Prof. Dhori Kule/ Shqiptarët, europianët më të lashtë

616
Para pak ditësh kur mbarova së lexuari librin e ri të Ndriçim Kullës me titull “Kush jemi ne shqiptarët” rastisi për fat të keq që të ndodhte masakra në Francën e civilizimit demokratik, ngjarje kjo, që me siguri do ketë një impakt të madh në drejtimin e këtij dhjetëvjeçari së paku për botën dhe sidomos qytetërimin perëndimor. Fill pas atyre çasteve, duke patur ende në duar librin e sapo botuar dhe të lexuar nga unë, mëndja ime ecte pa dashur sa në Paris aq edhe në fletët e librit prej 400 faqesh që kisha lexuar. Ndoshta një koincidencë, ndoshta rastësia apo diçka tjetër bëri që ta riaktualizonte vërtet në Shqipëri një debat me vlera universale, që ka nisur edhe tek ne, për të pyetur për veten tonë. Po “Kush jemi ne Shqiptarët? A do të ndërtojmë vallë një pasqyrë që ta shohim veten tonë me objektivitet, kundrejt botës së qytetëruar? Çfarë të mira dhe të këqija kemi trashëguar nga e kaluara jonë historike. Cili është karakteri ynë? A kemi vlera qytetëruese dhe si i kemi ruajtur ne ato si individë dhe si komb? Cila është sociologjia jonë dhe mënyra e jetesës sonë? A kemi vallë sot ndonjë vlerë që mund konkurroj dhe që t’i vlejë sot problemeve të qytetërimit të sotëm botëror? Si na kanë njohur vizitorët dhe albanologët e huaj që kanë udhëtuar në Shqipëri apo më qartë, si e kanë eksploruar ata materien tonë zakonore, kulturore dhe njerëzore. Janë pyetje interesante të evidentuara me kujdes 
nga autori i këtij libri, të cilat, ashtu sikurse dje edhe sot kanë qenë dhe janë nder i elitës intelektuale shqiptare. Mjaft nga pyetje- përgjigjet e këtij diskutimi, që të krijon në mënyrë të natyrshme leximi i këtij libri.Çdo njeriu që ka një erudicion të mjaftueshëm, me siguri, që i kujtojnë referencat interesante të marra nga udhëtarët e huaj, por sidomos nga mendimtarët shqiptarë, literaturë kjo, që ka pasur një zgjim të jashtëzakonshëm këto 25-vjet lirie, ku kontribuues i pazëvendësueshëm i këtyre botimeve është z. Ndriçim Kulla. Bajroni në këtë libër ka ardhur i shfrytëzuar në një mënyrë origjinale, për ato që ka parë dhe shkruar nëpër Shqipërinë e Perandorinë Otomane:
“I dua shqiptarët. Nuk janë të gjithë myslimanë, disa nga fiset janë të krishterë. Porse feja nuk i bën të ndryshojnë zakonet dhe sjelljet e tyre. Përbëjnë trupat më të mirë të ushtrisë turke”, – shkruante Bajroni.
Ibrahim Manzur, bashkudhëtari i Bajronit, francezi me emër të ndërruar në mysliman, shkruan ndryshe për Shqipërinë dhe shqiptarët e asaj kohe:
“Udhëtarin duke udhëtuar nëpër vendet e barbarëve shqiptarë, e kërcënojnë vazhdimisht rreziqet. Në vend ku pushteti i Sulltanit gati nuk njihet, sundon anarkia që e shkreton çdo ditë. Rrugë tepër të këqija, sa të rrezikshme dhe të lodhshme, gjarpërojnë midis shkëmbinjsh e greminash. Në pjesën më të madhe të lumenjve mungojnë urat. Kudo gjenden banda grabitësish. Tirania dhe mizoritë e turmave të bejlerëve dërmojnë vendin nga njëri skaj në tjetrin. Pjesa më e madhe e shqiptarëve kanë një prirje të natyrshme për të vjedhur, për dhunë, për pabesi dhe vrasje. Harbutëria, ashpërsia dhe papastërtia sundojnë kudo”.
Vërtet që edhe sipas librit që po promovojmë sot pyetjen e dokumentuar se, “Kush janë shqiptarët” e kanë bërë që nga kohëra që nuk mbahen mënd burra_shteti, gjeneralë, strategë, njerëz të dijes dhe perandorë të ndryshëm, që pasqyrohen mjeshtërisht në këtë libër. Sigurisht që ata europianë, të cilët ishin të interesuar për të studiuar shqiptarët, studiues dhe udhëtarë, do të kërkonin të merrnin përgjigje edhe nga vetë shqiptarët. Kështu që nga pyetja “Kush janë shqiptarët?” ka dalë natyrshëm pyetja “Kush jeni ju shqiptarët?”, të cilën të huajt ua kanë bërë shqiptarëve të shkolluar, me të cilët komunikonin, duke nisur së paku që nga mesi i shekullit XIX. Kjo i shtyu shqiptarët (elitën intelektuale) që të pyesin vetveten: “Kush jemi ne shqiptarët?.” Dhe Mithat Frashëri bën një libër për të huajt, për t’i idealizuar shqiptarët me titull “Shqiptarët “, ku evidenton dhe vlerat e tyre.
