Presidenti Meta: Sot bëhen tre dekada nga 2 prilli i errët i vitit 1991. Të bëjmë çdo gjë për suksesin e demokracisë! Rrugë tjetër nuk kemi!

291
Sot bëhen tre dekada nga 2 prilli i errët i vitit 1991, kur katër djem nga më të mirët e Shkodrës dhe të Shqipërisë, Heronjtë Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu e Besnik Ceka, u vranë pabesisht në mbrojtje të demokracisë dhe zgjedhjeve të lira.
U përula me nderim, respekt e mirënjohje të thellë para kujtimit të katër Martirëve të paharruar, me angazhimin solemn për ta çuar deri në fund amanetin e tyre dhe të të gjithë Dëshmorëve të rënë për Shqipërinë plotësisht demokratike dhe europiane, të pakapur nga fenomeni i partisë-shtet.
Është momenti, që të gjithë së bashku, të nisemi fitimtarë drejt 25 prillit për ta rivendosur vendin në shinat e demokracisë, sepse në themel të Kushtetutës sonë qëndron pluralizmi politik, zgjedhjet e lira dhe vota e lirë, e barabartë dhe e paprekshme e çdo qytetari të Republikës.
Unë jam i bindur se Shkodra do të jetë si gjithmonë, sot akoma edhe më shumë, në krye të këtij marshimi, sepse ka qenë zemra dhe frymëzimi për demokracinë edhe në kohët më të errëta.
Të bëjmë çdo gjë për suksesin e demokracisë! Rrugë tjetër nuk kemi! 🇦🇱
Sigal