Presidenti vlerëson kompozitorin e muzikës së lehtë shqiptare Vladimir Kotani, me titullin “Mjeshtër i Madh”

160
Sigal

Presidenti i Republikës Ilir Meta vlerësoi me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” kompozitorin e mirënjohur shqiptar, Vladimir Kotani:  “Në vlerësim të kontributit artistik shumëvjeçar, për krijimtarinë e vyer dhe pasurimin e vlerave artistike të muzikës shqiptare. Me mirënjohje institucionale për përkushtimin e jashtëzakonshëm ndaj muzikës së lehtë dhe jo vetëm, duke na dhuruar një larmi të pafundme këngësh e melodish, që kanë mbetur të paharruara në kujtesën e artdashësve shqiptarë.

Në fjalën e tij drejtuar familjarëve, kolegëve dhe personaliteteve të artit të pranishëm në ceremoninë, Presidenti Meta u shpreh:

“Jam i lumtur që ndodhem mes kaq shumë personaliteteve të dashur nga qytetarët tanë, për të vlerësuar njërin prej jush, kompozitorin e mirënjohur Vladimir Kotani.

Çdo vlerësim, për një figurë të shquar të artit e muzikës, është shenjë e mirënjohjes sonë, për punën e përkushtuar e të jashtëzakonshme, që ju keni bërë dhe vazhdoni për të pasuruar fondin e muzikës sonë.

Vladimir Kotani është një nga kompozitorët më të shquar të vendit. Mbi 1500 këngë shqiptare të muzikës së lehtë mbajnë firmën e tij.

Në memorien tonë, emri i kompozitorit të mirënjohur Vladimir Kotani është i lidhur ngushtësisht me festivalet e këngës të fund vitit në Radio Televizion, që mezi i prisnim.

Dëshiroj të përmend vetëm disa nga këngët fituese të çmimeve të para, në festivalet e këngës si: “Në moshën e rinisë”, “Çel si gonxhe dashuria”, “Kur e humba një dashuri”, “Lot me ty o djalë se ta di merakun”.

Krijimtaria e kompozitorit Kotani ka prekur të gjitha temat e kohës, por dashuria ka qenë lajtmotivi i shumë prej këngëve të tij, gjë që e ka bërë të dashur për artdashësit e të gjithë brezave.

Veprimtaria e Vladimir Kotanit është shtrirë edhe në kompozime për: muzikë filmash artistikë, dokumentar e vizatimor; muzikë për Teatrin Kombëtar e për Teatrin e Kukullave; serenata, arie, fantazi për fizarmonikë e orkestër, pjesë orkestrale për orkestra frymore e valle simfonike.

Krahas kompozimit z. Kotani, ka dhënë një ndihmesë të madhe në përgatitjen, kualifikimin dhe afirmimin e talenteve të reja, këngëtarëve, muzikantëve e grupeve artistike, kudo në Shqipëri.

Zoti Vladimir Kotani në rolin e tij si pedagog i Universitetit të Arteve ka formuar me dhjetëra artistë e këngëtarë të rinj, të cilët sot performojnë në skena të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.

Ndërkohë, si drejtues e udhëheqës artistik i Pallatit të Madh të Kulturës, Tiranë, ka kontribuar në pasurimin e jetës kulturore e artistike të kryeqytetit dhe jo vetëm, si dhe në edukimin estetik, artistik dhe kulturor të rinisë.

Vladimir Kotani është nderuar e vlerësuar shpesh gjatë karrierës së tij të gjatë. Këngët e tij vazhdojnë të transmetohen me sukses, në ditët e sotme dhe të këndohen nga brezat më të rinj të këngëtarëve shqiptarë.

Shumë nga këngët e Kotanit janë tashmë pjesë e fondit të artë të muzikës së lehtë shqiptare, me stilin e tyre të veçantë e karakteristik dhe me motivet dhe ngjyrat e tyre kombëtare.

Vladimir Kotani vazhdon të kompozojë me dashuri e frymëzim siç ka bërë për rreth 47 vjet të karrierës së tij. Unë jam i bindur, që nga dora e tij do të vazhdojnë të dalin kompozime e melodi të bukura, që do të këndohen në dekadat që vijnë.

Meta

770b2ef0 5f80 4a17 9f36 Cbb4f447e954

C26c1fa6 7c9d 4a95 A854 27658108fa67

Cfc754e6 3cdf 45f5 97a9 Be81723c19d6