Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim Ambasadorin e Zvicrës, Adrian Maitre me rastin e përfundimit të misionit të tij diplomatik në vendin tonë.
Kreu i shtetit tha se i shprehu falënderimet për “përpjekjet në forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe, jo vetëm në aspektin politik, por sidomos në atë të shkëmbimeve ekonomike dhe investimeve zvicerane në Shqipëri”.
“I shpreha mirënjohjen për mbështetjen e vyer të Zvicrës ndaj vendit tonë, në proceset e konsolidimit të institucioneve dhe qeverisjes demokratike, si dhe në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, infrastrukturë dhe energji, kujdesin shëndetësor, arsimin profesional dhe mbrojtjen e mjedisit, duke u kthyer në një nga donatorët kryesorë.
Theksova rolin e rëndësishëm të diasporës shqiptare në këtë vend mik për forcimin e lidhjeve mes dy popujve tanë, duke qenë mirënjohës për mundësitë që u janë krijuar për t’u integruar dhe kontribuar në fusha të ndryshme të shoqërisë zvicerane”, shkruan Meta në postimin në rrjetet sociale.