Presidenti Meta merr pjesë dhe përshëndet takimin festiv me personalitetet e Krahinës së Lurës

181
Sigal

Presidenti Meta merr pjesë dhe përshëndet takimin festiv me personalitetet e Krahinës së Lurës: Burrëria, trimëria dhe heroizmi i patriotëve të Dibrës, na dëshmon se nuk ka gjë më të shenjtë dhe më të shtrenjtë se sovraniteti dhe pavarësia e Shqipërisë, për të cilën është derdhur aq shumë gjak dhe janë kryer aq shumë sakrifica të panumërta.

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta ishte i Ftuar Nderi në takimin festiv me personalitetet e shquara dibrane, që u mbajt sot në Pallatin e Kulturës së Kamzës, me rastin e 100-vjetorit të Luftës së Dibrës dhe betejës së Lanë-Lurës.

Në përshëndetjen e Tij drejtuar të pranishmëve, kryetarit të Bashkisë Kamëz, z.Rakip Suli, deputetëve të zonës, si dhe familjeve dhe personaliteteve të shquara lurjane, Presidenti Meta u shpreh:

I nderuar zoti Kryetar i Bashkisë!

Të nderuar përfaqësues të institucioneve!

Motra dhe vëllezër, përfaqësues të familjeve patriotike, atdhedashëse të Qarkut të Dibrës dhe të trevës së Lurës në veçanti!

Ishte një nder, por edhe detyrim, të nderoja dhe të vlerësoja disa javë më parë personalitete dhe patriotë të shquar nga treva e Lurës, për përballjen e tyre heroike 100 vite më parë me trupat serbe.

Kjo ishte edhe beteja e fundit dhe ndër më heroiket ndaj pushtuesit serb, e zhvilluar në Lanë-Lurë, në vendin e quajtur Qafa e Gëlqeres.

Një betejë e fituar, pavarësisht pabarazisë në numër dhe në armatime midis pushtuesit dhe patriotëve të Lurës dhe të Dibrës.

Qindra luftëtarë dhe patriotë të Lurës, Reçit dhe Dardhës u përballën heroikisht me mijëra trupa serbe.

Një shekull më parë më 28 tetor 1921, u zhvillua beteja finale, një beteja që shkoi në përplasjen trup më trup me pushtuesit.

Djemtë dhe burrat e Lurës luftuan si luanë të vërtetë, siç shprehet Ismail Strazimiri në kujtimet e tij, si dëshmitar i asaj ngjarje.

Ata patriotë dhe heronj, ruajtën trevat, traditat, familjet e tyre nga mizoritë e pushtuesit. Ruajtën integritetin dhe pavarësinë dhe vendit.

Falë edhe kësaj rezistence dhe heroizmi të pashoq, u bë e mundur tërheqja përfundimtare e trupave serbe, në fillim të dhjetorit të para njëqind viteve dhe u ruajtën të paprekura trevat shqiptare.

Sot kjo ngjarje është një burim frymëzimi për të gjithë ne dhe veçanërisht për brezin e ri.

Një shekull më pas, burrëria, trimëria dhe heroizmi i patriotëve të Lurës dhe të Qarkut të Dibrës, na dëshmon se nuk ka gjë më të shenjtë dhe më të shtrenjtë se sovraniteti dhe pavarësia e vendit, për të cilën është derdhur kaq shumë gjak dhe janë kryer kaq shumë sakrifica të panumërta.

Edhe një herë ju faleminderit dhe i përjetshëm kujtimi i të gjithë atyre patriotëve të Lurës dhe të Dibrës, të cilët me në krye Elez Isufin shpëtuan kufijtë e Shqipërisë!”