Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Kuvendi i Lezhës u mblodh mbi bazën e traditave

616
Kuvendi i Lezhës, ngjarja madhore në historinë kombëtare shqiptare
Për zgjidhjen e detyrës historike të bashkimit të popullit shqiptar dhe të klasës feudale në një front të vetëm antiosman, Skënderbeu organizoi mbledhjen e një kuvendi të përgjithshëm kombëtar. Ky kuvend ka hyrë në histori me emrin “Kuvendi i Lezhës”. Për këtë qëllim në mënyrë paraprake u zhvilluan një sërë konsultimesh me feudalët shqiptarë dhe krerët e tjerë të vendit për përgatitjen e kuvendit dhe largimin e pengesave në rrugën e bashkimit. Kuvendi u mblodh më 2 mars 1444 në qytetin e Lezhës që ishte nën sundimin e Venedikut. Thirrja e kuvendit në qytetin e Lezhës kishte për qëllim të evitonte çdo keqkuptim midis pjesëmarrësve, lidhur me respektimin e ndereve feudale. Nga ana tjetër siguronte përkrahjen ose të paktën neutralitetin e Venedikut në luftën e madhe shqiptaro-osmane. Për këtë qëllim u ftua të merrte pjesë në punimet e kuvendit Republika e Venedikut dhe ajo e Raguzës. Kuvendi i Lezhës mblidhej mbi bazën e traditave më të hershme shqiptare, për t’i trajtuar problemet e rëndësishme në kuvende të përbashkëta. Ky kuvend i mbledhur dhe i organizuar nga Skënderbeu, shënonte zhvillim të mëtejshëm të traditave, sepse ishte një kuvend në shkallë kombëtare. Në punimet e Kuvendit të Lezhës morën pjesë përfaqësuesit e familjeve më të fuqishme feudale shqiptare. Sundimtarë të principatave feudale ishin të pranishëm në kuvend, të shoqëruar nga djemtë ose nga nipërit e tyre. Në të morën pjesë dhe feudalë më të vegjël si dhe krerë të tjerë, të cilët përfaqësonin fshatarësinë e lirë të malësive të Shqipërisë. Bashkëkohësi dhe historiani i Skënderbeut, humanisti shqiptar Marin Barleti, në veprën “Historia e Skënderbeut” na përshkruan emrat e sundimtarëve shqiptarë që morën pjesë në punimet e kuvendit. Midis tyre ishte nismëtari dhe organizuesi i kuvendit, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, si përfaqësues i principatës së Kastriotëve, Gjergj Araniti, Andrea Topia me dy djemtë, Komini dhe Muzaka me të nipin Tanush Topia, Gjergj Stres Balsha, Tedor Korona Muzaka me të tjerë nga familja e Muzakajve, Pal dhe Nikollë Dukagjini, Lekë Zaharia, Pjetër Spani me katër djemtë, Lekë Dushmani së bashku me disa feudalë më të vegjël pranë principatës së tij, etj. Pjesëmarrësit në kuvend u mblodhën nga trevat ku flitej gjuha shqipe. Përjashtim bënte vetëm Stefan Cernojeviçi, sundimtar i Zetës (Malit të Zi), që kishte zotërimet e veta pranë liqenit të Shkodrës me një popullsi të madhe shqiptare, por dhe lidhje familjare me Skënderbeun, se ishte martuar me njërën nga motrat e tij. Në Kuvendin e Lezhës mori pjesë dhe përfaqësuesi i Venedikut me cilësinë e vëzhguesit. Republika e Raguzës refuzoi të merrte pjesë për të mos ndërlikuar marrëdhëniet e saj me Sulltanin e Perandorisë Osmane.

Krijimi i besëlidhjes së feudalëve shqiptarë
Mbas diskutimeve të shumta, Kuvendi i Lezhës mori vendime të rëndësishme, të cilat përcaktuan natyrën politike të këtij kuvendi. Me gjithë divergjencat e diktuara nga interesat e ngushta, feudalët e mbledhur në kuvend u shprehën për bashkimin e tyre në luftë kundër pushtimit osman.

