Presidenti Meta ne Mëngjesin e Lutjes të Vëllazërisë Ungjillore Shqiptare: Vlerat e demokracisë janë udhërrëfyesi më i mirë për të ardhmen e sigurt europiane të vendit.

168
Sigal

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti veprimtarinë e Mëngjesit të Lutjes, të zhvilluar nga Vëllazëria Ungjillore Shqiptare me temë: “Lidershipi në kohë sfiduese – Lidership i bazuar mbi vlera”

Në fjalën e Tij, Kreu i Shtetit duke  iu drejtua të pranishmëve u shpreh:

“ Jam shumë i lumtur që ndodhem sot me ju në Mëngjesin e Lutjes Kombëtare.

Tema e zgjedhur për këtë event, ‘Lidershipi në kohë sfiduese’ është shumë e gjetur dhe kuptimplote, pasi vendi ynë si mbarë njerëzimi, vazhdon të përjetojnë një kohë mjaft sfiduese, edhe  për shkak të pandemisë botërore dhe jo vetëm.

Në kohë të tilla të vështira, kur nevojitet një lidership i vërtetë, drejtimi më i mirë, mund të vijë vetëm përmes udhëheqjes nga vlerat, besimi, bashkimi me njëri-tjetrin dhe nga forca e përbashkët, për të kapërcyer çdo vështirësi.

Bibla flet shumë për situatat e vështira dhe kohët sfiduese, por shkrimi i shenjtë ofron edhe burimin e forcës për t’i përballuar ato. Ky burim është besimi.

Në Dhjatën e Vjetër dhe në Dhjatën e Re ka shumë urdhëresa, këshilla dhe inkurajime, të cilat përsëriten vazhdimisht, për t’u përballur me jetën e përditshme dhe sfidat.

Por, ajo që përmendet më shumë se çdo urdhëresë tjetër në Bibël, është ‘Mos ki frikë!’ (365 herë).

 

Ndaj natyrshëm, ne kuptojmë, që ky mesazh vlen për t’u vënë në praktikë çdo ditë, për çdo sfidë dhe vështirësi.

Në këto kohë sfidash të mëdha, frika jo vetëm  duhet kapërcyer, por përpjekjet për t’i nënshtruar qytetarët, njerëzit dhe të pambrojturit, përmes frikësimeve duhet refuzuar nga të gjithë, prandaj kërkohet edhe  më shumë besim.

Kërkohet më shumë bashkim rreth vlerave të integritetit njerëzor, më shumë përkujdesje ndaj njerëzve të thjeshtë, më shumë liri dhe demokraci për vendin, dhe më shumë forcë e guxim për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.

Populli shqiptar ka shumë vlera dhe cilësi të larta njerëzore, të cilat duhen ruajtur e promovuar sa më shumë.

Janë këto vlera dhe cilësi të larta njerëzore, që na kanë mbrojtur në shekuj, ndryshe nga shumë popuj të tjerë edhe më të mëdhenj, të cilët janë shuar.

Por, bashkëjetesa jonë fetare është një prej vlerave më  të rralla e më të çmuara, e cila shquhet në mbarë botën, ku ne jemi shembull që shkëlqejmë.

Drejtuesit e të gjitha besimeve fetare në Shqipëri vazhdojnë të tregojnë një lidership të bazuar mbi vlerat, të cilat ndihmojnë në ndërtimin e një shoqërie më të mirë, si edhe në ruajtjen e fëmijëve dhe të rinisë nga veset, ndaj të cilave janë aq shumë të ekspozuar dhe të kërcënuar sot.

Por jo vetëm kaq, por edhe në  nxitjen e tyre për më shumë edukim, socializim, kontribut qytetar dhe vullnetar.

Shfrytëzoj këtë rast të falënderoj ‘Vëllazërinë Ungjillore Shqiptare’, dhe të gjitha organizatat fetare dhe civile në vend, për kontributin e çmuar, që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin, me pjesëmarrjen e tyre në fushatat e dhurimit vullnetar të gjakut, edhe në këto kohë të vështira të pandemisë, në ndihmë të  njerëzve në nevojë, e veçanërisht për fëmijët telasemikë.

Ata janë bërë kështu një shembull humanizmi e kanë vënë në praktikë, dashurinë dhe përkujdesjen ndaj atyre  në nevojë.

Në kohë sfidash të mëdha, lidershipi duhet të vijë nga vlerat më të mira të një shoqërie.

Te predikimi në mal, Jezusi u tha dishepujve: Ju jeni drita e botës. Nuk ndizet një qiri për ta vënë nën shportë, por për ta vënë mbi shandan dhe t`u bëjë dritë të gjithë atyre që janë në shtëpi.

Po kështu, edhe vlerat tona më të mira kombëtare duhet të na  udhëheqin e të ndriçojnë rrugën e së ardhmes së vendit.

