Prefekti i Elbasanit, Shefqet Deliallisi: Ja çfarë po ndodh me këshillat bashkiakë dhe komunare

644
Sigal

Situatë e tensionuar është krijuar në këshillat bashkiakë dhe këshillat komunar në Qarkun e Elbasanit në këtë periudhë, që shënon dhe pragun e fushatës elektorale. Shkak për këtë ngërç është bërë kërkesa e ndryshimit të kryetarëve të këshillave, sepse e majta tanimë ka shumicën. Për një orientim më të drejtë Prefekti i Elbasanit Shefqet Deliallisi ka komentuar në një prononcim për gazetën “Telegraf”, situatën më të fundit të krijuar në këshillat bashkiake dhe ato komunare, ku pas koalicionit që bëri Lëvizja Socialiste për Integrim me Partinë Socialiste, kanë nisur edhe kërkesat e para. Kështu, koalicioni i majtë kërkon ndryshimin e kryetarëve të këshillave. Lidhur me këtë kërkesë prefekti Deliallisi tha për “Telegraf”, se, kjo është një lojë e rrezikshme dhe vetëm me ngjyrime politike, pasi kjo do të lëkundi pushtetin vendor që ka të bëjë me interesat e qytetarëve. Ai theksoi se, nëse kjo qe e stisur ndodh të shkaktohet një tronditje te pushteti në mes të mandatit dhe në prag të zgjedhjeve, duke i bërë një dëm të madh qytetarit, kur ka probleme më imediate që kërkojnë zgjidhje. Prefekti Deliallisi i ftoi drejtuesit e koalicionit të majtë të shohin interesat e qytetarëve dhe para këtyre interesave të mos vendosin gjë tjetër, pasi primare janë vetëm qytetarët, që mbi të gjitha i kanë zgjedhur për të mbajtur atë post që ata kanë. Sipas prefektit, këshillat e bashkive dhe të komunave duhet të paraqesin dokumentacionin në prefekturë, për t’u parë nëse janë të mbështetura në ligj. Në të kundërt të gjitha rastet që kanë shkelje ligjore do të kthehen deri në kalimin e çështjeve në gjykatë. Nëse këshillat e njësive të qeverisjes vendore përbëjnë maxhorancën, atëherë ato pritet të kërkojnë ndryshimin e kreut të këshillit të qarkut.