Vendimi: Kamerat e bizneseve dhe individëve do përdoren edhe nga Policia

162
Sigal

Në mbarë vendin, prej vitesh kanë nisur të instalohen kamera në rrugët kryesore me qëllim ruajtjen e sigurisë publike. Po ashtu, janë dhe shumë biznese e individë, që kanë instaluar kamera që monitorojnë hapësirën publike. Por, të gjithë këto nuk janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën në rang kombëtar.

Aktualisht mungon një “dhomë” që lidh të gjitha sistemet bashkë.

Për këtë qëllim, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka shpallur një tender rreth 100 milionë lekë për të krijuar hartën digjitale për hapësirat publike, që mbulohen me kamera sigurie në rang vendi.

“Aktualisht nuk egziston një sistem informatik dhe informacioni i kamerave të vëzhgimit në administrim të Policisë së Shtetit nuk ruhet dhe nuk administrohet në mënyrë elektronike.

Aktualisht ekzistojnë shumë kamera në ambjentet publike, të cilat në raste dhe situata të ndryshme nevojitet akses nga Policia. Aktualisht këto kamera (qofshin të policisë, institucioneve shtetërore, bizneseve të ndryshme apo individëve) vërehen në terren për një perimetër të caktuar, gjë që policia humbet shumë kohë për identifikimin dhe aksesimin e tyre.

Për të ulur kohën e reagimit të policisë është i nevojshëm realizimi i një sistemi ku të gjitha këto kamera të hidhen në një hartë dhe në këtë mënyrë të dihet ku të kërkohet në rastet e nevojshme” shkruhet në dokumentet e tenderit sipas scan. Me implementimin e këtij projekti, policia do të ketë mundësi të identifikojë dhe përpunojë më shpejtë informacionin për kamerat e sigurisë në të gjithë Republikën e Shqipërisë.

Duke pasur informacionin digjital për pozicionin e kamerave të sigurisë dhe zonën e tyre të mbulimit, Policia e Shtetit e ka më të lehtë identifikimin dhe kërkimin e pamjeve filmike për zona të caktuara në rastet e hetimit të krimeve të ndryshme.

Ky sistem synon të ndihmojë në zbulimin e krimit brenda 48 orëve, duke gjurmuar dhe përdorur kamerat që vendosin bizneset apo individët.

Për çdo kamer të instaluar do të ruhet informacion i detajuar rreth vendodhjes së tyre, kohës së instalimit, subjektit që e zotëron etj. Në rastet e problemeve të identifikuara në një perimetër të caktuar, nëpërmjet sistemit duhet të identifikohen të gjitha kamerat e instaluara që mbulojnë perimetrin e kërkuar. Aksesi i sistemit do të bëhet i mundur nëpërmjet një ndërfaqe web dhe vetëm një grupi të caktuar punonjësish policie do të kenë akses nëpërmjet username dhe password.