhe siguria rajonale”, ndryshe nga sa mund të mendohet prej titullit, ai e shikon vendin dhe rolin e faktorit shqipar në një kontekst më të gjerë se sa rajoni, Ballkani dhe Europa. E ka vendosur dhe analizuar atë në sfondin e zhvillimeve globale në kuadrin botëror dhe europian. Globalizimin e sheh si një transformim të madh cilësor me shtrirje horizontale dhe transversale, që përfshin të gjitha aspektet e jetës së njeriut, politikën, gjeostrategjinë, ekonominë, veprimtaritë sociale, diplomacinë, të drejtën etj.

Analizuar në këtë optikë ai është përpjekur t’iu japë përgjigje disa çështjeve që sot preokupojnë cilindo, si fjala vjen:

Kush e drejton botën? Si do ë drejtohet ajo? Pse duhet që bota të drejtohet nga një “qendër” e vetme? Pra, pse duhet të jetë unipolare? Kujt do t’i bindet Bota në të ardhmen, do të vazhdojë të jetë unipolare apo bipolare ose multipolare? Po rendi i ri botëror, për të cilin po flitet kaq shumë, kujt do t’i shërbejë?

Ai nuk ka lënë pa përmendur dhe trajtuar edhe çështje të tjera si: Ç’do të ndodhë me njeriun? Cila do të jetë e ardhmja e tij? Do të jetojnë më mirë të gjithë njerëzit, apo vetëm një pjesë e vogël e tyre?

Duke e strukturuar librin në këtë këndvështrim, pas një analize të gjithanshme dhe të thellë shkencore, iu ka dhënë përgjigje pyetjeve të mësipërme dhe pastaj është fokusuar te faktori shqiptar dhe siguria rajonale.

Libri është shkruar dhe botuar 12 vjet më parë. Megjithatë ai tingëllon aktual. Ndikon, me sa duket tematika e përzgjedhur, ku spikat çështja e madhe tepër delikate shqiptare, me ndikime të fuqishme në zhvillimet ne Botën shqiptare. në Ballkan e në Europë. Si i tillë ai mbetet libër me vlera të shumta për politikanët, studiuesit dhe lexuesit e zakonshëm.

Libri tjetër i titulluar “Ballkani pas rënies së murit të Berlinit, vetvendosja versus tërësia territoriale”, është po aq i vlefshëm dhe i dobishëm për të interesuarit, sa i pari.

Frut i një pune të madhe, gjithë lodhje e përkushtim, me një vëllim prej 430 faqesh, vjen si thirrje e fuqishme për të mos harruar Ballkanin dhe natyrisht Botën shqiptare, siç e quan autori. Ajo iu drejtohet  politikës dhe atyre që, aftësia apo rastësia, i ka nxjerrë në krye të saj.

Këto dy libra, krijime shumë të mira të mikut tim të dashur e të ndjerë, Bashkim Rama, si edhe studime të tjera të tij, janë jo vetëm kontribut shumë i çmuar në historiografinë shqiptare, por edhe dëshmi e qartë, e dukshme, e prekshme e dashurisë së tij për vendin, për shqiptarët, Shqipërinë dhe Botën shqiptare.

Për kontributet e çmuara për diplomacinë shqiptare dhe sidomos për çështjen shqiptare në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, por edhe për cilësitë e larta njerëzore, si njeri i mrekullueshëm, mik i mirë, gjithmonë i gatshëm për të asistuar gjithkënd, do të mbahet mend me respekt dhe dashuri nga miqtë, kolegët dhe të njohurit e shumtë kudo.

Në përvjetorin e parë të ndarjes së tij nga jeta, ne e kujtojmë mikun tone të dashur, ambasador Bashkim Ramën, me dhimbje për mungesën që la pas, duke gjetur rastin të riafirmojmë mungesën e madhe të një personaliteti me vlera të shumta në diplomacinë shqiptare dhe në fushën akademike e studimore.