Ideja e bashkimit të gjitha forcave politike, ushtarake dhe ekonomike të vendit në një front të përbashkët u konkretizua në mjaft vendime të tij. Më i rëndësishmi midis tyre ishte vendimi për krijimin e një besëlidhjeje të feudalëve shqiptarë, e që mori emrin “Lidhja e princave shqiptarë” (Lidhja e Lezhës). Skënderbeut si organizator dhe udhëheqës i kryengritjes çlirimtare kundër regjimit të timareve, si dhe për shkak të pozitës së rëndësishme që kishte principata e Kastriotëve u zgjodh njëzëri kryetar i saj. Barleti na jep informacion të pasur mbi Kuvendin e Lezhës dhe vendimet e tij. Ai thotë se Skënderbeu “vendosi para së gjithash, se duhej hyrë në aleancën dhe në një farë besëlidhjeje të përhershme me princërit dhe sundimtarët fqinj…”. Dhe mandej, pasi përshkruan zhvillimin e punimeve të këtij kuvendi, thekson se të gjithë “… pasi ia kaluan gati si me dorë pushtetin, popujt, ushtritë, dhe pasi i besuan drejtimin suprem të të gjithë gjendjes dhe kujdesin e luftës, e zgjodhën kryetar dhe kapedan të tyre të vetëm”.

Skënderbeu, megjithëse kryetar dhe Komandant i Përgjithshëm, ishte në këtë kohë një “i parë midis të barabartëve”. Sidoqoftë, caktimi i një udhëheqësi të vetëm politik e ushtarak kishte një rëndësi të madhe dhe ishte një hap përpara në kapërcimin e përçarjes feudale. Të dhënat që na sjell Barleti konfirmohen dhe plotësohen me kujtimet e bujarit shqiptar Gjon Muzaka, bashkëkohës i Skënderbeut nga familja e Muzakajve. Ai shkruan: “pastaj këta sundimtarët e Shqipërisë u mblodhën në Kuvend në Lezhë. Dikush shko vet, dikush çoi mëkëmbës. Kështu që Skënderbeu i lartpërmendur u bë kryeprijës në Shqipëri, dhe secili dërgonte njerëz dhe të holla sipas sasisë që i takonte. Po kështu edhe disa bij të atyre sundimtarëve luftonin nën drejtimin e tij, edhe për të mësuar mjeshtërinë e luftës, edhe për të mbrojtur shtetet e veta. Duke qenë ai zotëri fort i rrahur në luftë dhe fatos, u zgjodh kryeprijës e secili i bindej”.

Vendimi për krijimin e ushtrisë
Pjesëmarrja në lidhje për çdo feudal garantonte të drejtën e mbrojtjes nga pushtuesi, si dhe detyrimin për të kontribuar në krijimin e ushtrisë dhe të mjeteve financiare të përbashkëta. Me këto detyrime lidhen dy vendime të rëndësishme të Kuvendit të Lezhës: vendimi për krijimin e një ushtrie të “Lidhjes së princave shqiptarë” si dhe sigurimin e mjeteve financiare për shpenzimet e luftës me forca të përbashkëta.

Kuvendi i Lezhës vendosi të krijohej një ushtri shqiptare, e cila do të rekrutohej nga Skënderbeu në principatën e Kastriotëve si dhe nga feudalë t e tjerë në zotërimet e tyre. Secili anëtar i lidhjes përcaktoi vullnetarisht numrin e ushtarëve me të cilët do të kontribuonte në krijimin e ushtrisë së përbashkët. Skënderbeu u zgjodh komandant i përgjithshëm i ushtrisë së Lidhjes, kurse komandantët e reparteve do të emëroheshin nga vetë bujarët.

