Presidenti Meta takon kreun e FSHF: Vaksina më e mirë për shëndetin është sporti. Rikthim i aktiviteteve futbollistike, me protokollin e ri sanitar

329
Sigal

Presidenti Ilir Meta është takuar sot me kreun e Federatës së Futbollit Shqiptar, Armando Duka, për të diskutuar mbi problemet që ka sot futbolli si pasojë e pandemisë.

Kreu i shtetit është njohur nga kreu i FSHF me protokollin e sigurisë për nisjen e aktiviteteve sportive. “Kënaqësi të prisja sot Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, z.Armand Duka, i cili më njohu me protokollin sanitar të përgatitur nga ekipi mjekësor i FSHF-së, sipas udhëzimeve të UEFA-s, për rifillimin e aktiviteteve futbollistike sa më parë të jetë e mundur”,- shkruan kreu i shtetit në një mesazh në Facebook.

Presidenti Meta shton se edhe Shqipëria duhet të rikthejë aktivitetet sportive duke zbatuar kushtet e reja

“Besoj se me përpjekje dhe mirëkuptim, ashtu si edhe në shumë vende të tjera, edhe ne t’i rikthehemi në kushtet e reja dhe me protokollin e duhur sanitar, jetës futbollistike, por edhe sportive në vend. Nuk ka vaksinë më të mirë për mbrojtjen e shëndetit se sa sporti. ⚽🇦🇱”,- shkruan Presidenti Meta.