Presidenti Meta përkujton 110 vjetorin e Kuvendit të Junikut: Pati kontribut të rëndësishëm për Pavarësinë e Shqipërisë

156
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka qenë këtë të hënë në Kosovë, ku ka përkujtuar 110 vjetorin e Kuvendit të Junikut.

Meta tha se ai Kuvend pati një rëndësi të jashtëzakonshme për Shqipërinë e atyre viteve dhe rezistencën e treguar nga Kosova dhe Veriu i Shqipërisë.

“Shqiptarët krenohen me Kuvendin e Junikut, të atyre burrave të kombit tonë që para 110 viteve lëshuan thirrje për mbrojtje të trojeve shqiptare. Për 4 ditë e net, u diskutua dhe debatua, për bashkimin e një kryengritje të përbashkët në Kosovë dhe Veriun e Shqipërisë.

Në atë Kuvend, u lidh besa për çlirimin e trojeve shqiptare. Kuvendi i Junikut paraqiti platformën e pastër për çlirim. Treguesi i qartë ishin 12 pikat e programit të dalë nga Kuvendi i Junikut.

Kuvendi i Junikut i parapriu këtij projekti madhor, kombëtar dhe pati kontribut të rëndësishëm për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Sot pas 110 vitesh kemi shumë arsye, e të jemi mirënjohës atyre patriotëve që treguan në kohë të vështira largpamësi dhe i dhanë dritë një projekti të rëndësishëm kombëtar.

I gëzohemi Shqipërisë si vend anëtar në NATO. Ne i gëzohemi më së shumti të sakrifikuarës së madhe 110 vjet më parë, Kosovës, që sot është një shtet i lirë dhe i pavarur, vend model. Ajo ecën e sigurt drejt integrimeve në institucionet ndërkombëtare.

Ne jemi kontribuues të paqes dhe sigurisë. Jemi për fqinjësi të mirë për fqinjët tanë, pa paragjykime. Po kështu kemi treguar se jemi të hapur me të tjerët, por edhe më të bashkuar me njëri-tjetrin.

Ne ndodhemi para sfidave të mëdha, e ato sfida duhet t’i pranojmë. E përjetshme vepra e atdhetarëve tanë këtu në Kuvendin e Junikut. Rroftë populli shqiptar, suksese Kosovës dhe Këshillit të Evropës”, tha Meta.