Për të përballuar shpenzimet e luftës, Kuvendi i Lezhës vendosi krijimin e një fondi të posaçëm në të holla, i cili do të sigurohej pjesërisht me kontributin e feudalëve shqiptarë dhe pjesërisht nga të ardhurat e kriporeve të Shën Kollit në veri të Durrësit, të cilat u përkisnin Kastriotëve. Mjetet financiare, si dhe ushtria do të administroheshin nga Skënderbeu, i cili jepte për çështjen e luftës çlirimtare kontributin kryesor midis bujarëve të tjerë në ushtarë dhe të holla. Skënderbeu u ngarkua nga Kuvendi i Lezhës me detyra të shumta drejtuese dhe komanduese. Në këtë mënyrë ai merrte përgjegjësinë kryesore për zhvillimin e luftës. Nga pikëpamja strategjike “Lidhja e princave shqiptarë” përbënte aleancën politik-ushtarake (besëlidhje) më të fuqishme midis bujarëve shqiptarë me njeri-tjetrin për mbrojtjen e zotërimeve të tyre feudale me forca të përbashkëta. Në zotërimet e tyre, bujarët shqiptarë pjesëmarrës ishin zotër të pavarur dhe mbajtës të çdo pushteti.

Skënderbeu në pozitën e një drejtuesi ushtarak
Me gjithë rolin udhëheqës dhe komandues të Skënderbeut në “Lidhjen e princave shqiptarë”, pozita e tij drejtuese në vitet e para të ekzistencës së saj, nuk ishte ajo e një monarku, por e një drejtuesi ushtarak. Udhëheqja e tij përmblidhet vetëm në organizimin e mbrojtjes së vendit, pa cenuar privilegjet e feudalëve të veçantë dhe pushtetin e tyre brenda zotërimeve të veta. Skënderbeu kishte të drejtë në raport me anëtarët e tjerë të lidhjes të thërriste kuvendin e princave shqiptarë sa herë ta shinte të nevojshme për interesat e mbrojtjes së vendit. Anëtarët e lidhjes ruanin të drejtën e largimit prej saj, kur ta shihte të nevojshme. Skënderbeu si kryetar i lidhjes dhe lidhja nuk kishin të drejt ta pengonin ose të merrnin masa kundër tij. Në Lidhje bujarët feudalë ruajtën të drejtën të hynin në marrëdhënie ndërkombëtare në mënyrë të pavarur. Në vitet e mëvonshme një pjesë e mirë e princave shqiptarë përfunduan traktate ndërkombëtare me shtetet italianë, pavarësisht nga Skënderbeu dhe Lidhja. Gjergj Araniti lidhi traktat të veçantë me Alfonsin e Napolit (1451), dhe një tjetër me Venedikun. Kështu kanë vepruar edhe bujarët e tjerë. Lufta e përbashkët kundër Perandorisë Osmane dhe Venedikut bëri që subjekt i marrëdhënieve ndërkombëtare në vendimet të dalë në tërësi “Lidhja e princave shqiptarë” dhe jo ndonjë bujar i veçantë. Gjatë luftës me Venedikun më 1448 Skënderbeu, pas vdekjes së Lekë Zaharisë, e kërkoi qytetin e Danjës në emër të Lidhjes. Fitorja u arrit me forca të përbashkëta të feudalëve shqiptarë. Kurse Traktati i Paqes (4 tetor 1448) u përfundua duke qenë palë “Lidhje e princave shqiptarë”, e përfaqësuar nga Skënderbeu dhe Nikollë Dukagjini e Republika e Venedikut. Në historinë e Lidhjes së Lezhës ky është rasti i parë kur del në bllok njëkohësisht para dy armiqve të rrezikshëm, Perandorisë Osmane dhe Venedikut. Lidhja lufton dhe fiton për mbrojtjen e vendit dhe të tërësisë së tij territoriale, vepron me personalitet të plotë politik në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Rëndësia historike e vendimeve të marra
