Presidenti Nishani vlerëson pas vdekjes Imzot Prend Doçin, Abatin e Mirditës me dekoratën “Nderi i Kombit”

459
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani vlerësoi gjatë një ceremonie të zhvilluar dje në shkollën e mesme profesionale “Shën Jozefi Punëtor” të qytetit të Rrëshenit, Imzot Prend Doçin, Abatin e Mirditës (pas vdekjes) me dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin “Në shenjë vlerësimi dhe nderimi shtetëror për veprimtarinë e tij të shquar e të patjetërsueshme patriotike, fetare dhe politike në shërbim të misionit kombëtar dhe përhapjes së dijes e kulturës.”. Dekorata iu dorëzua Ipeshkvit Kristoforo Palmieri të Dioqezës së Rrëshenit në prani të Imzot Rrok Mirditës, Imzot Masafrës, Vikarit të përgjithshëm të Dioqezës, Don Xhanfranko Kadeneli, kryetarit të Bashkisë së qytetit, Ndue Gega, përfaqësuesve të pushtetit qendror dhe vendor, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, autoriteteve të besimit fetar si dhe mësuesve dhe studentëve të Shkollës “Shën Jozefi Punëtor”. Vizita e Presidentit Nishani në Rrëshen nisi me një takim të shkurtër me mësues dhe nxënës në laboratorin e elektroteknikës të Shkollës së mesme profesionale “Shën Jozefi Punëtor” të qytetit. Kreun e Shtetit mori pjesë në hollin e shkollës ku ishte hapur edhe një ekspozitë, për të vijuar më pas me ceremoninë e dekorimit dhe në fund të saj, një koncert muzikor nga grupi i fëmijëve valltarë të zonës. Presidenti Nishani zhvilloi edhe një vizitë në Katedralen e qytetit, gjatë së cilës iu dhurua nga Ipeshkvi Palmieri një ikonë dhe një libër rreth historisë së saj. Gjithashtu presidenti Nishani gjatë fjalës së tij vlerësoi Mirditën duke e cilësuar si një krahinë të njohur për mençurinë dhe diturinë e saj, për burrat trima dhe patriotë që ajo i ka dhënë në histori kombit shqiptar, duke kujtuar figurat më të rëndësishme të kësaj krahine si: Princ Lekë Zaharian, Princin e Danjës, Pjetër Budin, Imzot Frang Bardhin, Imzot Lazër Mjedën, At Gjergj Fishtën, At Shtjefën Gjeçovin, figura këto qw sakrifikuan edhe jetën e tyre e u vunë në shërbim të interesave madhore të vendit, të besimit fetar dhe identitetit kombëtar Shqiptarë.
Sigal