Presidenti i Republikës Ilir Meta, përmes një postimi në rrjetet sociale, vlerëson figurën dhe kontributin në çështjen shqiptare të Eliot Engel, kongresmenit shqiptar.
Sipas kreut të shtetit, Engel është avokat i palodhur dhe zë i fuqishëm i shqiptarëve në Komngresin Amerikan, ky mban postin e Kryetarit të Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë.
POSTIMI:
Përherë mirënjohës mikut të sprovuar të kombit shqiptar, z.Eliot Engel, për mbështetjen e jashtëzakonshme të dhënë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, për rolin e rëndësishëm në konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në vendin tonë, si dhe për kontributin e pakursyer dhe shumë të çmuar për lirinë, pavarësinë dhe njohjen ndërkombëtare të Kosovës.
Avokat i palodhur dhe zë i fuqishëm i shqiptarëve në Kongresin Amerikan, jo vetëm si kryetar i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë, z.Engel ka bërë përpjekje të palodhura për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera shqiptaro-amerikane dhe lidhjes tonë transatlantike.
Si njohës i shkëlqyer i rajonit, z.Engel ka spikatur gjithashtu edhe si përkrahës i angazhimit të vazhdueshëm të SHBA për të konsoliduar të gjitha arritjet e deritanishme në Ballkan për paqen, stabilitetin, sigurinë, demokracinë e shtetin ligjor.
Jam i bindur se mbështetja dhe bashkëpunimi i tij do të vazhdojnë dhe në të ardhmen, në interes të forcimit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.
Kongresmeni amerikan dhe miku i shqiptarëve, Eliot Engel u rizgjodh pa kundërshtarë në Dhomën e Përfaqësuesve në nëntorin e vitit 2018.
Ai u rizgjodh si përfaqësues i distriktit të 16 kongresional të New York-ut, që përfshin pjesë të Bronx dhe kontesë Westchester.
Engel ka vizituar disa herë Shqipërinë dhe Kosovën dhe nuk ka humbur asnjëherë rastin të shprehë afrimitetin e tij me shqiptarët.
Në mënyrë të veçantë, ai ka punuar jo pak për Pavarësinë e Kosovës, e siç shkruante edhe “Washington Post” vite më parë, kauza e Kosovës është mbajtur gjallë në Washington falë përpjekjeve të kongresmenit Engel.
Ai ka luftuar spastrimin etnik në Kosovë në vitin ’99 dhe ka lobuar në Kongres për pavarësinë e saj.
Një rrugë mban emrin e tij në qytetin e Pejës, ndërsa ai ka qenë i pari zyrtar i lartë i huaj që ka folur në Parlamentin e Kosovës.