Kuvendi i Lezhës dhe vendimet e marra në të patën rëndësi historike për fatet e luftës së madhe shqiptaro-osmane të shek. XV. Lidhja e Lezhës dhe kryekomandanti i saj, Skënderbeu, gëzonin mbështetjen e pakufishme të popullit. Në këto rrethana lufta mori tiparet e një lufte tipike popullore. Pikërisht, ky faktor i dha mundësi vendit tonë, që me mjete njerëzore e ekonomike relativisht të kufizuara, të përballonte sulmet e ushtrisë osmane, më e fuqishmja e kohës. Fitoret e luftërave dhe betejave që u zhvilluan për një çerek shekulli kundër hordhive të ushtrisë osmane, u mbështetën te shpirti liridashës i popullit, te vetitë e tij moralo-luftarake, te përvoja shekullore e luftërave të tij, si dhe tek aftësitë komanduese e gjenialiteti ushtarak i kryekomandantit Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Nga pikëpamja politike, Kuvendi i Lezhës ishte organi i vetëm në shkallë kombëtare brenda të cilit realizohej bashkimi i popullit shqiptar dhe i klasës feudale shqiptare në luftë kundër pushtimit osman. Kuvendi i Lezhës me gjithë bazën feudale, dhe vendimet e marra shprehin objektivisht edhe interesat e popullit shqiptar, të cilat kërkonin më shumë se kushdo mbrojtje kundër pasojave të rënda që sillte pushtimi osman. Kuvendi i Lezhës nga pikëpamja strategjike ishte organ kushtetues, që procedoi në krijimin e organeve të tilla me rëndësi të përgjithshme si “Lidhja e princave shqiptarë”, komanda unike e ushtrisë nën udhëheqjen e Skënderbeut dhe fondet e përbashkëta për përballimin e luftës. Krijimi i organeve të përbashkëta kishte rëndësi të madhe dhe shënohej kështu hapi i parë drejt forcimit të pushtetit qendror dhe daljen nga kuadri i ngushtë i copëtimit feudal. Në procesin e luftës së madhe shqiptaro-osmane, gjatë së cilës u realizua krijimi i shtetit, ku përfshinte një pjesë të mirë të territorit shqiptar. “Lidhja e princave shqiptarë” dhe organet që dolën nga Kuvendi i Lezhës pësuan ndryshime të rëndësishme, të cilat çuan në ndryshimin e natyrës së tyre politiko-ushtarake. Shteti shqiptar, i themeluar dhe i udhëhequr për çerek shekulli nga Skënderbeu (1443-1468), e vazhdoi eksiztencën e tij edhe pas vdekjes së Heroit Kombëtar, deri në vitin 1478, kur ra Kruja-kryeqyteti i tij dhe kështjella kryesore e mbrojtjes së vendit. Gjatë gjithë kësaj dekade, megjithëse me territore të cunguara gradualisht nga pushtuesit osmanë, ai vazhdoi të realizonte funksionet e tij kryesore në luftën e pabarabartë midis Shqipërisë së vogël dhe Perandorisë Osmane. Në shpalljen e Sulltan Mehmetit II kushtuar rënies së Krujës (1478), pasi përshkruhen mizoritë e pushtuesve ndaj mbrojtësve të saj, përcaktohen edhe synimet e tyre për shkatërrimin e organizimit politik dhe ushtarak të krijuar gjatë asaj epoke historike. “Thirrjet që nga kraharorët e tyre të dërmuar arritën gjer te tavani i Saturanit. Gjithsej rreth pesëmijë të pafe, që ishin secili një djall naftëhedhës dhe vetëtimë-lëshues, u bënë kështu pre e shpatës së mprehtë dhe e qokë e shigjetës goditëse… pas kësaj do të fillojë shkatërrimi i kishave, ndërtimi i medreseve, ndalimi i kambanave dhe prishja e ligjeve”.Krijimi i shtetit shqiptar nën udhëheqjen e Skënderbeut ishte një fitore e madhe historike e popullit shqiptar dhe përfundimi i atij procesi të ligjshëm për krijimin e formacioneve shtetërore të pavarura në mesjetë. Bashkimi i popullit shqiptar në një shtet të vetëm nën udhëheqjen e Skënderbeut ndihmoi në farkëtimin e unitetit politik të popullit tonë në luftë kundër pushtuesve osman si dhe në konsolidimin e kombësisë shqiptare, mbi bazën e gjuhës, territorit dhe unitetit psikik-kulturor. Shteti i Skënderbeut ishte një formë e sundimit politik të klasës feudale shqiptare. Lufta që zhvilloi Skënderbeu për forcimin e pushtetit dhe krijimin e shtetit shqiptar nuk ishte luftë kundër feudalizmit. Ajo ishte luftë kundër copëzimit dhe partikularizmit feudal, që dobësonte fuqinë mbrojtëse të vendit, pa prekur marrëdhëniet në prodhim, të cilat mbetën si edhe më parë, feudale.
Sigal