Vendi ynë ka nxjerrë figura lidershipi dhe shembuj të jashtëzakonshëm vlerash për mbarë botën, si heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Shenjtorja Nënë Tereza, por edhe shumë shkrimtarë, artistë, intelektualë, me ndikim ndërkombëtar, të cilët e kanë lartësuar vendin tonë dhe kanë shpalosur vlerat më të mira të kombit tonë në botë.

Shembuj të tillë të vlerave të jashtëzakonshme, janë frymëzim për të pasur një shoqëri më të përgjegjshme, ku gjithsecili nxitet të shkëlqejë në fushën e vet.

Çdo fëmijë e ka një potencial të caktuar. E suksesshme është ajo shoqëri, e cila tregon kujdes për të identifikuar dhe për të zhvilluar këtë potencial në fushën më të përshtatshme.

Janë vlerat ato të cilat do na ndihmojnë, për të kapërcyer vështirësitë aktuale dhe për të ndërtuar një shoqëri më të sigurt, të qëndrueshme, njerëzore, të suksesshme dhe gjithëpërfshirëse.

Teksa ndodhemi sot, në qytetin e mrekullueshëm të Pogradecit, kujtojmë edhe fjalët e të madhit Lasgush Poradeci‘Të gjithë marrin jetë prej flakës që ndrin.’

Janë vlerat ato që ndrinë të ardhmen dhe t’u mësojnë brezave, se nuk ka mision më fisnik, se sa t’i shërbesh njerëzve dhe mbi të gjitha vendit tënd.

Të rinjtë dhe fëmijët tanë, mund të ikin në gjithë botën dhe mund të gjejnë kushte më të mira për të jetuar dhe materiale, por atdhe nuk gjejnë dot.

Atdheu është vetëm këtu!

Një shembull lidershipi vlerash, përfaqëson edhe familja europiane, ku ne aspirojmë prej tre dekadash të bëhemi pjesë.

Procesi i integrimit të vendit në Bashkimin Europian, kërkon të kemi demokraci më të suksesshme, përgjegjshmëri institucionale,  një shtet të së drejtës që funksionon realisht, ku respektohen të drejtat individuale, ku mbrohet integriteti njerëzor dhe ruhet pasuria njerëzore.

Vendi ynë vazhdon të përballet me sfidën e madhe të largimit të rinisë, por dhe të trurit.

Kjo është një plagë e madhe sociale dhe është një sfidë mjaft serioze për të ardhmen e vendit.

Ndaj, të rinjve tanë u duhen ofruar më shumë shpresë, alternativa edukimi dhe punësimi.

Ndërsa të arsimuarve, më shumë shanse të barabarta, vlerësim meritokracie dhe vende pune, ku të shfaqin talentin dhe potencialin e tyre intelektual dhe të sjellin progres për vendin tonë.

Vlerat e demokracisë janë udhërrëfyesi më i mirë për të ardhmen e sigurt europiane të vendit.

Demokracia e konsoliduar garanton një shoqëri të drejtë dhe të begatë për të gjithë, me vendimmarrje gjithëpërfshirëse, liri të fjalës dhe të mendimit, barazi para ligjit, dhe drejtësi shoqërore.

‘Sepse ka një të ardhme, dhe shpresa jote nuk do të shkatërrohet!”  – thuhet tek Fjalët e Urta

Ndaj, të udhëhequr nga kjo shpresë, duke mbartur e promovuar vlerat tona kombëtare, të nxitur nga atdhedashuria, duhet të punojmë  me më shumë besim për të ardhmen.

Lidhur me debatin, ‘Mendim i ri, Truri i ri’, i cili u hap këtu nga përfaqësuesit e nderuar nga Kosova, dua t’ju kujtoj se ne në Shqipëri, kemi pasur përvojën e “njeriut të ri” për 50 vite, e cila na la pasoja katastrofike.

Ndërsa lidhur me debatet për lidershipin, ku këtu u thanë vlerësime mjaft të  mençura, unë do të theksoja se:  Lidershipi në radhë të parë  kërkon kurajo, karakter, moral dhe forcë, sepse nuk mund të ushtrohet lehtësisht nga kushdo. Cilësia e parë për një lider është, që nuk duhet të ketë frikë nga ndryshimi, por kaq nuk mjafton.

E dyta, duhet të ndjekë udhën e ndryshimit dhe duhet të bëjë shumicën me vete drejt ndryshimit!

Kam një lutje, që unë e kam shumë përzemër, këtë lutje e kam për të gjithë ju dhe për ata, të cilët vuajnë shumë në luftën e tyre të përditshme, për çështje të drejta.

Zoti i bekoftë vuajtjet e të gjithë njerëzve, që luftojnë për çështje të drejta, sepse kjo u shërben të gjithëve.