Presidenti Bajram Begaj: Ky përvjetor i Kongresit të Drejtshkrimit vjen me sfida, brezat e rinj në diasporë duhet të rriten me gjuhën shqipe

117
Sigal

Nën kujdesin e Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, u organizua sot nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës Konferenca jubilare në nderim të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit 1972-2022. Në fjalën e tij përshëndetëse gjatë kësaj konference, Presidenti Begaj nënvizoi se “Kongresi i Drejtshkrimit në 1972-in mbetet një prej atyre zhvillimeve në të cilën aspekti kombëtar fitoi mbi atë ideologjik, një zhvillim i rëndësishëm për rrugëtimin e gjuhës shqipe moderne dhe unifikimin e saj në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mal të Zi e diasporë,” duke shtuar se “firmëtarëve të këtij kongresi u takon mirënjohje historike.” Presidenti u ndal tek rëndësia e standardizimit të gjuhës në forcimin e identitetit të përbashkët gjuhësor e kombëtar, dhe sfidat që vijnë përgjatë këtij procesi. “Nga pikëpamja demografike, ne shqiptarët nuk e kemi luksin të tregohemi të pavëmendshëm në nxitjen e varianteve, që zhvillohen në mënyrë të pavarur, a me numër më të tkurrur folësish. Por nuk kemi as përse të pranojmë ngurtësimin e shqipes. Ngurtësimi nuk e ndihmon zhvillimin dhe jetëgjatësinë e saj,”- theksoi Presidenti.

Për Kreun e Shtetit, gjuha duhet të reflektojë zhvillimet e kohës, por çdo përpjekje për rishikim e pasurim duhet të realizohet me transparencë e frymën e duhur të bashkëpunimit. Presidenti Begaj renditi gjithashtu një sërë masash që duhen ndërmarrë në ndihmë të gjuhës standarde si: nevoja për pasurimin e gjuhës dhe mbrojtjen nga huazimet e panevojshme; dhënien e përparësisë së lëndës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkolla; mbështetjen e diasporës me politika e programe të posaçme; punën e mëtejshme për pasurimin e fjalorit të shqipes dhe përpilimin e fjalorëve që pasqyrojnë ndërveprimin e saj me gjuhë të tjera; dhe mbrojtjen e shqipes nga padija gjuhësore dhe mosrespektimin e rregullave të saj.

NOA

Së fundmi, Presidenti u ndal dhe tek ngjyrimet dialektore, për të cilat u shpreh se “janë pasuri dhe pjesë e trungut original të shqipes, të cilat i bëjnë nder gjuhës dhe e mbrojnë nga huazimet e panevojshme.” Gjatë eventit u shfaq  dhe një ekspozitë dokumentare “Nga alfabeti te drejtshkrimi,” kushtuar 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, përgatitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave. Në vijim fjala e plotë e Presidentit Begaj në Konferencën Jubilare në 50-vjetorin e Kongresit të Drejshtshkrimit.