Shpopullimi alarmant i Shqipërisë/ Rama udhëton drejt Londrës, takim me Rishi Sunak

101
Sigal

Në një kohë kur shpopullimi i Shqipërisë është në nivele alarmante, kjo ka “detyruar” kryeministrin Edi Rama që të udhëtojë drejt Londrës.

Krimi dhe emigracioni shqiptar në Britaninë e Madhe, janë dy çështjet kryesore që Edi Rama do të diskutojë gjatë takimit zyrtar me kryeministrin britanik Rishi Sunak.

Emigracioni i paligjshëm dhe kalimi i kufirit me gomone prej kohësh ka qenë një temë diskutimi në Britaninë e Madhe teksa shqiptarët e pashpresë nga vendi i tyre marrin vendimin që të shkojnë ilegalisht në ishull.

Pas situatës së emigracionit të paligjshëm drejt Britanisë, dy qeveritë ranë dakord të ngrenë një Grup të Përbashkët Pune, Home Office me ekip ekspertësh. Në një komunikatë të përbashkët u theksua se bashkëpunimi do të fokusohet në çështjet e sigurisë dhe punët e brendshme, ku do t’i jepet vëmendje e posaçme luftës kundër krimit të organizuar dhe emigracionit të paligjshëm; rritjes ekonomike dhe investimeve, rinisë dhe arsimit.

Britania e Madhe po mendon të miratojë një ligj, që synon të frenojë emigrantët e paligjshëm drejt ishullit, ku një numër të konsiderueshëm e përbëjnë të rinjtë shqiptarë. Administrata Sunak, u ka shpallur luftë prej disa kohësh emigrantëve nga vendi ynë, të cilët i lidh me krimin e organizuar në Britaninë e Madhe. Sipas të dhënave, 12 301 emigrantë shqiptarë, kryesisht meshkuj të rinj, kanë hyrë ilegalisht në vend në 2022, numri më i lartë i rreth 45 mijë shtetasve që kanë kaluar gjithsej kanalin vitin e kaluar.

Vetë kryeministri Edi Rama pak ditë më parë e pranoi mungesën e fuqisë puntore për shkak të largimit masiv të të rinjve drejt vendeve më të zhvilluara të Europës.