Por Mithati ama shkruan me vonë dhe një libër ku vë dorë në plagët dhe dobësitë e shqiptarëve me titull “Plagët tona “.Kështu ndodh dhe me Konicën, ku sqimatari me satirat therëse stigmatizon fudullëkun dhe kryelartësinë boshe të shqiptarëve, por në të njëjtën kohë evidenton dhe bujarinë, trimërinë dhe mjaftë nga zakonet e tij kalorësiake.
Autorët shqiptarë, të cilët nisën të shkruajnë për kombin e tyre mbajtën një qëndrim të dyfishtë, duke shkruar një variant për të huajt, glorifikues për kombin e tyre dhe një për bashkëkombësit e tyre shumë kritik. Ky model nis me Pashko Vasën, i cili në 1879 botoi në frëngjisht në Paris librin “E vërteta mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët”, të llogaritur për t’ ju përgjigjur pyetjes së të huajve “Kush jeni ju shqiptarët?” Në atë kohë, Pashko Vasa, shkroi për bashkëkombësit e vet poezinë e njohur “O moj Shqypni!”, të llogaritur për t’ ju përgjigjur pyetjes “Kush jemi ne shqiptarët?”, në të cilën është shumë kritik ndaj kombit të tij. Në këtë mënyrë shkroi edhe vetë Faik Konica, ku tek veprat “Doktor Gjilpëra” zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit” me fragmente nga “Një ambasadë e zulluve në Paris”, me të tjera fragmente nga artikuj publicistikë, apo edhe letra të Konicës. Libri i tij “Shqipëria kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore” është një libër glorifikues për shqiptarët, i llogaritur për lexuesin e huaj dhe që dallon shumë nga qindra e qindra faqe të Konicës, ku ai është shumë thumbues ndaj të metave të bashkëkombësve të tij. Është i njëjti autor, por duket sikur nuk është i njëjti autor. Ky libër është shumë i ndryshëm nga shkrime të tjera të Konicës, ku ai është shumë kritik ndaj shqiptarëve. Konica e dinte se lexuesit e huaj, për të cilët ishte duke e shkruar këtë libër të tij, do të bënin pyetjen: “Po ndonjë të metë, a nuk kanë këta shqiptarët?” Dhe Konica iu gjeti disa “të meta” bashkëkombësve të tij, por këtu i qëllon me “pambuk” ata. Çdo lexues i huaj që përfundonte së lexuari këtë libër të Konicës, nuk mund të mos mendonte, se autori kishte pasur synim ta bindte se, Shqipëria ishte një “kopsht shkëmbor” i virtyteve në Europën Juglindore, ku jetonin njerëz pa të meta serioze. Në këtë libër ndeshesh me vështrimet e mprehta të konsullit francez në Shkodër, Jasin Hekard piktorin anglez Eduard Lir, i cili i ka fotografuar shqiptarët jo vetëm në natyrën e tyre, por dhe madhështinë e botës së sjelljeve të tyre njerëzore. Lexon një thënie të dhimbshme, metaforë të Gibonit, i cili bën konstatimin bombë, kur e sheh tokën shqiptare që nga Bari i Italisë, por të braktisur nga Europa më keq se xhunglat e Amerikës së jugut, mrekullohesh nga konstatimet e Hanit për gjuhën dhe gjurmët e lashtësisë shqiptare , apo nga konstatimet e Eqrem Çabej, mbi rezervimin e shqiptarëve, nga etnografia marramendëse e bukurisë shqiptare të “gjetur” nga Faluvio Kordinjano, përmes shkrimeve të misionarit italian At Domeniko Pazit. Përballë Pukvilit dhe Ibrahim Manzurit, të cilët duket se shtegtojnë në kohën e tyre nëpër viset shqiptare për të gjetur vetëm të metat dhe dobësitë e shqiptarëve, ballafaqohesh me arsyetimet e përshkrimeve të Edit Durhanit, çifti britanik Jan dhe Gora Gordon, të Luigji Ugolinit, të Ami Bues, baronit Franc Nopca, duke shëtitur nëpër viset shqiptare, të anëtarit të Akademisë së Shkencave Franceze Zhak Bukart dhe dhjetëra të tjerë, të cilët i përshkruajnë me realizëm, por dhe me dashuri të metat dhe të mirat e këtij populli. Kur lexon këtë libër të duket sikur ke bërë një udhëtim të gjatë, jo vetëm në historinë e shqiptarëve, por edhe të kulturës së tyre, të sociologjisë dhe psikologjisë së tyre. Ke takuar dhe prekur me dorë shpirtin e tij njerëzor, të mirat dhe plagët shoqërore, karakterin e tyre individualist, mungesën e ndjenjës shoqërore, raportin aspak miqësor me shtetin, trimërinë, inteligjencën, gjallërinë e tyre, mercenarizmin historik tyre dhe mjaft të meta dhe cilësi pozitive që kanë karakterizuar jetën e tij nëpër shekuj. 
Po kush jemi ne shqiptarët? Shtron pyetjen Ndriçimi. Dhe përfundimi i tij është gati (lapidar). Ne jemi nga europianët më të lashtë, kemi qenë mbrojtës të Europës, jemi shkëputur me dhunë prej saj, jemi rikthyer në Europë kemi humbur diçka në shekuj nga europianizmi ynë, por pastaj e kemi rigjeneruar, ashtu siç rigjenerohet një plagë
Sigal